Rusia lëshoi më shumë se 700 dronë dhe raketa në Ukrainë në valë të shumta gjatë natës, duke vrarë të paktën 18 persona në atë që zyrtarët lokalë e quajtën sulmin më vdekjeprurës në disa muaj.

Zyrtarët thanë se nëntë persona ishin vrarë në qytetin portual jugor të Odesas, pesë në qytetin qendror të Dnipros dhe katër - përfshirë një fëmijë - në kryeqytetin Kiev.


Në Rusi, dy persona - përfshirë një fëmijë - u vranë në një sulm me dron ukrainas në rajonin jugor të Krasnodarit, tha Moska.

Kjo vjen pas një armëpushimi të shkurtër që u zhvillua gjatë Pashkëve Ortodokse fundjavën e kaluar - megjithëse të dyja palët akuzuan njëra-tjetrën për qindra shkelje.

Rusia nisi një pushtim në shkallë të plotë të Ukrainës në shkurt 2022.

Siç theksohet më tej, në Kiev, sirenat paralajmëruese i zgjuan njerëzit në orën 02:30 sipas orës lokale të enjten, të ndjekura menjëherë pas shpërthimeve të para.

Kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitschko, shkroi në Telegram se një djalë 12-vjeçar ishte midis katër personave të vrarë. 45 persona të tjerë u plagosën.

Kryebashkiaku shtoi se ekipet e shpëtimit kishin nxjerrë një nënë dhe një fëmijë nga rrënojat e një ndërtese banimi 16-katëshe që u shemb në lagjen qendrore të Podil.

Katër punonjës të urgjencës mjekësore ishin midis të plagosurve në veri të kryeqytetit.

Në Dnipro, kreu rajonal Oleksandr Ganzha tha se katër persona u vranë dhe dhjetëra të tjerë ishin plagosur në sulmin rus - përpara se kryetari i bashkisë së qytetit Borys Filatov të thoshte të enjten se ishte gjetur një trup tjetër.

Ndërkohë në qytetin verilindor të Kharkiv, një sulm me dron plagosi një grua 77-vjeçare dhe një burrë 66-vjeçar, tha një zyrtar.

Dhe dy qytete në jug, Mykolaiv dhe Kherson, kanë mbetur pa energji elektrike, sipas zyrtarëve lokalë. /Telegrafi/