LAJMI I FUNDIT:

Serbët e quajnë Ivanoviqin “Mandela i Kosovës”

Serbët e quajnë Ivanoviqin “Mandela i Kosovës”

Dragoljub Gjorgjeviq, përfaqësues i Shoqatës së Avokatëve të Serbisë, e ka quajtur të dënuarin për krime të kryera ndaj shqiptarëve në Mitrovicë, Oliver Ivanoviq, Nelson Mandela i Kosovës, shkruan Vecernje Novosti.

Ai ka thënë se në vendimin për Ivanoviq-in pesë herë përmendet fjala “mund”, duke aluduar se vendimi për dënim u vendos bazuar vetëm në supozime.


“Në raste të tilla atëherë dënimi është i papranueshëm. Në qoftë se gjykimi bazohet vetëm në ‘ndoshta’ atëherë njeriu është i pafajshëm”, ka thënë Gjorgjeviq, përcjellë Klan Kosova.

Siç shkruan Novosti, fakti se nuk është gjetur që Ivanoviq të ketë urdhëruar drejtpërdrejtë ndonjë vrasje, do të jetë pikërisht elementi në të cilin do të bazohet ankesa që ka ngritur ekipi ligjor i Ivanoviq-it për Gjykatën e Apelit.

Edhe avokati mbrojtës, Nebojsha Vlajiq në një konferencë në Beograd, tha se aktgjykimi nuk përmban asnjë dëshmi.

Paneli i gjyqtarëve të EULEX-it ka dënuar Ivanoviqin me nëntë vjet burg për krime lufte të kryera në vitin 1999 në këtë qytet.

Ivanoviq është shpallur i pafajshëm për rastin e dytë të vrasjes dhe tentim vrasje në vitin 2000.

Procesi për ankim në Apel pritet të fillojë për disa muaj.