LAJMI I FUNDIT:

Sahatqija: SHBA e përkrahë formimin e Ushtrisë së Kosovës

Sahatqija: SHBA e përkrahë formimin e Ushtrisë së Kosovës

Të jesh Mision i Republikës së Kosovës në New York, si shtet jo anëtar i Kombeve të Bashkuara, e bënë misionin mjaftë të vështirë, por kjo aspak nuk na ndalë për të kryer punën në shërbim të atdheut, thotë në një intervistë për Telegrafin, ambasadorja Teuta Sahatqija, shefe e Misionit të Kosovës në New York.

Ajo në këtë intervistë, theksoi se Serbia, si anëtare e Kombeve të Bashkuara është shumë agresive dhe nuk zgjedhë mjete të minojë sovranitetin e Kosovës në mesin e anëtarëve të KB-së.


Por, sipas saj, Kosova ka miq të fuqishëm si ambasadorja Nikki Haley nga Misioni i SHBA-së, që fuqishëm lobon për njohjen e Kosovës nga shtete e ndryshme, dhe për anëtarësim në organizata.

Duke folur për mbështetjen e ShBA-ve, për formimin e Ushtrisë së Republikës së Kosovës, Ambasadorja Sahatqija, theksoi se gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të KB-së, në shtator, kryeministri Haradinaj mori përkrahjen e fuqishme nga Departamenti i Shtetit Amerikan, për formimin e Ushtrisë së Kosovës.

“Ne kemi edhe një Konsullatë në Iowa, e cila në veçanti merret me bashkëpunimin e armatës amerikane dhe asaj të Republikës së Kosovës. Kjo, tregon përkrahjen dhe angazhimin e veçantë që SHBA, ia kushton fuqizimit të FSK-së dhe shndërrimit në saj në Ushtri”, thonë mes tjerash në intervistë znj. Sahatqija.

Telegrafi: Znj. Sahatqija, cili është roli i misionit diplomatik të Republikës së Kosovës në New Jork?

Teuta Sahatqija: Roli i Misionit të RKS në New York është shumë dimensional. Ne  jemi të akredituar në SHBA si Konsullatë e Përgjithshme, por misioni ynë shërben njëkohësisht si Misioni i Kosovës pranë Kombeve të Bashkuara. Kah aspekti konsullor, ne e mbulojmë gjithë kontinentin amerikan, prej Kanadasë, SHBA, dhe gjithë Amerikën jugore.

Ndërsa, sa i përket Kombeve të Bashkuara, unë bashkë me diplomatët tanë i mbulojmë punimet e KB, Asamblenë e Përgjithshme, Këshillin e Sigurimit,  Këshillin Ekonomik Social, Këshillin për të drejtat e njeriut etj. Unë rregullisht i takojë Ambasadorët pranë KB-së, dhe diplomatet tanë e bëjnë të njëjtën me diplomatët e niveleve të ndryshme, pranë misioneve të huaja.

Telegrafi: Kosova nuk është ende anëtare e OKB-së. Në këto kushte, sa po arrini si mision diplomatik i Kosovës ta promovoni shtetin e Kosovës në një organizatë që nuk e njeh Kosovën?

Teuta Sahatqija:  Ndonëse ende nuk jemi shtet anëtar i KB, Misioni ynë punon intensivisht në komunikim me shtete anëtare, në organizim të aktiviteteve diplomatike, kulturore, ekonomike e shume të tjera përmes të cilave promovojmë shtetin tonë të ri në SHBA por edhe para shteteve tjera. Shumë shtete që nuk e njohin Kosovën refuzojnë takimet me mua dhe diplomatet tanë.

Por, Ambasadorët e shteteve mike ndihmojnë shumë në këtë aspekt. Ata organizojnë takimet e përbashkëta ku më ftojnë mua bashkë me Ambasadorët e shteteve jo njohëse, për të më dhënë mundësinë e bashkëbisedimit me ata. Në këto raste, shfrytëzoj kohën për t’i njoftuar me të arriturat e Kosovës, për të kërkuar njohjen apo votimin pro Kosovës në raste të ndryshme etj.

Të qenit Mision i RKS në New York si shtet jo anëtar i KB-së, e bënë misionin tonë mjaftë të vështirë, por kjo aspak nuk na ndalë për të kryer punën tonë  në shërbim të atdheut.

Telegrafi: Cili është vlerësimi juaj nga pozita që keni rreth situatës së përgjithshme në Kosovë?

Teuta Sahatqija:  Si diplomate nuk mund të komentoj zhvillimet politike brenda Kosovës, por është e qartë se çdo zhvillim komentohet në KB, për të mirë nga miqtë e Kosovës, apo shfrytëzohet nga jo-miqtë e Kosovës për anti propagandë.  Ne si Mision me gjithë energjinë tonë, mundohemi të bëjmë të njohura sukseset e Kosovës në çdo fushë, por edhe t’i demantojmë të pavërtetat dhe anti propagandën nga Serbia dhe miqtë e saj.

Telegrafi: ShBA-ja president ka  Donald Trumpin. A keni vërejtur ndonjë ndryshim të qasjes së  tij ndaj Kosovës?

Teuta Sahatqija:  Qasja e SHBA ndaj Kosovës është miqësore, bipartizane, e pavarur nga partia në pushtet, pra  nuk ka ndryshime . E kujtojmë se bombardimi i Serbisë, ka ndodhe në kohën e Presidentit Klinton dhe Demokratëve, ndërsa Pavarësia në kohën e George Bush dhe Republikanëve.

Telegrafi: Kosova gjithë ka pasur marrëdhënie të mira me ShBA-në, por, sipas jush sa e rrezikon Kosovën fuqizimi i Rusisë në skenën botërore?

 Teuta Sahatqija: Fuqizimi i Rusisë në skenën botërore ka krijuar një situatë më pak të favorshme për Kosovën. Kjo lehtë vërehet në Këshillin e Sigurimit gjatë diskutimeve të ashpra kundër Kosovës gjatë seancave për Raportin e UNMIK-ut, apo kërcënimin implicit të Rusisë me veto, në rast të aplikimit të Kosovës për anëtarësim në këtë organizatë.

Rusia me ngulm ka kundërshtuar edhe zgjatjen e periudhës raportuese për Kosovën nga 3 në 6 muaj.

Telegrafi: Cili është qëndrimi i ShBA-së për situatën aktuale politike në Kosovë.  Vendi ynë në këtë periudhë para vetes, ka shumë punë për të bërë, sidomos në procesin i dialogut që po zhvillohet në Bruksel, formimi i Asociacionit te Komunave serbe, tani edhe vënia e taksës 100%, ndaj produkteve të Serbisë. Në të gjitha këto tema ka pasur një përkrahje prej Ambasadës së ShBA-së në Kosovë, që të shtyhen këto përpara. A përmenden këto tema nga anëtaret e OKB-së dhe në ç’mënyrë?

Teuta Sahatqija: Të gjitha këto tema përmenden në raportimin e rregullt të Këshillit të Sigurimit kur bëhet fjalë për Kosovën. Serbia, si anëtare e KB-së, është shumë agresive dhe nuk zgjedhë mjete të minojë sovranitetin e Kosovës në mesin e anëtarëve të KB-së. Por, në anën tjetër, ne kemi miq të fuqishëm si Ambasadorja Nikki Haley nga Misioni i SHBA-së, që fuqishëm lobon për njohjen e Kosovës nga shtete e ndryshme, dhe për anëtarësim në organizata.

Përveç asaj, edhe Ambasadorja Karen Pierce nga Britania, Ambasadori Gjerman  dhe shume shtete tjera, janë krah i fuqishëm i Kosovës brenda KB-së.

Telegrafi:  Cili është roli i Misionit Diplomatik të Republikës së Kosovës në New York, në lobimin për njohje të reja dhe anëtarësimin e Kosovës në organizata të ndryshme ndërkombëtare, veçanërisht në Interpol, ku edhe një herë Kosova para disa ditësh ka dështuar të fitoj votat e mjaftueshëm për të qenë anëtare e kësaj organizate, mandej në UNECO, dhe organizata tjera?

Teuta Sahatqija:  Të gjithë diplomatët e Misionit në New York, janë të angazhuar përmes dërgimit të Non-Paper, dokumentacionet e ndryshme, takimet bilaterale dhe shume aktivitete tjera për lobim. Për Interpol, në organizuam një  event lobues ku i ftuam Ambasadorët e misioneve të ndryshme, dhe në të cilin event  ambasadorja Nikki Haley mbajti fjalimin duke kërkuar votim pro Kosovës, dhe angazhim në bindjen e shteteve tjera për të votuar për Kosovën.

Fatkeqësisht, Kosova nuk arrit kësaj here të pranohet në Interpol. Na mbetet të vazhdojmë punën edhe më fuqishëm për këtë, dhe për UNESCO, e cila do të jetë përsëri në agjendë në 2019.

Telegrafi: Znj. Sahatqija shpesh herë  është  diskutuar për formimin e Forcave të  Armatosura të Kosovës. Tashmë, deputetët e  Kuvendit të  Kosovës kanë në tavolinë tri projektligje për formimin e kësaj Force.  A e ka Kosova mbështetjen e ShBA-së për formimin e Forcave të Armatosura?

Teuta Sahatqija: Gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të KB-së, në shtator, kryeministri Haradinaj mori përkrahjen e fuqishme nga Departamenti i Shtetit Amerikan, për formimin e Ushtrisë së Kosovës.

Ne kemi edhe një Konsullatë në Iowa, e cila në veçanti merret me bashkëpunimin e armatës amerikane dhe asaj të Republikës së Kosovës. Kjo, tregon përkrahjen dhe angazhimin e veçantë që SHBA, ia kushton fuqizimit të FSK-së dhe shndërrimit në saj në Ushtri.

Telegrafi: Komisioneri për Zgjerim Johanes Hann, i ka njoftuar krerët e institucioneve të Kosovës, se qytetarët e saj nuk do ta gëzojnë lëvizjen e lirë deri në vitin 2020. Sipas jush, a po përdor BE-ja standarde të dyfishta për Kosovën, pasi që Kosova në këtë rast i ka plotësuar të gjitha kushtet që dalin nga udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave?

Teuta Sahatqija:  Është vërtetë për të ardhur keq, që Kosova nuk e gëzon të drejtën e lëvizjes së lirë, përkundër plotësimit të çdo kriteri të kërkuar nga ana e BE-së.

Në anën tjetër, shume shtete nga bota përfshirë shtete e Karaibeve, të Amerikës Latine etj e gëzojnë udhëtimin pa viza në BE. Është mesazh i keq.

Telegrafi: Çfarë roli po luani si Mision Diplomatik në sjelljen e investitorëve të huaj në Kosovë?

Teuta Sahatqija: Diplomacia ekonomike është pjesë e rëndësishme e punës së Misionit të RKS në New York. Tashmë po e organizojmë edicionin e 3-të të Wine-Tasting për korin diplomatik, bizneset dhe diasporën. Me këtë rast, sjellim verat, djathë, ujë, çokollata e prodhime tjera të prodhuesve kosovar në New York, duke hapur mundësi për importin e këtyre produkteve në SHBA, por edhe në vende tjera.

Kemi pritur shume delegacione të bizneseve që kanë ardhur në New York. I kemi lidhur me organizata, biznese, oda ekonomike në mënyrë që të vendosin bashkëpunim ekonomik.

Tash jemi në përgatitje të dy eventeve për sjelljen e investitorëve potencial amerikan në Kosovë në mars, por edhe të sjelljes së bizneseve kosovare në New York në maj të 2019.

Këto aktivitete ekonomike i kemi të dakorduara me Departamentin e Diplomacisë ekonomike në MPJ, me Agjencionin e Investimeve KIESA, me Oden Ekonomike Amerikane, Ministrinë e Tregtisë e Industrisë, me ICK, STIKK  etj.

Telegrafi: Republika e Kosovës ka një  diasporë të suksesshme në botë, sidomos në SHBA. Në takimet e juaja që keni pasur sidomos me komunitetin e biznesit, keni vërejtur ndonjë interesim të tyre për të investuar në Kosovë?

Teuta Sahatqija: Komunikimi me bizneset është pjesë e pandashme e punës tonë. Diaspora në SHBA, ka një fuqi ekonomike dhe interesim shumë të madh për investim në Kosovë.

Në shumë raste, i kemi mbledhur në zyrat tona për t’i takuar me bizneset e Kosovës, i kemi vizituar bizneset shqiptare ne NY, kryesisht duke i njoftuar me mundësitë e investimeve. Kemi shpërndarë broshura e informata dhe i kemi lidhur me institucione tona në Kosovë.

Telegrafi: Cilat janë shqetësimet që ata kanë për të investuar në Kosovë?

Teuta Sahatqija:  Bizneset kanë nevojë për qasjen më sistematike dhe afatgjate, për staf të kualifikuar, mundësi të partneritetit, njoftim me legjislacion etj.

Telegrafi: A kanë  dështuar institucionet e Kosovës për t’i bindur këto biznese, për të investuar në Kosovë?

Teuta Sahatqija: Nuk mund të them se institucionet kanë dështuar. Përkundrazi, institucionet kanë treguar interesim të afrimit të investimeve, sidomos nga diaspora dhe sigurimi i kushteve nevojshme përmes legjislacionit favorizues, dhe iniciativave tjera. Duhet pasur parasysh, se shumë biznese nga SHBA, tashmë kanë partneritete shumë të suksesshme me biznese kosovare, dhe punësojnë sidomos të rinj në biznese inovative.

Telegrafi: Cilat janë  brengat, shqetësimet  e komunitetit shqiptarë  në  SHBA për Kosovën, për përgjithësi, sidomos me situatën politike në vend?

Teuta Sahatqija:  Komuniteti shqiptar ka kontribuar historikisht për Kosovën  financiarisht duke mbajtur arsimin, shëndetësinë, familjet në kohën e aparteidit, ku kanë mbledhur dhe dërguar armatim e pajisje për luftë, kanë marrë pjesë aktivisht në luftë etj.

Rasti i tre vëllezërve Bytyqi, dëshmorëve të dekoruar me Medalje Presidenciale dhe Batalioni Atlantiku, janë shembuj konkret. Diaspora ka kontribuar përmes lobimeve te arritja e Pavarësisë së Kosovës. Prandaj, kanë interesim që institucionet e Kosovës të përparojnë dita ditës në çdo aspekt.

Telegrafi: Znj. Sahatqija, në  ShBA kemi shumë shqiptarë të suksesshëm në  shumë  fusha, si në shkencë, shëndetësi, ekonomi, kulturë  e art, etj. Në  takimet e juaja me këtë komunitet, a keni vërejtur gatishmëri apo interesim të tyre, se ata janë të gatshëm që të kthehen dhe të kontribuojnë në Kosovë?

Teuta Sahatqija:  Po ka mjaftë interesim që të kontribuojnë në Kosovë në forma të ndryshme, në bashkëpunim të bizneseve, shkëmbime të profesorëve e studentëve, në art e kulturë. Në fakt, edhe janë duke dhënë kontribut të madh në këndelljen ekonomike, arsimore, kulturore të Kosovës. Ky është një fakt i njohur.

 

Telegrafi: Sfidë për komunitetin shqiptarë jo vetëm në SHBA, por edhe në shtetet tjera të botës ku jetojnë shqiptarët është rreziku nga asimilimi. Çfarë ju keni ofruar ju, si institucion diplomatik i Republikës së Kosovës, komunitetit tonë shqiptarë në ShBA, për mësimin plotësues shqip, dhe në përmbushjes e kërkesave  për furnizim më tekste shkollore, duke filluar nga Abetarja dhe të teksteve tjera?

Teuta Sahatqija: Diaspora sidomos në New York është mjaftë e organizuar. Kanë shkollat shqipe mjaftë aktive. Asamblisti i New Yorkut, z. Mark Gjonaj, ka arritur ta fusë gjuhën shqipe si gjuhe dytësore nëpër shkollat publike të New Yorkut, krahas spanjisht. Organizojnë shumë aktivitete kulturore për ruajtjen dhe promovimin e identitetit kombëtar.

Ne si Mision i Kosovës, kemi bashkëpunim të shpeshtë me shkollat shqipe. I vizitojmë, rregullisht ju shpërndajmë libra, Abetare. Javën që shkoi e vizituam Shkollën Shqipe “Kongresi i Manastirit” në Chicago, ku ju dërguam një numër të Abetareve dhe Librave. Pat interesim për lektura shkollore dhe Aplikacione digjitale për mësimin e gjuhës dhe kulturës shqipe. Ketë kërkesë, e kemi përcjellë tek Ministria e Diasporës, deputeteve dhe Zyrës së Kryeministrit, të cilët ishin në Dëgjimin Publik për Ligjin e Diasporës, dëgjim ky, që ne e organizuam në zyrat tona në New York.

Përveç, kësaj Misioni ynë shpesh organizon aktivitete kulturore. Kemi organizuar Mini Doku Festin në New York, koncerte të muzikës shqipe, ekspozita të fotografive, paraqitje të filmave kosovar, konferenca të ndryshme etj.

Telegrafi: Cilat janë aktivitetet e tjera me të cilat merret misioni i RKS në Nju Jork?

Teuta Sahatqija:  Momentalisht jemi duke përgatitur aktivitetin e fundvitit për promovimin e verave dhe prodhimeve kosovare ne tregun e New Yorkut. Pastaj, kemi eventin e falënderimit për organizata dhe individ të ndryshëm nga Diaspora për përkrahjen e tyre të vazhdueshme.

Ndërsa, me partnerët nga Kosova jemi në përgatitje të vizitës së bizneseve amerikane në Kosovë, dhe pjesëmarrjes se bizneseve kosovare, në Smart Cities New York në maj të vitit të ardhshëm. Fundi i vitit është edhe kohë e raportimeve të shumta diplomatike, financiare, inventarizimit etj.

 

Telegrafi: Znj. Sahatqija, sa është e vështirë si femër të arrini suksesin në punën tuaj, sidomos në një shtet kaq të rëndësishëm dhe ku merren vendimet më të mëdha?

Teuta Sahatqija: Unë kam një përvojë shumë vjeçare në udhëheqje në institucione në biznes, në diplomacinë parlamentare, gjë e cila më ka ndihmuar në udhëheqjen sa më të mirë te Misionit në New York.

Por, kam pasur edhe fatin që këtu t’i gjej diplomatët dhe diplomatet e zonja, bashkëpunues, plot iniciativa, me të cilët punojmë pareshtur, që Kosovën ta paraqesim në dritën sa më të mirë, dhe të angazhohemi në fuqizimin e shtetit tonë të ri në arenën ndërkombëtare.

Intervistoi: Lumturije BEKAJ

Në trend Lajme

Më shumë
Qeveria vendosi: 24 prilli dhe 8 maji ditë jo pune për të gjithë qytetarët

Qeveria vendosi: 24 prilli dhe 8 maji ditë jo pune për të gjithë qytetarët

Lajme
Arrestohet një i dyshuar lidhur me rastin e ukrainases që u gjet e vdekur në autostradën Ferizaj-Prishtinë

Arrestohet një i dyshuar lidhur me rastin e ukrainases që u gjet e vdekur në autostradën Ferizaj-Prishtinë

Drejtësi
Komandanti suprem i NATO-s, Cavoli: Po i shtojmë forcat në Kosovë dhe Bosnje, po sjellim artileri të rëndë

Komandanti suprem i NATO-s, Cavoli: Po i shtojmë forcat në Kosovë dhe Bosnje, po sjellim artileri të rëndë

Lajme
Pronari i “Zhitia Turist” tregon se çfarë u është thënë udhëtarëve të ndaluar nga Serbia në kufi

Pronari i “Zhitia Turist” tregon se çfarë u është thënë udhëtarëve të ndaluar nga Serbia në kufi

Lajme
Përfaqësuesi i Shqipërisë në KiE: Kosova ka plan të jashtëzakonshëm për të siguruar anëtarësimin në  Këshillin e Evropës

Përfaqësuesi i Shqipërisë në KiE: Kosova ka plan të jashtëzakonshëm për të siguruar anëtarësimin në Këshillin e Evropës

Lajme
Knaus: Kosova ta dërgojë draftin e Asociacionit në Kushtetuese para votimit në maj - nëse veprohet sikur javët e fundit do të ketë sukses

Knaus: Kosova ta dërgojë draftin e Asociacionit në Kushtetuese para votimit në maj - nëse veprohet sikur javët e fundit do të ketë sukses

Lajme
Kalo në kategori