LAJMI I FUNDIT:

“Rusët” – hiti i Stingut i vitit 1985, një kujtesë e kohërave më shpresëdhënëse

“Rusët” – hiti i Stingut i vitit 1985, një kujtesë e kohërave më shpresëdhënëse
RUSËT
Lexo po ashtu RUSËT

Nga: Paul Gould / The Financial Times
Përkthimi: Telegrafi.com

Teksa vazhdon lufta e Vladimir Putinit kundër Ukrainës, vdekja e Mihail Gorbaçovit javën e kaluar na kujton një kohë më shpresëdhënëse në marrëdhëniet me Moskën. Në pjesën e dytë të viteve 1980, kur Gorbaçovi ishte udhëheqësi i Bashkimit Sovjetik, Lufta e Ftohtë po shkrihej dhe po nënshkruheshin traktatet që reduktonin armët bërthamore. Në këtë klimë Stingu e publikoi këngën hit të vitit 1985, “Russians” (Rusët).

Nëse analizohet nga viti 2022, vargjet hapëse të Stingut duket se kanë fituar një rezonancë rrëqethëse. “Në Evropë dhe Amerikë” këndon ai, “po shtohet emocioni i histerisë”. Deri më 24 shkurt, kur grumbullimi i trupave të Putinit u shndërrua nga kërcënimin për pushtim të plotë, kjo linjë “histerie” pothuajse mund të kishte ardhur nga makineria propagandistike e Kremlinit. Perëndimi, këmbëngulte Moska atë kohë, po hyn në histerizëm; nuk ka plane për pushtim. Gjashtë muaj më vonë, me luftën që nuk tregon asnjë shenjë zbutjeje, ato mohime tingëllojnë më të zbrazëta se kurrë.

Megjithatë, kënga e Stingut nga albumi i tij debutues solo “The Dream of the Blue Turtles” (që sinjalizoi një largim nga stili që kishte me grupin The Police, drejt një tingulli më xhaz) nuk ishte asgjë më pak sesa një lutje për të shmangur luftën; mbi të gjitha, holokaustin bërthamor. Ose siç thotë këngëtari: “Vogëlushin tim si mund ta shpëtoj / Prej lodrës vrastare të shkencëtarit Openhajmer?”

“Russians” mund të mos jetë kënga më e mirë që Sting ose The Police kanë bërë. I mungon vrulli i këngës “Roxanne” të vitit 1979 dhe qasja e sofistikuar te “Synchronicity I” e vitit 1983. Skema e rimës është nganjëherë e ngathët (“E ndajmë bashkërisht të njëjtën biologji / Pavarësisht prej ideologjisë”) dhe vargjet kanë një përzierje me historinë, duke çiftuar mburrjen e liderit sovjetik Nikita Hrushovi me “Ne do të të varrosim” (nga viti 1956), me premtimin “Ne do të të mbrojmë” të Ronald Reaganit i cili ishte në Shtëpinë e Bardhë kur u publikua kënga.

Pavarësisht kësaj, ndjeshmëria dhe synimet e këngës janë për lëvdatë. Dhe, pas publikimit të tij, ishte mjaft energjike për të qëndruar në top-listën e Mbretërisë së Bashkuar, deri në vitin 1986 -duke arritur kulmin me vendin 12. Ndryshe nga viti 2022, ai foli për një epokë më optimiste, me uverturat e Gorbaçovit (i cili kishte raporte befasuese me Reaganin) që paralajmëroi fundin e Luftës së Ftohtë.

Hyrja te këngët “Rusët” ka një sekuencë të një lexuesi lajmesh sovjetike që përmend Gorbaçovin. Cilësia e sekuencës nuk është e mirë, duke na dhënë ndjenjën se po dëgjojmë një transmetim të përgjuar, por fjalët “… dhe, negociatat me kreun e delegacionit, Mihail Sergejeviq Gorbaçov …”, thjesht mund të dëgjohen. Transmetimi i atribuohet takimit të fundit të vitit 1984 të Gorbaçovit (para se të bëhej lider sovjetik) me Margaret Thatcherin, e cila në mënyrë të paharrueshme e përshkroi si njeri me të cilin “mund të bëjmë biznes së bashku”.

Lufta e sotme në Ukrainë tregon se Putini është njeri me të cilin nuk mund të bëjmë biznes. Por, në pjesën e fundit të viteve 1980, politika e Gorbaçovit për Glasnost (“Hapje”) ndihmoi në lehtësimin e bisedimeve për çarmatimin gjë që krijoi sfondin për publikimin e këngës – bisedimet që hapën rrugën për traktatin e vitit 1987 për armët bërthamore me rreze të mesme, si dhe nënshkrimi përfundimtar i Traktatit për Reduktimin e Armëve Strategjike (Fillimi I) më 1991.

Detajet e tilla nuk ishin shqetësimi i këngës. Mesazhi i saj – i vështirë për t’u kundërshtuar përballë kataklizmit bërthamor – ishte thjesht ky: “Nuk ekziston askund një luftë me fitues”.

Me gjithë rezonancën që ka, versionet e këngës kanë qenë të pakta. Një interpretim i komplikuar u bë në vitin 1988 nga Cicciolina e Italisë; një version metal më 1994 nga grupi gjerman Gigantor. Këngëtarja australiane Katie Noonan e këndoi në albumin e saj të vitit 2020, “The Sweetest Taboo”. Dhe, në mars 2022, Stingu e publikoi një version të ri, minimalist, në një video në YouTube që shfaqte vetëm atë dhe violonçelistin Ramiro Belgardt. Në hyrjen në video, Sting thotë se kurrë nuk kishte menduar se kënga “do të ishte sërish relevante. Por, në dritën e vendimit të përgjakshëm dhe të gabuar të një njeriu për ta pushtuar një fqinj paqësor dhe jokërcënues, kënga është edhe një herë një lutje për njerëzimin tonë të përbashkët”.

“Rusët” është gjithashtu brenda një tendence që muzika pop të gërmojë punën e kompozitorit të madh sovjetik, Sergei Prokofiev. Seriali i BBC-së, “The Apprentice”, melodinë tematike e ka nga baleti i Prokofievit, “Romeo dhe Zhulieta”, ndërsa zilet e hitit të vitit 1975, “I Believe in Father Christmas” nga Greg Lake, tingëllojnë së bashku me pasazhin “Trojka” të suitës së tij orkestrale “Togeri Kizhe” (1934). Kizhe është gjithashtu burimi i temës ogurzezë që shpërthen në sfondin e “Rusëve”, marshim që evokon raketat që gjëmojnë nëpër Sheshin e Kuq.

Edhe pse e lansuar në periudha më shpresëdhënëse, toni i këngës është i ndryshueshëm dhe i errët. Përfundon me thirrjen që është gjithnjë e më urgjente sot, duke pasur parasysh kërcënimet e fshehta të Putinit për përdorimin e armëve bërthamore – ajo që mund të na shpëtojë, mua dhe ty, është nëse “rusët i duan fëmijët e vet”. /Telegrafi/