Rusia dhe Ukraina kanë shkëmbyer qindra robër lufte në lirimin e vetëm më të madh të robërve që nga fillimi i agresionit rus në shkurt të vitit 2022.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, autoritetet ukrainase thanë se 230 të burgosur ukrainas të luftës u kthyen në shtëpi në shkëmbimin e parë të dy vendeve në pothuajse pesë muaj.


E Ministria e Mbrojtjes e Rusisë theksoi se 248 ushtarakë rusë janë liruar sipas marrëveshjes, e cila u ndërmjetësua nga Emiratet e Bashkuara Arabe.

Siç bëhet e ditur, disa nga ukrainasit ishin mbajtur që nga viti 2022.

Midis tyre ishin disa nga ata që luftuan në beteja historike për ishullin e gjarpërinjve të Ukrainës dhe qytetin ukrainas të Mariupol.

Ombudspersoni i të Drejtave të Njeriut të Ukrainës, Dmytro Lubinets, tha se ky ishte shkëmbimi i 49-të i të burgosurve të luftës deri më tani.

Lajmi për shkëmbimin erdhi edhe pasi Rusia tha se rrëzoi 12 raketa të gjuajtura në një nga rajonet e saj jugore në kufi me Ukrainën. /Telegrafi/