Rubio akuzoi Macronin se ndërpreu bisedimet midis Izraelit dhe Hamasit me vendimin për të njohur Palestinën
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se njoftimi i Francës për njohjen e shtetit palestinez ka çuar në ndërprerjen e negociatave për armëpushim midis Izraelit dhe Hamasit dhe se kjo po e inkurajon këtë grup palestinez.
“Bisedimet me Hamasin kanë dështuar ditën kur Macron mori vendimin e njëanshëm për të njohur shtetin palestinez. Pastaj dalin edhe të tjerë, vende të tjera, që thonë: ‘Nëse deri në shtator nuk arrihet armëpushim, do ta njohim Palestinën’. Po të isha në vend të Hamasit, në thelb do të arrija në përfundimin se s’ka pse të ketë armëpushim - mund të shpërblehemi, mund ta paraqesim këtë si fitore”, tha Rubio në një intervistë për rrjetin televiziv katolik Eternal Word.
Ai shtoi se “këto mesazhe, edhe pse për ta (shtetet që i japin) janë kryesisht simbolike, në të vërtetë e kanë bërë më të vështirë arritjen e paqes dhe një marrëveshjeje me Hamasin”.
Presidenti francez, Emmanuel Macron ka paralajmëruar se Franca do ta njohë Palestinën në shtator, gjatë sesionit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
Një njoftim të ngjashëm ka dhënë edhe Britania e Madhe, nëse nuk arrihet armëpushimi në Gaza.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë kundër njohjes së Palestinës, edhe pse politika e tyre afatgjatë ka qenë zgjidhja me dy shtete: Izraeli dhe Palestina. /Telegrafi/






























