LAJMI I FUNDIT:

Save the Children shpërndanë materiale didaktike dhe higjienike për fëmijët 0-6 nga viset rurale të Kosovës

Save the Children shpërndanë materiale didaktike dhe higjienike për fëmijët 0-6 nga viset rurale të Kosovës

Organizata Save the Children në Kosovë do të shpërndajë 323 pako me material didaktik, libra, lodra, broshura informative lidhur me COVID-19 dhe pajisje higjienike në dhjetë fshatra të Kosovës.

Këto pako do të shpërndahen për fëmijët e grup moshës 0-6 vjeç të cilët ndjekin edukimin parashkollor në Qendrat me bazë në komunitet të Kujdesit, Zhvillimit dhe Edukimit në Fëmijëri të Hershme, të themeluara nga Save the Children.


“Si pasojë e shpërthimit të pandemisë globale të coronavirus (COVID-19), të gjitha shkollat dhe institucionet e Kujdesit, Zhvillimit dhe Edukimit në Fëmijëri të Hershme (KZhFH) janë mbyllur përkohësisht. Kjo ka shkaktuar që fëmijët e moshave 0-6 vjeç të mos kenë qasje në edukim parashkollor dhe parafillor. Duke parë këtë situatë, Save the Children në Kosovë, javën që shkoi ishte partner kyç për të mundësuar zhvillimin e platformës së edukimit në distancë edukimiihershem-rks.net”, thuhet në komunikatë.

Këto pako me materiale didaktike, libra, lodra dhe pajisje higjienike me mesazhe vetëdijësuese për mbrojtje nga COVID-19 do të shërbejnë si mbështetje shtesë që të gjithë vajzat dhe djemtë në këto fshatra të mund të zhvillojnë aktivitetet dhe lojëra edukative në kushte shtëpie.

“Shpërndarja e këtyre pakove do të bëhet në bashkëpunim të ngushtë me drejtoritë komunale të arsimit, shkollat, dhe  koordinatorët gjeografik të Save the Children, duke respektuar protokollet e sigurisë dhe procedurat standarde të operimit në emergjenca”, njofton Save the Children. /Telegrafi/