LAJMI I FUNDIT:

Rusia ndalon komedinë për Stalinin

Rusia ndalon komedinë për Stalinin

Jo, nuk ka censurë në Rusi! Thotë ministri rus Kulturës Vladimir Medinski. Jo, Moska nuk i druhet përballjes kritike me historinë e vet! Thotë ministri Medinski. E, megjithatë, ai ndalon pak ditë para premierës në kinematë ruse komedinë britanike për “Vdekjen e Stalinit”. Me pretekstin, se ky film është kundër ligjit. Se kundër cilit ligj, këtë ai nuk e di. Kushtetuta nuk mund të jetë. Sepse ajo nuk e lejon censurën.

Ministri i Kulturës nxjerr në pah, se kemi të bëjmë më shumë me ligje morale. Ai dhe disa deputetë të Dumës me sa duket nuk e gjejnë me vend, që pikërisht në prag të 75 vjetorit të betejës së Stalingradit rusëve t’u ofrohet një pamflet, që përqesh fituesin e Luftës së Dytë Botërore: Josef Stalin.

Njëri prej këtyre deputetëve është komunistja Elena Drapeko. Ky film rrezikon harmoninë, që ka arritur shoqëria ruse. Më bukur këtë e pati formuluar Stalini, kur pat deklaruar: “Jetohet më mirë, jetohet më gëzueshëm.”

Por le ta sqarojmë një herë: se çfarë mund t’u ofrohet dhe çfarë nuk mund t’u ofrohet qytetarëve rusë – për këtë vendos qeveria. E ajo ka vendosur, që rusëve t’u ofrohet më pak se sa qytetarëve të Gjeorgjisë, Polonisë, Gjermanisë apo të SHBA-së. Shtrohet pyetja: përse? Sepse Kremlini nuk ka besim tek rusët, që mund të krijojnë një gjykim të vetin? Kjo është marrëzi.

Qytetari rus është po aq i vetëdijshëm sa edhe ai në perëndim. Gazetarët rusë, që e kanë para paraprakisht komendinë për Stalinin, qeshin me batutat po ashtu si edhe kolegët e tyre në Britaninë e Madhe apo diku tjetër.

Mbrojtja e diktatorit më brutal sovjetik nuk mund të jetë detyrë e shtetit rus. Një kasap, që është përgjegjës për vrasjen e aq shumë miliona rusëve, edhe presidenti Putin e ka quajtur një “figurë komplekse”. Ndoshta shefit të Kremlinit nuk i vjen për mbarë një diskutim për rolin e Stalinit në histori tani pak javë para zgjedhjeve presidenciale? Ai dëshiron që sa më shumë të jetë e mundur të dalin në votime. Askush nuk duhet të qëndrojë në shtëpi për shkak të komedisë. /Gazeta Shqip/