Të mërkurën do të zhvillohen dy ndeshjet kthyese gjysmëfinale të Digitalb Kupës së Kosovës në futboll, të cilat pritet të jenë mjaft interesante në përpjekjet e katër skuadrave për kualifikim në finale.

Përballje shumë interesante do të zhvillohet në stadiumin “Riza Lushta” në Mitrovicë, ku Trepça ’89 do ta presë Besën. Kjo e fundit e ka fituar takimin e parë me rezultat 3:2, por mitrovicasit janë optimistë se do ta përmbysin këtë disavantazh dhe do ta presin një biletë për finale. Kjo pasi 89-shi ka dështuar shumë herët në luftën për titull të kampionit, andaj qysh moti objektiv i vetëm i ka mbetur Kupa, për të mos shkuar duarthatë në pushim veror.


Ata janë të vetëdijshëm se nuk do ta kenë të lehtë ta eliminojnë Besën, e cila njëkohësisht është duke luftuar edhe për titull të kampionit, por optimizmi nuk u mungon.

“Konsideroj se jemi të gatshëm për ndeshjen e së mërkurës. Gjithçka do të shihet në fushë, ekipi që do të jetë më i mirë do të shkojë në finale. Besa ka përparësi nga ndeshja e parë, por të shohim se si do të shkojnë gjërat në takimin kthyes. Për mua nuk ka rëndësi se a shënoj gol unë apo dikush tjetër, unë e dua veç finalen”, deklaroi sulmuesi i rrezikshëm i 89-shit, Berat Hyseni.

Por, Besa nuk e ka ndërmend të dorëzohet nga kjo garë, pasi synon ta fitojë të paktën Kupën, në rast se e humb luftën për titull nga Feronikeli. “Jemi duke kaluar nëpër një formë shumë të mirë dhe mëkat që Kampionati po kryhet në vikend. Besoj se me 89-shin do të kalojmë mirë dhe mundi dhe sakrifica jonë të shpërblehet të paktën me një trofe”, u shpreh qendërmbrojtësi i pejanëve, Fisnik Papuqi.

Ndeshje tjetër shumë interesante do të jetë ajo ndërmjet Drenicës dhe Feronikelit. Ky i fundit nuk ka mundur të nxjerrë më shumë sesa një barazim pa gola në takimin e parë si vendas, andaj ishte i shqetësuar me atë rezultat, të cilin e festoi ekipi kuqezi. Kjo pasi Drenica është optimiste e madhe se të mërkurën do ta shfrytëzojë përparësinë e terrenit dhe të kualifikohet në finale, duke e eliminuar “Niklin”, të cilit tashmë i është rrezikuar edhe vendi i parë në garën kampionale.

Digitalb Kupa e Kosovës

Gjysmëfinalet

E mërkurë

Trepça ’89 – Besa

Drenica – Feronikeli

Të dyja ndeshjet fillojnë në orën 16:00

telegrafi sport app