Nga: Berat Armagedoni
Këtë përzgjedhje me poezi e kam hartuar nga këta tre libra të poetit Lulzim Tafa: I kam edhe dy fjalë (2012), Shtini n’dhe këto fjalë (2015), Flirt (2019). Nga secili prej këtyre librave kam vjelë nga njëzet e pesë poezi. Sipas bindjes dhe shijes time, kam zgjedhur dhe mbledhur më të mirat. Por, vlerësimin mund ta jepni ju pasi, pos kësaj përzgjedhjeje, t’i lexoni të gjithë librat e tij. Nëse e kam harruar ndonjë poezi tjetër që ka vlerë më shumë se këto, në faqen e dytë e keni e-mailin e shtëpisë botuese në të cilën mund të jepni kritika, sugjerime dhe vlerësime. Të njëjtat mund t’i publikoni edhe në media.
Po ashtu, kam publikuar, në vend të prologut, edhe një poezi të autorit që s’është botuar në asnjë libër të tij.
Autori i këtij libri këtë lloj të shkrimit letrar e pati filluar sa ishte nxënës në shkollën fillore. Ka dëshmi (faksimile revistash) të publikimit të vjershave të para të tij në atë kohë. Por, lidhje më të fortë fizike dhe më të ndjeshme me poezinë paraqiti kur, sa ishte student, e botoi librin e parë (më 1993) me poezi dhe la në dorëshkrim edhe nja tre libra të tjerë, prej treqind poezish, të cilët nuk i shpëtuan luftës e për të cilët, siç do të shohim në disa poezi, autori ndien për ta si për një njeri që i mungon shumë.
Lulzim Tafa, paralelisht me poezinë dhe letërsinë, profesion, ndërkohë edhe pasion, kishte edhe studimet në fushën e drejtësisë, në të cilën ka vite që ka doktoruar. Megjithatë, reagimet, mendimet, sidomos ato që lidhen me drejtësinë e munguar në vendin tonë, i shpreh nëpërmjet poezisë, e cila, më shumë se profesioni i tij i parë (drejtësia), e ka bërë të njohur në disa vende të botës për shkak të eksportimit të dhembjes individuale dhe kolektive që ka në poezinë e tij, pastaj edhe duke marrë çmime për vlera letrare që kanë veprat e tij. Me një fjalë, duke ndërkombëtarizuar topikën dhe temat e motivet e popullit të Kosovës, sidomos ato në kohë të paraluftës e të luftës, për poezinë e Tafës është shfaqur interesimi i fqinjëve për krijimtarinë e tij poetike, për përkthimin e poezive të tij në gjuhën angleze, gjermane, italiane, serbe, kroate, boshnjake, rumune, frënge, suedeze, arabe, maqedonase, sllovene, hungareze etj. Po kaq interesim për poezinë e tij, përpos përkthyesve dhe botuesve, ka shfaqur edhe kritika dhe revistat e profilizuara për letërsi, të cilat i kanë përkthyer dhe botuar poezi së bashku me shënime nga jeta.
Sapo të bëjmë një kërkim bibliografik për krijimtarinë e tij na shfaqen mbi pesëdhjetë recensione për librat e tij që janë shkruar nga akademikë, profesorë, studiues, kritikë, përkthyes, botues, lexues nga vendi ynë dhe nga vende të huaja, të cilët kanë vënë re se, që nga momenti i botimit të librit të tij të parë me poezi, Lulzim Tafa ka demaskuar me mjeshtëri pushtimin dhe gjenocidin serb mbi popullin e Kosovës, dhunën e ushtruar mbi kulturën, fenë dhe letërsinë kosovare (Tase Tase). Në këtë rast s’bëhet fjalë vetëm për art të angazhuar edhe pse, dorën në zemër, poetët edhe në këtë mënyrë kanë dhënë kontribut për çështjen kombëtare saqë në shumë raste kanë pësuar fizikisht nga pushtuesit. Në këtë kontekst, mund të themi se poezia e Tafës është një deklaratë në vargje për të ndodhurat në kohë të para luftës, gjatë luftës dhe pas luftës në Kosovë. Është një poezi përplot figura stilistike, të cilat, në vargjet e thyera, përsëritin dëshirat dhe ndodhitë edhe të autorit, edhe të popullit të tij.
Sa mbaj mend, poezinë e Tafës kam filluar ta lexoj në vitin 2005 sa kam qenë student letërsie. Nuk e kishim të obliguar në fakultet por, duke u shoqëruar me miq të tij, profesorë të mitë, Agim Vincën, Sali Bashotën, Ibrahim Berishën, Milazim Krasniqin,
Basri Çapriqin (ndjesë pastë!) e ndonjë tjetër, duke u diskutuar ndër takimet tona poezia e tij, një ditë, për ta thënë edhe unë ndonjë fjalë a vetëm një fjalë për të, kërkova libër të tij në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës. Aty s’i gjeta të gjithë librat që i kishte botuar deri në vitin 2005, por i gjeta dy prej të katërve, Gjaku nuk bëhet ujë (1993) dhe poemën Planeti Babiloni (1997). Ndërkaq, Metaforë e pikëlluar (1995) dhe Vdekja çon fjalë (1998) nuk janë as sot në fondin e Bibliotekës Kombëtare “Pjetër Bogdani” dhe as nuk kam bërë përpjekje tjetër që t’i gjej.
Poezia e tij, në takimin e parë, më pëlqeu. Dallonte nga ajo e miqve të tij: e Vincës, e Bashotës, e Berishës, e Krasniqit, e Çapriqit… Ishte e tjetërllojt. Ani pse Tafa me ta ishte miq, unë s’gjeja miqësi në poezitë e tyre. Veçanti, po. Individualitet, po. Gjetje tematike e stilistike, po.
Takimin e dytë, me poezinë e Tafës, e pata në vitin 2012, kur e botoi librin I kam edhe dy fjalë, për të cilin, menjëherë pas përurimit, shkrova një recension të gjatë, pasi që stilin monoton të disa poetëve ai e nëpërkëmbi me një titull të thjeshtë metaforik të kombinuar me litotë, I kam edhe dy fjalë, dy fjalë të gjata të cilat përfunduan në njëqind faqe tekst, me ligjërim të shkujdesur, pa marrë parasysh çfarë thotë standardi i gjuhës për fjalën e saktë, pa marrë parasysh çfarë thotë etika për fjalën dhe sjelljen, pa ia varë as stilit të pararendësve, temave e motiveve të tyre. Rebelizmi i këtij poeti nis me trajtimin e të ashtuquajturave tema tabu dhe me theksimin e shprehjeve, po ashtu tabu, të cilat e dallojnë nga brezi i vet dhe i mëparshmi, po edhe nga i mëvonshmi.
Duke lexuar këtë libër do të shohim se poeti Lulzim Tafa artin e së mundshmes, politikën, e bën art të letërsisë nëpërmjet figurave poetike të cilat i shpërndan pak në tituj të poezive, më shumë në vargje. Nëse politika në majë të gjuhës e ka ironinë, edhe në poezitë e këtij libri më e pranishme se akëcila figurë tjetër është ironia, në disa satira, e cila përdorim më të madh ka në poezitë shkruar në dhjetëvjetëshin e fundit, të cilat, edhe pse nuk kanë ndonjë shënim të vitit në fund të faqes, nga përdorimi i fjalëve të tyre e personazheve të stilizuara e të satirizuara, duken se janë krijuar në dhjetëvjetëshin e fundit. Kjo rimarrje e temës të së kaluarës paradigmatizohet, pasi njerëzit që i kanë kalëruar kuajt deri dje, sot i ngasin xhipat, e këta poeti Tafa nuk ka dashur t’i lë pas shpinës, madje as vetëm në kujtesën e kompjuterit e në të vetën, as t’i falë për të bërat e të zhbërat, por të na bëjë me dije me saktësi se kush ishin deri dje. Përqeshja që ua bënë është edhe ironike, edhe humoristike. Ani pse humor i zi, është i këndshëm.
Më tutje, në poezitë e këtij libri ka poezi me temë të luftës nga Kosova, me temë kombëtare, me motive sociale, erotike, filozofike, përkushtuese, të fëmijërisë. Temën e parë, të luftës së fundit në Kosovë, e hasim në të tria ndarjet që kam bërë, në të cilat, nëpërmjet figurës së paradoksit, vdekja identifikohet me njeriun, me vrasjet e përditshme të shqiptarëve nga serbët. Ligjërimi i këtyre temave të mëdha më tepër është filozofik sesa emocional dhe shprehësiv. Shquhet në to egërsia e pushtuesve, në të njëjtën kohë ikja e pafuqia për reagim e popullit shqiptar: Mo’ Zot e liga / e çohen e vijnë / i presim me gjoks / qafën ua shtrijmë. Dhe derisa ata vijnë, Tafa nis ta endë në letër ironinë për ta: Me përkrahje / kombëtare e / qiellore. / Masakra ishte e ligjshme / mbështetur në nenin 1 për vrasjen e të gjithë shqiptarëve. / Ishin vrasësit më humanë / lavdi / vranë pa dallim / burra / gra / fëmijë… E në këtë kohë lufte, kur të gjitha çmimet e ushqimeve ngritën, çmimi i jetës bie: Në Kosovë atë ditë / u shtrenjtua buka / vaji / mielli / sall jetës i ra / çmimi / vdekje / kishte me bollëk. Madje shpërthen edhe ironia më therëse, se këtu “sundon” ligji, se këtu nuk shkelen të drejtat / dhe liritë e njeriut / këtu shkelen vetëm kokat!
Sikurse disa politikanë që kujtohen për përdorim të theksuar të satirës e të ironisë gjatë fjalimeve të tyre, edhe disa poetë mbahen mend për të tillë në shkrime poetike. Një prej tyre është poeti Tafa, i cili, për t’i satirizuar disa njerëz të sotëm të politikës e veprimet e tyre, për të cilët është krijuar shprehja se me brekë të grisura kanë hyrë në politikë, ose që ditën janë deputetë e natën biznesmenë, ka marrë dy personazhe nga mitologjia popullore (nga besimet popullore) shqiptare, konkretisht Mujin dhe Halilin, të cilëve ua mbështjellë satirën për trupi dhe për karakteri, pasi ata iu kanë zbritur kuajve, por u kanë hipur xhipave. Dmth., kemi personazhe mitike të cilët kontekstualizohen e paradigmatizohen me personat që janë në pushtet (në pozitë), që s’lënë gjë pa bërë për interesa personale dhe familjare. Derisa poeti i sheh këta muja e halila postmodernë të hipur në xhipa nuk ka se si t’i përshëndesë ndryshe përpos ta përdorë ligjërimin e shkujdesur ndaj tyre: t’i shajë me “nanë”, në të njëjtën kohë të thurë edhe Epitaf për vdekjen e poezisë: … ç’sëmundje muzave / u solli liria / nanën bre ia qifsha / si vdiq poezia, se pa të e kupton se është vështirë t’i qajë hallet e veta dhe të popullit e t’i fshehë emrat e atyre bosëve sikurse veproi me dy personazhet mitike. Për ta mbyllur gjithë këtë fushë të zezë dhe për t’u dhënë fund këtyre paradokseve, vijnë ditët e mira për autorin, poezitë e dashurisë, të cilat prapë lënë mundësinë e shtrimit të pikëpyetjeve, se mos autori i tyre do t’i thotë edhe dy fjalë të tjera në ndonjë libër tjetër, po kaq pa perde e pa pullë të kuqe sikurse i ka shkruar disa prej poezive erotike dhe epshore. Kjo mbetet të shihet.
Vështruar territorin poetik të disa poetëve të tjerë të Kosovës, ato çfarë e ofrojnë poezinë e këtij poeti me, ta zëmë, poezinë e Çapriqit, Bashotës, Podrimjes e ndonjë tjetri, janë vetëm disa fjalë të ngjashme që as ky nuk mund t’i shmangë nga poezitë e veta sikurse janë: nata, tmerri, terri, liria, robëria, gjarpri, të cilat të tre poetët i kanë ndër fjalët më të përdorura në poezitë e veta dhe të cilat kanë funksione poetike, pasi asnjëra nuk është figurë e qejfit të poetit, por e dëshpërimit të tij, e kohës së keqe e të ligë, e vrasjeve, e maltretimeve dhe e shpërdorimit të pushtetit nga njerëz që moralin e kanë nën nivelin e vetëdijes njerëzore. Dmth., prapë jeta, edhe në këtë “liri të mutit” siç thoshte Basri Çapriqi në një varg vite më parë sa qe gjallë, është e zezë edhe te Tafa, veçse në poezinë e tij ka njëfarë shprese që haset sidomos në poezitë me temë dhe me motive nga dashuria dhe nga seksi që nuk heziton ta bëjë aty ku i vjen rasti e që nuk kursen as jetën për një bukuri të rrallë të vajzës që quhet Hanë e që i shëmbëllen trupit qiellor, Hënës.
Po qe se shtegtojmë më tutje dhe kërkojmë ngjashmëri tematike dhe ideore, poezitë e Tafës në rrafshin kombëtar mund t’i vëmë në raport krahasimi me poezitë e Xhevdet Bajrajt, ndërsa në rrafshin ballkanik me poezitë e Izet Sarajliqit e të Marko Veshoviqit.
Në poezitë e këtyre katër poetëve ka portrete, përshkrime, kujtime, njoftime, rrëfime për karaktere njerëzish, skena komike dhe tragjike, skica dhe skeçe. Ka në to simbol, groteskë, antitezë, krahasim, metaforë, hiperbolë, litotë, inversion, paradoks, alegori, paralelizëm figurativ, personifikim. Gjuhë, thuajse të njëjtë. Ka kujtime të mira dhe të këqija. Ankth dhe stres. Krime dhe dëshmi. Skena të dhunës dhe dhunime. Barbarë dhe zuzarë. Të gjallë dhe të vdekur. Prezantim të krimeve e të dëmeve të mëdha serbe bërë në Kosovë dhe Bosnjë Hercegovinë. Domethënë, poezia e këtyre katër poetëve ka, përpos letrar, edhe dimension historik, të historisë më të re të Kosovës e të Bosnjë Hercegovinës. Pa dyshim se, duke shkruar për popullin dhe kombin e vet, këta katër poetë kanë ndërkombëtarizuar çështjen e popullit dhe të kombit të vet. Zëri i protestës së tyre, veçmas i Tafës dhe i Bajrajt, është kundër atyre njerëzve të pushtetit që pronën shtetërore e përdorin për nevoja personale dhe familjare, që pasurohen shpejt e shpejt, pa i dhënë llogari askujt.
Kjo përzgjedhje dhe përmbledhje poezish është fryt i luftës së Kosovës, i përjetimeve të ngjarjeve të ndryshme nga autori, i reagimeve të tij të matura e të pamatura ndaj institucioneve dhe udhëheqësve të tyre. Është, po ashtu, fryt i raportit të tij me disa të dashura, të cilat, meqë s’i njohim, mund të jenë jo persona, por personazhe, sa për ta shpërfaqur autori talentin edhe për poezi erotike, pa i heshtur fjalët edhe kur i “vlohet uji”, edhe kur “sensorët” e tij reagojnë fort ndjeshëm.
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëIsmail Bej Qemali në Kongresin e Xhonturqve në vitin 1902 në Paris
Qyteza ku ende përdoret aramaishtja - gjuha të cilën e fliste Jezu Krishti! (Video)
A është ky mbreti më i keqkuptuar në histori?
Saga e dinastisë Cakrani
Thënie të Bajronit: Nëse do që 100 italianë të heshtin, vrit një; nëse do që 100 shqiptarë të heshtin, duhet të vrasësh 99
Fjalë të urta popullore: Edhe diell të bëhesh, të gjithë nuk i ngroh dot!
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Kompletoje look-un me 50% zbritje
Rahatoj kamt’ qysh është ma s’miri këtë verë
Më të lexuarat
Arda Guler nga Turqia i dërgon mesazh Carlo Ancelottit për minutazhën te Real Madridi
Çfarë janë uraganet, sa të rrezikshëm janë dhe çfarë mund të ndihmojë në zbutjen e dëmeve?
Mbi 160 mijë euro, 696 kilogramë mjaltë e 250 kilogramë fasule ia gjejnë në shtëpi – Policia arreston të dyshuarin në Ferizaj për kontrabandë e tregti të ndaluar
Pamje nga vizita e Jakup Krasniqit te varri i vëllait, më pas i takon familjarët në fshatin e tij
Kaloi 50 mijë konkurrentë në audicion - kush është Nora Tushi, shqiptarja që po mahnit jurinë gjermane
Berisha: Do të dalin audio-incizime të tjera, do të na vijë turp