LAJMI I FUNDIT:

Rreth 180 milionë euro të bankave të bllokuara nga grumbullimi i lëndëve në gjykata (Video)

Rreth 180 milionë euro të bankave të bllokuara nga grumbullimi i lëndëve në gjykata (Video)

Drejtori Ekzekutiv i Shoqatës së Bankave të Kosovës, Petrit Balija në një intervistë për Telegrafi, ka thënë se sektori gjyqësor në vend ka qenë dhe mbetet një pikë e dobët për sektorin bankar.

Sipas tij, ka përmirësime sidomos me përmbaruesit privat, por lëndët e vjetërsuara ende mbeten problematike.


“Që nga fillimi sistemi gjyqësor ka qenë një pikë e dobët për sektorin financiar në Kosovë dhe ende mbetet një pikë e dobët. Ka përmirësime, sidomos me përmbaruesit privat ku janë duke e bërë një punë shumë të mirë dhe dukshëm janë ndihmues të sektorit bankar. Lëndët e vjetërsuara ende mbeten problematike edhe pse ka një reduktim të tyre, sipas një anketimi ka një rënie prej 10 për qind, mirëpo kjo nuk mjafton dhe duhet një punë më e madhe që të eliminohen rastet e vjetërsuara”, thotë Balija, shkruan Telegrafi.

Balija: Sektori bankar stabil, bankat me fitime prej mbi 85 milionë euro (Video)
Lexo po ashtu Balija: Sektori bankar stabil, bankat me fitime prej mbi 85 milionë euro (Video)

Sipas tij, shuma totale e mjeteve të bllokuara nga mos përfundimi i lendeve nëpër Gjykata që kanë të bëjnë me bankat janë 180 milionë euro për të gjitha rastet e sektorit bankar.

Balija thotë se duhet patur kujdes me legjislacionin sepse, një legjislacion joadekuat mund të rrit normat e interesit.

“Normat e interesit kanë rënë dukshëm, jemi pak mbi 6 për qind të normës mesatare të interesit. Mendoj që normat e interesit janë çështje e tregut, kostos së financimit për bankat, kërkesës për kredi dhe barrierave të tjera të biznesit. Sipas analizave, kemi një trend rënës të normave të interesit”, shpjegon ai.

Gjithashtu, Balija foli dhe për ardhjen e bankave të reja në vend, i cili më shumë i konsideron si investime të huaja në vend dhe për ardhjen e tyre duhet një zhvillim më i madh ekonomik që të kemi më shumë volum në kreditim dhe transaksione në mënyrë që edhe bankat e reja ta shohin si treg potencial.

Ai tha se ka shumë pa qartësi ndonjëherë dhe shumë pakënaqësi te publiku lidhur me tarifat bankare, mirëpo bankat kanë investuar në shërbime elektronike ku kanë bërë të mundur që këto shërbime të janë më të lira.

Kosovarët kanë investuar rreth tre milionë euro në kriptovaluta
Lexo po ashtu Kosovarët kanë investuar rreth tre milionë euro në kriptovaluta

“Nëse e shikojmë kur kanë qenë më të ulëta tarifat, në nuk kemi pasur nivel të zhvillimi të shërbimeve elektronike në këtë nivel, që nga atëherë bankat kanë investuar në shërbime elektronike ku kanë bërë të mundur që këto shërbime të janë më të lira, në shumicën e rasteve pa pagesë, ndërsa shërbimet fizike kanë pësuar një rritje në kosto, për faktin se bankat nuk janë duke u profilizuar në këto shërbime. Kjo nuk është për dëshirën e tyre, por për shkak të zhvillimeve teknologjike ku bankat në Kosovë duhen të janë në hap me zhvillimet”, thotë ai.

Balija sugjeron që të përdoren shërbimet elektronike ngase i kontribuon ekonomisë së vendit duke ndaluar qarkullimin e parasë së gatshme dhe eliminimin e parasë false. /Telegrafi/