LAJMI I FUNDIT:

Samiti i NATO-s, momentet e përplasjes ndërmjet Trump dhe Macron në Londër

Samiti i NATO-s, momentet e përplasjes ndërmjet Trump dhe Macron në Londër

Presidenti amerikan Donald Trump dhe udhëheqësi francez Emmanuel Macron kanë parashtruar pikëpamje të kundërta përpara një samiti të NATO-s.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, në një konferencë shtypi të tensionuar, të dy politikanët diskutuan mbi rolin e NATO-s, Turqinë dhe luftëtarët e grupit të Shtetit Islamik (IS).


Trump kishte përshkruar komentet e Macron për NATO-n si “të këqija”, por Macron tha se ai qëndronte pranë fjalëve të tij.

Udhëheqësit botërorë janë në Londër për të shënuar 70 vjetorin e aleancës ushtarake perëndimore.

Samiti tashmë është shënuar nga marrëdhënie të tensionuara midis Turqisë dhe vendeve të tjera anëtare.

Presidenti Rexhep Tajip Erdogan ka thënë se ai do të kundërshtojë planin e NATO-s për mbrojtjen e rajonit të Baltikut nëse nuk e mbështet Turqinë për luftën e saj kundër grupeve kurde që i konsideron terroristë.

Të martën mbrëma, Macron dhe Erdogan u takuan në Downing Street në një takim ku gjithashtu përfshihej kancelarja gjermane Angela Merkel dhe nikoqiri, kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Boris Johnson.

Dhe siç shkruan BBC, përcjell Telegrafi, marrëdhëniet midis Trump dhe Macron tashmë ishin të tensionuara në mes të një mosmarrëveshje tregtare, dhe pasi presidenti francez e përshkroi NATO-n si “një tru i vdekur” muajin e kaluar, sepse, siç tha ai, angazhimi i SHBA-së për aleancën po venitej.

Kështu Trump të martën ka thënë se udhëheqësi francez kishte qenë “shumë mosrespektues”, duke shtuar se Franca kishte “një shkallë shumë të lartë papunësie” dhe “askush nuk ka nevojë për NATO më shumë se Franca”.

Po sipas këtij mediumi, në një konferencë të përbashkët shtypi me Macron më vonë, Trump ishte më pak “luftues”, duke theksuar se të dy vendet “kishin bërë shumë gjëra të mira së bashku”.

Macron, ndërkohë, tha që qëndronte pranë komenteve të tij.

Gjithsesi, të dy palët më pas u përplasën mbi luftëtarët e huaj të ISIS-it që u kapën në Siri.

Trump me shaka “ia ofroi ata Francës”, duke thënë: “A do të dëshironit disa luftëtarë të mirë [IS]? Ju mund të merrni të gjithë ata që dëshironi”.

Duke tingëlluar i ashpër, Macron tha “Le të jemi seriozë” dhe se luftëtarët e ISIS-it nga Evropa ishin “një pakicë e vogël”, dhe se “përparësia numër një” ishte shpëtimi nga grupi terrorist.

Trump atëherë u përgjigj: “Kjo është arsyeja pse ai është një politikan i shkëlqyeshëm sepse kjo ishte një nga jo-përgjigjet më të mëdha që kam dëgjuar ndonjëherë, dhe kjo është në rregull”.

Gjatë paraqitjes, Trump kritikoi gjithashtu vendet e NATO-s që paguanin më pak sesa udhëzimet e NATO-s të paktën 2% të BPV-së për Aleancën. /Telegrafi/