LAJMI I FUNDIT:

Organizata Botërore e Doganave ofron mbështetje për Kosovën

Organizata Botërore e Doganave ofron mbështetje për Kosovën

Në selinë e Organizatës Botërore të Doganave (OBD), zëvendëskryeministri Besnik Bislimi u mirëprit në takim nga sekretari i përgjithshëm Kunio Mikuriya.

Në njoftimin e bërë për media, thuhet se Mikuriya e njoftoi zëvendëskryeministrin Bislimi për vizitën e zhvilluar në Kosovë gjatë javës së kaluar duke potencuar se ka pasur një qëndrim të frytshëm në vend.


Tutje ai vlerësoi të gjitha takimet e zhvilluara dhe shtoi se është impresionuar me zhvillimet në Kosovë dhe vullnetin e institucioneve qeveritare të Kosovës për reforma të rëndësishme duke përfshirë ato doganore.

“Gjithashtu u vlerësuan pozitivisht të arriturat në Kosovë duke shtuar se OBD-ja do të ofrojë mbështetjen e vazhdueshme për Kosovën në zhvillimin dhe avancimin e kapaciteteve mbështetëse në kuadër të burimeve njerëzore sipas programeve të OBD-së. Tutje, ai ndau qëllimin e përbashkët për avancimin e bashkëpunimit mes OBD-së dhe Kosovës në lehtësimin e tregtisë dhe qarkullimit të mallrave dhe pasagjerëve, rritjen e bashkëpunimit me të gjithë sektorët relevant dhe njëkohësisht të përkushtuar në parandalimin e tregtisë së paligjshme”, theksohet në komunikatë.

Mikuriya: Dëshirojmë ta shohim ekonominë e Kosovës në një tregti më të gjerë në botë
Lexo po ashtu Mikuriya: Dëshirojmë ta shohim ekonominë e Kosovës në një tregti më të gjerë në botë

Bislimi ka falënderuar për vlerësimin e lartë ndaj të arriturave të Kosovës dhe për mbështetjen e ofruar me qëllim të rritjes së kapaciteteve si dhe forcimit të bashkëpunimit.

“Qeveria e Republikës së Kosovës është dhe do të vijojë të jetë e përkushtuar në qëllimin e saj në zbatimin e reformave sipas standardeve ndërkombëtare. U theksua rëndësia dhe roli kyç që ka Dogana e Kosovës për shtetin dhe se mirëpriten vlerësimet e OBD-së për të arriturat e saj që shërbejnë edhe si model për administratat tjera doganore”, vijon njoftimi.

Në fund, thuhet se palët u pajtuan se bashkëpunimi mes OBD-së dhe Kosovës do të vijojë të thellohet dhe format e bashkëpunimit do të zgjerohen më tutje. /Telegrafi/