LAJMI I FUNDIT:

Rrustemi: Pagat e larta nuk kanë sjellë efikasitet nga prokurorët dhe gjyqtarët

Rrustemi: Pagat e larta nuk kanë sjellë efikasitet nga prokurorët dhe gjyqtarët

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, ka thënë se pagat e larta të prokurorëve dhe gjyqtarëve nuk kanë sjellë efikasitet në Kosovë.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, duke folur për Ligjin e Pagave, ka thënë se ky ligj do ta rregullojë sferën e pagave për të gjithë zyrtarët publikë.


I pyetur për vërejtjet e gjyqtarëve se do të ulen pagat për ta, Rrustemi ka thënë se fillimisht rritja e pagave të tyre ishte bërë në mënyrë artificiale nga Qeveria Haradinaj.

Rrustemi ka theksuar se me vendimin për rritje të pagës së tij në tre mijë euro, edhe pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve u është rritur paga, për shkak se referencë e pagave të tyre është paga e kryeministrit.

Ai ka thënë se me Ligjin e ri të Pagave, kjo do të rregullohet. Sipas tij, pagat e mëdha të gjyqtarëve dhe prokurorëve, nuk kanë prodhuar efikasitet.

“Ne kemi pasur paga të larta, por nuk kemi pasur efikasitet as në ndjekjen e krimit të organizuar, as nga ana e prokurorëve as të gjykatave, për këtë kemi nevojë për procesin e vettingut”, ka thënë ai.

“Së pari rritja e pagës së gjyqtarëve ka ndodhur në mënyrë drastike, në kohën kur kryeministri Haradinaj e kishte rritur në mënyrë drastike pagën e tij, sepse ligji për gjyqtarë dhe prokurorë e përcakton si pikë referimi pagën e kryeministrit, në kohën kur kryeministri Haradinaj e kishte bërë pagën 3000 euro, kjo në mënyrë automatike ishte zbërthyer në pagat e gjyqtarëve, në raport me pagën e kryeministrit”, ka vijuar Rrustemi.

Tutje, Rrustemi ka theksuar se punonjësit e sistemit gjyqësor, duhet të kenë paga të dinjitetshme, në mënyrë që të mos kenë arsye që të korruptohen.

“Gjyqtarët duhet të kenë garanci të qarta financiare që të mos kenë arsye që të korruptohet. Nuk është ulje, është rregullim, i cili mund të interpretohet vetëm me rritjen në qeverisjen Haradinaj, për shkak të rritjes së pagës së tij”, ka thënë ai.

Deputeti i LVV-së ka bërë të ditur se me Ligjin e Pagave, që aktualisht është në konsultim publik, pagat do të ulen për pozitën e presidentit dhe për deputetët e Kuvendit të Kosovës./RTV Dukagjini/