Leksioni numër një i ekonomisë është pikërisht ky: rritja e çmimeve tregon prishjen e raportit të kërkesës me ofertën, për rrjedhojë përkeqësimin ekonomik. E thënë më thjeshtë, rritja e çmimeve vjen ngaqë prodhimi, produktet që prodhon dhe ofron ekonomia, kanë rënë dhe kërkesa e ekonomisë është ose atje ku ka qenë, ose është rritur natyrshëm më shumë.

Rritja e çmimeve vjen për një numër shumë të madh faktorësh, ndër të cilët disa u shpjeguan në mënyrë tangente në shkrimet e mëparshme, edhe pse ai shpjegim nuk kishte si qëllim dhe as fokus rritjen e çmimeve. Ndoshta rritja e çmimeve kërkon një shpjegim ezaurues tjetër dhe më të plotë, por për të mos e bezdisur lexuesin me shpjegime të gjata, po listoj më poshtë pse rriten çmimet në vendin tonë:

Së pari, rritja e çmimeve ishte e pritshme. Kjo sëmundje është shfaqur më ashpër në vende dhe ekonomi të mëdha, si Amerika, vende të zhvilluara të Azisë dhe Bashkimi Evropian. Rritja e çmimeve është objekt i debateve të mëdha politike atje dhe kjo konsiderohet edhe si rrjedhojë e politikave të paharmonizuara mirë të reagimit ndaj pandemisë.

Vendet dhe ekonomitë e mëdha injektuan shumë likuiditete në përpjekje për të stimuluar ekonominë dhe për të asistuar bizneset e goditura nga pandemia. Ndryshe nga kriza e viteve 2007-2012, ky injektim u realizua më shumë nëpërmjet politikave buxhetore të ndihmave dhe financimit të papunësisë, sesa në trajtën e liberalizimit të kredidhënies. Për këtë arsye, likuiditeti i tepërt bëri presionin e zhvlerësimit të monedhës gjë që shprehet te rritja e çmimeve. Inflacioni, që matet dhe shprehet nëpërmjet rritjes së çmimeve në ekonomi të ndryshme, është i ndryshëm dhe kjo përbën një nga drejtimet strategjike të orientimit të investimeve në tregjet financiare, kryesisht të investitorëve institucionalë.

Ndërkohë, në vendin tonë (në Shqipëri) duhet thënë se nuk jemi në kushtet e një realiteti dhe paralelizmi të tillë. Politikat qeveritare në ndihmë të bizneseve të prekura nga pandemia ose kanë qenë mjaft të vakëta, ose kanë qenë të paefektshme, ose kanë qenë të munguara dhe të pabesueshme, ose kanë ndodhur njëherësh të gjitha.

Së dyti, rritja e çmimeve në vendin tonë vjen si rrjedhojë edhe e një fenomeni rritjeje të çmimeve të lëndëve të para në ekonominë botërore, sikurse ka ndodhur me drithin, me lëndën drusore, me ushqimet e blegtorisë, me prodhimin e hekurit dhe të çimentos. Rritje të ndjeshme çmimesh kanë pasur dhe kanë produktet derivative të naftës (karburantet) dhe veçanërisht energjia elektrike. Janë dy grupe faktorësh që shkaktojnë sistematikisht ndikim të fortë te të gjitha degët, sektorët, produktet dhe shërbimet e të gjitha ekonomive.

Por, në vendin tonë kjo rritje vjen dhe përjetohet si goditje më e fortë, sepse nuk ka barriera mbrojtëse. Është pak a shumë si një rrebesh që shkakton përmbytje të një qyteti të pambrojtur nga pritat dhe digat e disiplinimit të rrjedhjeve. Diku rritje më e fortë dhe diku më e moderuar. Në ata sektorë që ekonomia jonë është e prekur dhe e ndikuar nga lëndët e para me origjinë importin, kjo rritje është ndjerë edhe te ne dhe ndoshta do të ndihet më fort edhe në të ardhmen. Shembulli më tipik është rritja e çmimit të bukës.

Te kjo rritje ka sigurisht edhe një numër të madh faktorësh të tjerë, sikurse ishte për opinionin tim edhe loja e pasuksesshme me tatimin mbi vlerën e shtuar për prodhuesit bujqësorë dhe fermerët. Në këtë këndvështrim më duket sikur qeverisë i ka munguar hapur profesionalizmi dhe aftësia për të bërë hapa të mençur dhe të efektshëm.

Së treti, rritja e frikshme e çmimeve në ekonominë tonë është rritja e çmimit të mishit dhe të prodhimeve të tjera blegtorale. Për të konstatuar dhe pranuar një të vërtetë të tillë, duhet ndershmëri me veten, qartësi në shikim dhe dashamirësi në interpretim. Faktorët e kësaj rritjeje u shpjeguan në shkrimin e mëparshëm. Por, këtu duhet nënvizuar se rritja e çmimit të mishit, të të imtave dhe të mishit të gjedhit, ka ardhur edhe për shkak të kufizimeve në importet e produkteve bujqësore që vendet e tjera realizojnë si pjesë e garantimit të furnizimit të popullatës së tyre me këto produkte jetike. Në vendet e BE-së ndihet një inkurajim në rritje i prodhuesve bujqësorë, inkurajim që është theksuar akoma më shumë në vitet e fundit të pandemisë.

Së katërti, rritja e çmimeve është e lidhur ngushtë edhe me luhatjet në kursin e këmbimeve të lekut me monedhat e tjera, veçanërisht me euron. Në fakt, javët e fundit vërehet një forcim relativ i lekut. Në këtë fenomen ka ndikuar sigurisht sezoni turistik i portave të hapura dhe rritja e ofertës në euro në këmbimet valutore të tregut dhe ekonomisë sonë. Por, në këtë fenomen kompleks kanë ndikuar edhe fenomene dhe faktorë të tjerë, që janë më kompleks dhe që shfaqen me një parametër të vetëm.

Nëse nuk depërton dhe thellohesh në një analizë më të plotë, atëherë nuk bën dot analiza të sakta, nuk kupton dot situatën dhe nuk merr dot masat për të përmirësuar gjendjen. Dukshëm, në vendin tonë është rritur sasia e parasë euro që injektohet nëpërmjet ndërtimeve preferenciale dhe që bie erë pastrimi parash. Nëse inflacioni i monedhave të tjera është i një rendi më të lartë se inflacioni i lekut, atëherë në krahasimin midis tyre, leku shfaqet si monedhë e forcuar.

Së pesti, në vendin tonë ka një rritje të paprecedentë të çmimeve në sektorin e ndërtimit. Po kjo rritje pse shkaktohet? A është rritja në sektorin e ndërtimit në të njëjtën logjikë me rritjen në përgjithësi të çmimeve në ekonominë tonë? Për rritjen e çmimeve në ndërtim duhen marrë në konsideratë disa faktorë specifikë për vendin tonë. E para ka të bëjë me sezonin turistik që sapo kaluam.

Qeveria e liberalizoi, dhe pjesërisht bëri mirë, hyrjen e të huajve për turizëm. Sigurisht, bëri gabim të madh që paralelisht me liberalizimin e hyrjes, neglizhoi çdolloj kontrolli dhe respektimi të rregullave sanitare, por ky është një problem tjetër. Rritja e paparë e fluksit të turistëve, krahasuar me vendet e tjera të Mesdheut, rriti kërkesën për mjedise me qira, për prenotime dhe për ambiente ndërtimore. Kjo kërkesë e ekzagjeruar bën një lloj presioni mbi ofertën në ndërtim dhe dha efektin e vet.

E dyta ka lidhje me inflacionin që, siç e shpjeguam më sipër, ka vlerë edhe për lëndët e para në sektorin e ndërtimit dhe me zhvlerësimin e monedhës sonë, për rrjedhojë rritjen e çmimeve. E treta, rritja e çmimeve në ndërtim ka lidhje me rritjen e kërkesës prej qeverisë për të avancuar edhe për efekte elektorale në procesin e rindërtimit dhe të rehabilitimit të pasojave të tërmetit. Kjo kërkesë e rritur, përballë një ofertë të limituar çoi në rritjen e çmimeve. E katërta, ka lidhje me pozitën monopol të vendosur në sektorin e ndërtimit. Ky është një shqetësim mjaft serioz. Sektori i ndërtimit, që ka qenë ndër sektorët më liberalë të ekonomisë sonë, tani ka pozitën më monopolistike. Kjo e vërtetë e pabesueshme për shumë njerëz, ndoshta edhe specialistë të fushës, ka çuar në rritjen e çmimeve.

Ja shpjegimi: Disa firma të mëdha, për shkak të pozitës favorizuese me qeverinë dhe autoritetet që japin leje ndërtimi, mbas një periudhe hezitimi dhe ndalimi të karakterit administrativ, kanë marrë leja preferenciale ndërtimore. Kjo ka ndodhur dhe po ndodh në qytetet e mëdha dhe veçanërisht në Tiranë.

Po ndërtohen shumë kulla të larta dhe ndërtime të tjera administrative dhe tregtare. Për shkak të pozitës monopolistike, këto biznese të mëdha dhe mjaft të njohura si biznese, disa prej tyre të etiketuara si biznese oligarkike, imponojnë dhe shesin sipërfaqe banimi në qendrat e qyteteve të mëdha dhe të kryeqytetit, sigurisht me çmime të larta, me çmime të kripura.

Rritja e çmimeve në ndërtim vjen sipas meje edhe për shkak të mënyrës diskrete dhe preferenciale të organizimit të tenderëve të ndërtimit të rrugëve, të objekteve të tjera publike, të ndërtimit të urave, të ndërtimit të shkollave, të ndërtimit të sistemeve rehabilituese dhe pa dyshim të ndërtimit të lagjeve dhe banesave të dëmtuara nga tërmeti.

Kjo mënyrë e organizimit të tenderëve, pa konkurrencë, me preferencë, favorizim dhe njohje, në kushtet e një korrupsioni të frikshëm, një pjesë e mirë me fonde të buxhetit të shtetit, por edhe me fonde të akorduara nga donatorë të huaj, por të besuara për menaxhim nga i njëjti mekanizëm tenderimi, ka bërë që të aplikohen për këto firma me aksses qeveritar, norma të larta fitimi dhe kthimi. Dhe sigurisht normat e larta të fitimit rritin çmimet në ndërtim,

Së fundi, por po e theksoj se kjo meriton një analizë tjetër profesionale, zgjerimi i mekanizmit të partneriteteve publike dhe private. Është një sistem preferencial, i akordimit të fondeve për ndërtim të firmave të paracaktuara, të ashtuquajtura me ofertë të pakërkuar. Karakteristika kryesore e këtyre investimeve publike me fonde të ashtuquajtura private, por vetëm demagogjikisht, është kostoja shumë e lartë e ndërtimit.

Partneritetet realizohen me kosto që shkon deri 72 për qind më e lartë se kostoja që mund të realizohej në kushtet e një konkurrence efektive. Pse ndodh kjo: dihet që këto partneritete shërbejnë për të realizuar objekte publike që nevojiten dhe vetë publiku nuk është shumë koshient, nuk e ndien drejtpërdrejt koston e lartë, pasi ajo është një faturë që u përket dy-tre dhe më shumë viteve në vazhdim. Kostot e larta të faturave të partneriteteve private dhe publike janë penalitet për brezat që vijnë.

Nuk ka ekonomi të zhvilluar dhe të qëndrueshme pa sistem fiskal të qëndrueshëm. Ndonëse si profesor i financës jam prononcuar disa herë, më duhet të nënvizoj shkurt se sistemi tatimor që kemi (në zërat kryesorë) është sistemi tatimor që nuk duhet të kishim. Sistemi tatimor mund të shmangë dhe të korrigjojë disa nga këto deformime, por duke e përdorur atë si një instrument që bëhet aktiv nga një mendje e zgjuar dhe nga një qeveri e kujdesshme. Tatimi mbi të ardhurat personale nga marrëdhëniet e punësimit, i ashtuquajturi progresiv, në të vërtetë nuk është progresiv. Për 99 për qind të të punësuarve, ky sistem tatimor është thjesht proporcional (publiku e njeh me termin i sheshtë), por me shkallë tatimore 13 për qind.

Ai nuk ka një progresivitet të shprehur dhe nuk bazohet te rregulli i artë i financave publike që: kush fiton më shumë, duhet të paguajë dhe tatohet më shumë. Kundër këtij parimi të artë është edhe tatimi mbi dividendin dhe të ardhurat e bizneseve. Të pasurit e mëdhenj, kur fitojnë dividendin si persona fizikë tatohen me vetëm tetë për qind, ndërkohë që një e ardhur nga fitimi i çdo lloji i një qytetari të zakonshëm është 15 për qind.

Unë jam i bindur se ndërgjegjja e tyre qytetare nuk është e qetë përballë një shoqërie të varfër dhe të padrejtë. E përsëris: kush fiton më shumë, duhet të paguajë dhe të tatohet më shumë. Po kështu edhe tatimi mbi vlerën e shtuar, siç është konceptuar, ndërtuar dhe sikurse zbatohet, është në kundërshtim të hapur me këtë parim. Një i varfër, një familje e këputur, një çift punëtorësh dhe me shumë fëmijë e paguan bukën, qumështin, gjalpin, vajin, djathin, karburantin, energjinë etj., me të njëjtin çmim me të pasurin. I paguan këto produkte të nevojës jetësore njëlloj me atë sipërmarrës që dividendi i tatohet vetëm me tetë për qind.

Por, mos harroni, të gjitha të ardhurat e tyre (të të varfërve) shkojnë vetëm për këto produkte dhe nevoja. Ndërkohë, një biznes që ka një kafe, një restorant, një dyqan modest, një aktivitet të vogël prodhues dhe një numër të reduktuar të punësuarish paguajnë tatime dhe taksa më pak sesa një nëpunës. Këto biznese të vogla janë të përjashtuara nga të gjitha llojet e tatimeve, politikë kjo që duket hapur se është radikalisht për efekte elektorale. Tatohet më shumë puna e krahut sesa kapitali, tatohet më shumë puna intelektuale sesa biznesi. Ky është një sistem tatimor i ndërtuar mbrapsht.

Ky sistem tatimor jo vetëm që nuk kryen rolin e katalizatorit të zhvillimit ekonomik të vendit, por përkundrazi bën rolin e frenave të zhvillimit ekonomik. Nuk nxit aftësitë krijuese, nuk nxit punën dhe bashkëpunimin, nuk mbjell solidaritet dhe mirëkuptim, por përkundrazi thellon ndarjen dhe largon akoma më shumë grupet dhe shtresat: shton më shpejtë pasurinë e të pasurve dhe shton akoma më shumë numrin e të varfërve. Kujt i intereson kjo shoqëri që në vend të mbjellë mirëkuptimin mbjell ndarjen dhe furtunën? Në vend t’i afrojë shtresat, i largon ato!

Si përfundim: Vendi ka probleme shumë të mëdha në politikat dhe zhvillimin ekonomik. Shqetësimi për ekonominë është shqetësimi për jetën. Kombet e qytetëruara nuk i lënë probleme kaq të mëdha jashtë vëmendjes së hallkave më të rëndësishme të shtetit dhe të shoqërisë. Këto politika kërkojnë vullnet të mirë, konsensus të plotë, përulësi, qetësi dhe maturi dhe impenjim intelektual maksimal. Mos i lini politikat ekonomike në duart e atyre që nuk e njohin as ekonominë dhe as shkencën ekonomike. Nesër do të jetë përsëri vonë! /Panorama/