LAJMI I FUNDIT:

Rukiqi: Asnjë agjendë politike s’duhet ta pengojë Kosovën në aspektin ekonomik

Rukiqi: Asnjë agjendë politike s’duhet ta pengojë Kosovën në aspektin ekonomik

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, ka mbajtur konferencë për media për problemet, me të cilat po ballafaqohen prodhuesit e ujit dhe sektori i pijeve joalkoolike dhe alkoolike dhe ka shpalosur idenë për krijimin e një zyre që lehtëson komunikimin ndërmjet KEDS-it dhe bizneseve.

Rukiqi tha se asnjë agjendë politike nuk duhet ta pengojë aspektin ekonomik të vendit. “Edhe pse këto ditë kemi një debat politik sa i përket çështjeve që lidhen me dialogun me Serbinë, mirëpo asnjë agjendë politike nuk duhet ta pengojë vendin për nga aspekti ekonomik”, tha Rukiqi.


Ai tha se vëmendja e Odës Ekonomike do të jetë tek prodhimi dhe eksporti dhe shkalla e lartë e papunësisë.“ Ky mandat do të ketë vëmendjen tek prodhimi, sepse vetëm përmes prodhimit mund të krijojmë vende të punës. Eksporti dhe shkalla e lartë e papunësisë mbesin dy problemet kryesore, prandaj fokusi i Odës Ekonomike të Kosovës do të jetë në amnistimin e këtyre problemeve”, tha Rukiqi.

Sektori, i cili krijon një zinxhir ekonomik, sipas tij, është sektori i pijeve alkoolike.

“Sa i përket sektorit të prodhimit, jemi fokusuar tek një sektor i cili lyp rregullim, që krijon punësim dhe ka efekte zinxhirore me ekonominë dhe që ka eksport është sektori i pijeve alkoolike dhe jo alkoolike”, tha kryetari i OEK-ut.

Sipas Rikiqit, çështja e taksës ujore dhe çështja e akcizës janë më kryesorët që e përcjellin sektorin e pijeve alkoolike dhe jo alkoolike. Ai tha se në takimet që ka mbajtur me sektorët prodhues, problem kryesor ka qenë çështja e energjisë elektrike dhe po synohet krijimi i një zyre që lehtëson komunikimin ndërmjet KEDS-it dhe bizneseve.

“Nga 10 takime që i kemi pas, ka dalë një problem kryesor, çështja e energjisë elektrike dhe jemi duke e hartuar një marrëveshje me KEDS-in që në Oden Ekonomike të Kosovës të jetë një qendër permanente e dhënies së këshillave për biznese, sa i përket çështjeve që lidhen me furnizimin me energji. Ne po pretendojmë që deri në fund të vitit të gjejmë zgjidhje për disa çështjeve që lidhen me energji elektrike”, theksoi Rukiqi.

Ai ka folur edhe për TVSH-në dhe tha se duhet të zgjidhen tri elemente sa i përket kësaj çështjeje.

“Te TVSH-ja është shkalla më e lartë e informalitetit. Informaliteti në analizën e fundit të Odës Ekonomike të Kosovës është konkurrenca jo lojale, që po importohen produkte pa kontroll të cilësisë dhe nuk i plotësojnë kushtet për me qenë në treg”, deklaroi Rukiqi, raporton Ekonomia Online. /Telegrafi/