LAJMI I FUNDIT:

Rritet me 0.4% Produkti i Brendshëm Bruto në BE dhe Eurozonë

Rritet me 0.4% Produkti i Brendshëm Bruto në BE dhe Eurozonë

Gjatë tremujorit të parë të vitit 2018 krahasuar me tremujorin paraprak, Produkti i Brendshëm Bruto është rritur me 0.4 për qind në vendet e Bashkimit Evropian dhe ato të Eurozonës, ndërsa në tremujorin e katërt të vitit 2017, Produkti i Brendshëm Bruto ishte rritur me 0.7 për qind në të dyja zonat.

Krahasuar me tremujorin e njëjtë të vitit të kaluar, Produkti i Brendshëm Bruto u rrit me 2.5 për qind në Eurozonë dhe me 2.4 për qind në vendet e Bashkimit Evropian.

Gjatë këtij tremujori, sipas të dhënave të Eurostat, përcjell Telegrafi, Produkti i Brendshëm Bruto në Shtetet e Bashkuara të Amerikës u rrit me 0.5 për qind krahasuar me tremujorin e mëparshëm , ndërsa krahasuar me tremujorin e njëjtë të vitit të kaluar kjo u rrit me 2.8 për qind.

Ndër vendet anëtare për të cilat disponohen të dhënat për tremujorin e parë të vitit 2018, Letonia dhe Polonia shënuan rritjen më të lartë krahasuar me tremujorin e mëparshëm me 1.6 për qind, pasuar nga Hungaria dhe Finlanda me 1.2 për qind, kurse rënie të lehtë kishte në Estoni me 0.1 për qind.

Në këtë tremujor, shpenzimet e konsumit final të ekonomive familjare u rritën me 0.5 për qind në Eurozonë dhe me 0.4 për qind në vendet e Bashkimit Evropian. Formimi i kapitalit fiks u rrit me 0.5 për qind në Eurozonë dhe me 0.8 për qind në vendet e Bashkimit Evropian. Eksportet ranë me 0.4 për qind në Eurozonë dhe 0.3 për qind në vendet e Bashkimit Evropian, ndërsa importet u ulën me 0.1 për qind në Eurozonë dhe qëndruan të pandryshueshme në vendet e Bashkimit Evropian. /Telegrafi/