LAJMI I FUNDIT:

Rrezikshmëria e kalimit të masës

Rrezikshmëria e kalimit të masës

Dihen pasojat e kalimit të masës. Kur masa kalohet dhe teprohet shpesh herë shkakton pakënaqësi dhe jo rrallë, edhe grindje. E qeshura e shfrenuar përfundon në lot; gëzimi në trishtim; dehja dhe euforia prej saj pasohet natyrshëm nga depresioni, që mund të çojë edhe në vetëvrasje.

I theksova pasojat e kalimit të masës për të nënvizuar rrezikshmërinë e teprimit të politikanëve në rolet e protagonistit. Fjala “protagonist” në shqip kuptohet si "figurë e parë", dominuese në çdo fushë të jetës: në art, ekonomi, arsim, kulturë, sport, politikë, qeverisje. Protagonizmi shfaqet në komunitet, në fis, madje edhe në familje. Prirja për t’u shfaqur i parë, imponues dhe i gjithëpranuar nga të tjerët shfaqet dhe në shoqëri, tavolina kafeje, në grumbullime gëzimi apo hidhërimi.


Pra, duke qenë një prirje thuajse e natyrshme, në konkurrencë me modestinë, protagonizmi është disi bezdisës, ndërsa kur teprohet bëhet i dëmshëm. Them se ky përfundim është i vlefshëm e i saktë për çdo shfaqje, dhe kur me protagonizëm teprohet në politikë, ai është i rrezikshëm. Protagonizmi në politikë nuk rrezikon vetëm institucionet shtetërore dhe veprimtarinë normale të pushteteve në demokraci, por dëmton dhe rrezikon kombëtarisht e ndërkombëtarisht qytetarët si dhe imazhin e funksionalitetin e shtetit.

Kam përshtypjen se fjala “protagonist” është përdorur kryesisht nga arti, për figurën kryesore në vepër letrare apo teatrore. U huazua prej të tjerëve, por fitoi peshë në politikë në dekadat e fundit, sidomos në demokracitë e reja të Evropës Lindore. Krijimi i pluripartizmit në këto vende, që për gjysmë shekulli përjetuan regjime totalitare, kërkonte dhe nxiste daljen e personaliteteve me kurajo dhe vizion për të strukturuar e përballuar pa trauma sociale kalimin në demokraci. Figura “autoritare”, që u vunë në krye të lëvizjeve përmbysëse të regjimit në Evropën Lindore, u dukën e vepruan suksesshëm në Moskë, Varshavë, Pragë, Bukuresht etj.

Në këtë historik gjithëvropian dua të veçoj dëmin e tejkalimit të protagonizmit në trevat shqiptare në Ballkan. Në Shqipëri kalimi nga monizmi në demokraci krijoi natyrshëm dy “idhuj”; Sali Berishën dhe Fatos Nanon. Historiku i marrëdhënieve mes tyre dihet, siç dihet edhe pozicionimi dhe roli i tyre aktual në ecurinë e sotme të politikës së Republikës së Shqipërisë. Ish-kryetari i PS-së dhe ish-kryeministri Nano është i tërhequr gati plotësisht nga jeta politike, kurse z. Berisha, ish-kryetari i PD-së dhe ish-kryeministri i Republikës, vazhdon t’i imponohet në të gjitha format e mundshme politikës. Fatos Nano, protagonist ligjor, i caktuar si i tillë nga vota demokratike, hoqi dorë dhe u largua nga pozicioni politik, ende pa dalë rezultati zyrtar zgjedhor. Z. Berisha, edhe dy vjet pas dorëheqjes së natyrshme nga kreu i PD-së, vazhdon të mbajë peng Kuvendin, duke tejkaluar në çdo seancë parlamentare rolin e një deputeti “ligjor” të Kuvendit. Mund të jetë më i mirë, më i përgatitur politikisht nga kryetari aktual i PD-së, por kurrsesi nuk ka asnjë të drejtë politike, morale e qytetare të tejkalojë në protagonizëm publik njeriun, të cilit i dorëzoi postin (kuptohet përmes zgjedhjeve partiake).

Të tilla shfaqje protagoniste përputhen apo ngjajnë edhe në Kosovë. U dorëhoq F. Sejdiu, ish-presidenti ynë, i cili ashtu si Fatos Nano, u pajtua me zhvillimet politike dhe respektoi dhe i qëndroi besnik vetvetes. Edhe ish-kryetari i Vetëvendosjes! dha dorëheqjen nga kreu i partisë. Por, ky ish-kryetar i partisë, pas dorëheqjes vullnetare nga pozicioni i figurës së parë, mësa duket u ndje bosh në pozitën e një deputeti të zakonshëm të Kuvendit. U ndje keq që nuk vuloste vendimmarrjen, që nuk udhëhiqte më protesta, që nuk konfrontohej e ndalohej nga Policia e Kosovës. Lënia vullnetare e postit të kryetarit të partisë, e shkarkoi nga posti i protagonistit në politikë; media e la në harresë!

Neroni, ish-perandori Romak, dogji Romën për t’u bërë i paharrueshëm. Kurse ky tymosi me gaz lotsjellës sallën e Kuvendit për t’u bërë lajm i parë i ditës së mediave në Botë. Dalja nga vendimi personal, për largim nga pozicioni i liderit, që konsiderohet i lirë dhe i sinqertë dhe që besohet si i tillë, delegjitimon më së pari rolin personal të protagonistit. Vazhdimi, sidomos tejkalimi i këtij roli edhe pas dorëheqjes së vullnetshme, nuk dëmton vetëm personalitetin e bartësit, por mbarë politikën; dëmton kryesisht interesat e popullit dhe të shtetit tonë të ri, kur mediet në mbarë botën paraqesin një sallë Kuvendi ku mbizotëron kaosi, ku një deputet lëndon deputetet femra me gaz lotsjellës, kur Prishtina paraqitet e shkatërruar nga vandalizmi i protestuesve, në një kohë kur BE tërheq vëmendjen që kundërshtimet e marrëveshjeve të bëhen në mënyrë legjitime, paqësisht dhe pa dhunë, siç ndodh në një shoqëri të qytetëruar.

Në trend

Më shumë
Presidenti i Bayernit shokon të gjithë me trajnerin e ri që do ta marrë drejtimin e klubit: Ai është një ekspert i shkëlqyer

Presidenti i Bayernit shokon të gjithë me trajnerin e ri që do ta marrë drejtimin e klubit: Ai është një ekspert i shkëlqyer

Bundesliga
Ancelotti flet për shanset e Realit për të kaluar në finalen e Ligës së Kampionëve: Nuk e keni parë versionin më të mirë të Real Madridit

Ancelotti flet për shanset e Realit për të kaluar në finalen e Ligës së Kampionëve: Nuk e keni parë versionin më të mirë të Real Madridit

Liga e Kampionëve
Një nga qytetet më të mëdha në botë po fundoset - do të shpenzohen 35 miliardë dollarë për ndërtimin e një kryeqyteti të ri

Një nga qytetet më të mëdha në botë po fundoset - do të shpenzohen 35 miliardë dollarë për ndërtimin e një kryeqyteti të ri

Botë
Tuchel i pamëshirshëm me yllin e Bayernit: Bëri dy gabime në dy golat e pranuar

Tuchel i pamëshirshëm me yllin e Bayernit: Bëri dy gabime në dy golat e pranuar

Bundesliga
SBAShK i kërkon Qeverisë dialog dhe rritje të pagave për së paku 30% – paralajmëron veprime tjera sindikale

SBAShK i kërkon Qeverisë dialog dhe rritje të pagave për së paku 30% – paralajmëron veprime tjera sindikale

Lajme
“Bjeshka” i bashkohet LDK-së, Abdixhiku: Na priftë e mbara Gjeneral

“Bjeshka” i bashkohet LDK-së, Abdixhiku: Na priftë e mbara Gjeneral

Lajme
Kalo në kategori