LAJMI I FUNDIT:

RTV Dukagjini me ambient madhështor për punë profesionale e kreative (Video)

RTV Dukagjini me ambient madhështor për punë profesionale e kreative (Video)

Dukagjini është themeluar në vitin 2001 dhe njihet për programet politike,arsimore, sociale dhe argëtuese si në televizion gjithashtu edhe radio.

Në saje të punës këmbëngulëse dhe të palodhshme të stafit, Dukagjini ka zgjeruar vazhdimisht gamën e prodhimeve dhe të shërbimeve cilësore, e në të njejtën kohë ka fituar besnikërinë e audiencës duke u bërë kështu një prej radiotelevizioneve më të ndjekura shqipfolëse.

Dukagjini numëron me qindra të punësuar dhe paraqet një hallkë të rëndësishme për zhvillimin ekonomik të Kosovës. Ndërsa për vite me radhë Radio Dukagjini ka qenë dhe vazhdon të jetë radio më e ndëgjuar dhe numër një në Kosovë.

Për RTV Dukagjinin, një ambient i mirë i punës ka shumë rëndësi për mbajtjen e punonjesve të lumtur dhe të motivuar. Kjo për arsye se një mjedis i mirë pune ndihmon për të reflektuar mbi idetë, për të nxitur kreativitetin dhe për të inkurajuar komunikimin e hapur mes punonjësve.

Së fundmi RTV Dukagjini ka kaluar në një hapësirë të re pune, nga një studio me 20 metra katrorë tani gjenden në një objekt shumë atraktiv e me standarde të larta me rreth 2000 metra katrorë. Këto ndryshime qëllim kryesor kanë informimin sa më profesional të publikut dhe nevoja ka lindur nga zgjerimi i stafit, prodhimeve dhe shërbimeve të Dukagjinit.

Në intervistën për Telegrafi, drejtori i RTV Dukagjini Ermal Panduri ka theksuar se për Dukagjinin e rëndësishme është që ambienti i ri t’a bëjë ekipin të ndihen si në shtëpinë e tyre, sepse rehatia dhe lumturia e tyre lidhen ngushtë edhe me produktivitetin në punë.