LAJMI I FUNDIT:

Rrjeti i Shitësve me Pakicë kërkon shfuqizimin e vendimeve për ndalimin e punës të dielave dhe festave zyrtare

Rrjeti i Shitësve me Pakicë kërkon shfuqizimin e vendimeve për ndalimin e punës të dielave dhe festave zyrtare

Zhvillimi i përshpejtuar ekonomik është rezultat i angazhimit të duhur të institucioneve qeverisëse për krijimin e parakushteve që mundësojnë fuqizimin e sektorit privat në tërësi duke ofruar lehtësira dhe mundësuar për ushtrimin e veprimtarive afariste mbi baza të ekonomisë së tregut dhe konkurrencës së lirë.

Në këtë drejtim, Rrjeti i Shitësve me Pakicë ripërsërit qëndrimin dhe kërkon nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal që në koordinim me institucionet tjera përgjegjëse dhe komunat përkatëse të shfuqizojnë vendimet për ndalimin e veprimtarive afariste ditëve të diela dhe festave zyrtare duke i cilësuar ato në kundërshtim me dispozitat kushtetuese të cilat garantojnë ekonomi të lirë të tregut dhe konkurrencë të lirë, e që gjithashtu janë në mospërputhje me legjislacionin e zbatueshëm në fuqi.


Rrjeti konsideron se vendimet e ndërmarra për ndalimin e veprimtarive afariste ditëve të diela dhe festave zyrtare përbëjnë ndërhyrje në operimet e bizneseve, ndërsa përcaktimi i marrëdhënieve në mes të punëdhënësve dhe punëmarrësve bëhet përmes zbatimit të dispozitave të Ligjit të Punës.

Rrjeti i Shitësve me Pakicë rithekson se kjo politikë ka implikime teje të dëmshme në ekonominë e vendit dhe do rezultojë në shkurtim të vendeve të punës me rreth 20 për qind, qarkullim më të ulët monetarë në norma mbi 15 për qind, si dhe pamundëson për zhvillimin e mëtejshëm të sektorit privat. Për më tepër, këto vendime do të kenë efekte në rritjen e informalitetit si rrjedhojë e mungesës së kapaciteteve për inspektim.

Për parandalimin e marrjes së një vendimi të tillë në kryeqytet, Rrjeti i Shitësve me Pakicë ka proceduar shkresa ndaj këshilltarëve të kuvendit komunal ku ka njoftuar në lidhje me implikimet e dëmshme që kjo politikë do të bartë në vend, ndërsa qëndrimi i subjekteve politike ende mbetet i paqartë.

Në fund, Rrjeti i Shitësve me Pakicë i bën thirrje Ministrisë të Administrimit të Pushtetit Lokal që në koordinim me institucionet tjera përgjegjëse dhe komunat përkatëse të shfuqizojnë vendimet e ndërmarra për ndalimin e veprimtarive afariste ditëve të diela dhe festave zyrtare, ndërsa kërkon nga këshilltarët e kuvendit komunal të Prishtinës që të mos votojnë një iniciativë të tillë e cila bartë kosto të lartë për zhvillimin ekonomik të vendit.