LAJMI I FUNDIT:

Sektori i sigurimeve dhe ai bankar thonë se janë në favor të arbitrazhit për zgjidhjen e kontesteve

Sektori i sigurimeve dhe ai bankar thonë se janë në favor të arbitrazhit për zgjidhjen e kontesteve

Pandemia e COVID-19 ka imponuar ndryshime në veprimtaritë e të gjithë sektorëve, duke përfshirë këtu edhe atë bankar e të sigurimeve.

Për t’u përballur në mënyrë më efikase dhe të shpejtë me ankesat drejtuar bankave apo kompanive të sigurimit gjatë këtyre rrethanave, arbitrazhi si mundësi alternative për zgjidhjen e kontesteve në këta sektorë u diskutua në forumin e radhës virtual të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë.

Sokol Elmazaj, arbitër dhe kryesues i Këshillit Drejtues në Qendrën e Arbitrazhit të Odës Amerikane, tha se rastet si ato mes shoqërive të sigurimit dhe klientëve lidhur me mosmarrëveshje apo dëmshpërblime dhe çështje të ngjashme, janë të lehta për t’u arbitruar dhe varen nga mbulimi i rastit nga polica e sigurimit brenda kontratës.

Ai shtoi se sa i përket të ardhmes së zgjidhjes së kontesteve në sektorin e sigurimit, arbitrazhi do të jetë një ndihmesë e madhe për gjykatat tanimë të mbingarkuara, si rrjedhojë e avantazheve që ofron si procedurë e zgjidhjes së kontesteve.

Elmazaj gjithashtu tha se një bashkëpunim i Bankës Qendrore me odat ekonomike në Kosovë është më se i nevojshëm për krijimin e një liste të arbitrave të cilët do të mund t’i arbitronin edhe çështjet më specifike në sektorin e sigurimeve.

Tutje, ai theksoi se legjislacioni kosovar nuk e pengon arbitrimin e mosmarrëveshjeve që mund të lindin mes huadhënësit apo huamarrësit, respektivisht bankave.

Venera Agani, kryesuese e Divizionit për Ankesa nga përdoruesit e shërbimeve financiare në Bankën Qendrore të Kosovës shtoi se rregullorja mbi përdorimin e arbitrazhit nga sektori i sigurimeve është në fuqi prej kohësh brenda kësaj banke, e megjithatë numri i kërkesave për këtë proces ka qenë i paktë.

Sipas saj, përdorimi i mundësive alternative është mundësi e mirë, sidomos duke e marrë parasysh faktin se në gjykata lëndët mund të tejzgjaten.

Agani përmendi se klientët e Bankës Qendrore informohen në mënyrë këshillëdhënëse mbi arbitrazhin dhe ndërmjetësim krahas rregullores për sektorin e sigurimeve, gjersa përmendi se në aspektin ligjor bankat nuk janë të mbuluara, e gjithsesi një iniciativë për përfshirjen e tyre do të ishte e mirëseardhur.

Sami Mazreku, kryeshef Ekzekutiv i Shoqatës së Sigurimeve, gjersa përmendi se në kuadër të kësaj shoqate ky sistem i zgjidhjes së kontesteve ka ekzistuar para vitit 2006 me listë të arbitrave ekspertë të aprovuar nga Banka Qendrore, tha se shoqata që ai drejton në bashkëpunim me BQK-në dhe programin e USAID për Drejtësi Komerciale po punojnë mbi promovimin dhe aplikimin e arbitrazhit dhe ndërmjetësimit si procese më efikase dhe të shpejta në marrjen e vendimeve të paanëshme mbi kontestet të cilat i trajtojnë.

Ai gjithashtu theksoi se janë njoftuar të gjitha kompanitë e sigurimeve në Kosovë që të mbajnë një klauzolë e cila specifikon se palët mund të zgjedhin ndërmjetësimin apo arbitrazhin para se të drejtohen në gjykatë, për zgjidhjen e kontesteve.

Petrit Balija, kryeshef ekzekutiv i Shoqatës së Bankave tha se meqenëse çështja e kontesteve ka ekzistuar për një kohë të gjatë, një numër i konsiderueshëm i lëndëve jo të zgjidhura të sektorit bankar, në vlera të mëdha monetare, gjenden të bllokuara në sistemin gjyqësor.

Sipas tij, me mundësitë alternative ato mjete do vendoseshin në funksion të ekonomisë së vendit, e megjithatë deri më tani ky proces nuk është përdorur aq sa duhet.

Balija theksoi se sektori bankar në kontratat e huamarrjes ka të përfshirë klauzolat e arbitrazhit, sidoqoftë ky i fundit në përputhje me ligjin bëhet vetëm me vullnetin e të dyja palëve, andaj vetëdija e biznesit duhet të ngritët përmes odave ekonomike.

Ai shtoi se me mungesën e Gjykatës Komerciale, sistemi gjyqësor është i hendikepuar, dhe duke e marrë parasysh se ka mundësi për raste të shtuara pas pandemisë, arbitrazhi është një proces që duhet konsideruar. /Telegrafi/