LAJMI I FUNDIT:

Sejdiu: Ligji për Siguri dhe Shëndet në vendin e punës nuk respektohet, sektori privat në gjendje jo të mirë

Në emisionin “Përballje ditore” me gazetarin Muhamet Hajrullahu në Telegrafi.com, është diskutuar për riskun në vendin e punës dhe për atë se çfarë nënkuptohet më këtë dhe sa bëhet vlerësimi i riskut. A bëjnë kompanitë dhe institucionet vlerësim të riskut të punës dhe cilat janë shkaqet e aksidenteve në vendin e punës?

Gjithashtu në emision është diskutuar edhe për atë se a bëhet vlerësimi i riskut të punës vetëm për sigurinë në punë apo edhe për shëndetin.


Alush Sejdiu nga Bashkimi i Sindikatave të Pavrara të Kosovës, BSPK në emision ka thënë se ka më shumë se një vit që në Kosovë është miratuar Ligji për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë, por, sipas tij zbatimi i këtij ligji lë shumë për të dëshiruar sidomos në sektorin privat.

Siç u shpreh ai, gjendja në sektorin publik konsiderohet se është më e mirë, por Sejdiu shtoi se ka edhe akte nënligjore dhe nëntëmbëdhjetë rregullore të cilat sqarojnë detyrat dhe obligimet si të punëdhënësit, ashtu edhe punëmarrësit.

Alush Sejdiu – BSPK, në një intervistë për emisionin “Përballje ditore” në Telegrafi.com

“Tash, kemi edhe disa organizata të licencuara të cilat e bëjnë vlerësimin e riskut në vendin e punës, të punëtorëve, mirëpo sa i përket sektorit publik mund të themi se gjendja është më e mirë për arsye se ka vazhduar njëfarë kontinuiteti i të drejtave të punëtorëve, por çalime të mëdhaja dhe shumë të dëshirueshme kemi në sektorin privat. Do të thotë për momentin nuk kemi një implementim të duhur dhe në shkallën e duhur të një Ligjin mbi Sigurinë dhe Shëndetin në Punë edhe gjithashtu edhe në përcaktimin e parametrave të riskut të punëtorëve në vendet e punës”, u shpreh Sejdiu.

Sipas Alush Sejdiut, aksidentet në vendin e punës, të cilat me një theks të veçantë ndodhin në sektorin e ndërtimtarisë, por duke mos i përjashtuar edhe sektorët e tjerë, vijnë si pasojnë e mos-respektimit të ligjit, dhe mospërcaktimit të riskut në vendin e punës.

Ai shtoi se aksidentet ndodhin edhe për shkak se nuk përcaktohet risku nga ana fizike e psikike por edhe sëmundjet profesionale të punëtorëve.

“Nuk kemi vlerësim që ai punëtor është i përgatitur fizikisht e psiqikisht dhe të mos flasim që ndodhë edhe në mos-përdorje e mjeteve mbrojtëse në punë, dhe mos-vendosjen e sinjalizimeve të nevojshme sipas ligjit të punës, të cilat punëtoret duhet t’i kenë në vendet e theksume për tu njoftuar me detyrat dhe rëndësinë e e bartjes së mjeteve të punës dhe të sigurisë gjatë operimit”, tha Sejdiu.

Vlerësimi nga kompanitë e licencuara për vlerësimin e riskut në vendin e punës, sipas Sejdiut është shumë i kufizuar, dhe se këto vlerësime duhet të jenë shumë më të zgjeruara se kaq.

Sejdiu thotë se situata më e mirë qëndron nëpër ndërmarrjet të cilat kanë numër më të madh të punëtorëve, për shkak se ka organizim sindikal dhe punëtoret e ngrisin zërin, por prapë ka shumë probleme në sektorin privat.

“Apeli është që të fokusohet në sektorin privat, në përmirësimin e kushteve për arsye se dihet se sektori privat është regjenerues i buxhetit të Kosovës dhe duhet të motivohet. Si motiv i parë duhet të kenë paga ma të dinjitetshme punëtorët, duhet të kenë kushte për punë dhe vullnet për ta kryer punën e tyre”, tha Sejdiu.

Sejdiu tha se Sindikatat janë lënë jashtë fokusit nga institucionet shtetërore, ndërsa tha se kusht i parë është që të ketë dialog social, në mënyrë që të realizohen e të implementohen ligjet në mënyrë më efikase.

Ky artikull është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e Qendrës për Politika dhe Avokim (QPA) dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian ose BIRN-it dhe AGK-së. /Telegrafi/