LAJMI I FUNDIT:

Rreth 10 mijë nxënës në Maqedoni me gjysmë metër hapësirë

Rreth 10 mijë nxënës në Maqedoni me gjysmë metër hapësirë

Sot e kësaj dite ka shkolla të mesme, të cilat kanë më pak se 0.5 metër katrorë hapësirë për kokë nxënësish. Janë rreth 10 mijë nxënës në nivel të shtetit (9576), të cilët mësojnë në objekte të këtilla e, që në numrin e përgjithshëm të nxënësve të shkollave të mesme (47306), përbëjnë më tepër 20 për qind. Rastësisht ose jo, numri më i madh i këtyre objekteve shkollore gravitojnë në komuna me popullsi dërmuese shqiptare.

Hapësirat shkollore që shfrytëzojnë nxënësit, ashtu si edhe cilësia e objekteve në të cilat mësojnë, është padyshim një faktor determinues edhe për cilësinë e mësimdhënies dhe mësim nxënies, shkruan gazeta KOHA. Për këtë, jo pak reforma nisin nga përmirësimi i infrastrukturës shkollore, pasi është parakushti për të garantuar cilësinë. Mirëpo, në Maqedoni jo të gjithë nxënësit janë të barabartë edhe sa i përket hapësirës shkollore që ata ndajnë gjatë qëndrimit në shkollë. Edhe pse nga 2007-ta, arsimi i mesme është bërë i obligueshëm për të gjithë, edhe pse janë ndërtuar objekte të reja dhe janë themeluar subjekte të reja shkollore brenda këtij harku kohor, prapë se prapë ka numër të madh institucionesh, të cilat vuajnë nga mungesa e hapësirave.


Sot e kësaj dite ka shkolla të mesme të cilat kanë më pak se 0.5 metër katrorë hapësirë për kokë nxënësish. Janë rreth 10 mijë nxënës në nivel të shtetit (9576), të cilët mësojnë në shkolla që nuk ofrojnë asnjë centimetër më shumë se sa gjysmë metri për kokë nxënësish dhe që në numrin e përgjithshëm të nxënësve të shkollave të mesme (47306), përbëjnë më tepër 20 për qind. Rastësisht ose jo, numri më i madh i këtyre objekteve shkollore gravitojnë në komuna me popullsi dërmuese shqiptare. As zvogëlimi i vazhdueshëm i numri të nxënësve nuk ka mundur të ngushtojë hendekun e thellë që ekziston në shkollat sipas hapësirës në dispozicion të mësimdhënies.

Shkollat e mesme të kryeqytetit, fatkeqësisht edhe në parametrat e ndarjes së hapësirave shkollore shënojnë shembuj negativ. Dallimi i shkollave të Aerodromit dhe Kaposhit nga njëra anë, si dhe të Butelit e Çairit në anën tjetër, është i madh. Dihet që të para nga prizmi i përkatësisë etnike të nxënësve ose gjuhës së mësimit, shkollat e Aerodromit dhe Karposhit mund të kategorizohen si shkolla kryesisht në gjuhën maqedonase, kurse të Butelit dhe Çairit në shkolla kryesisht në gjuhën shqipe.

Të dhënat e siguruara nga Enti Shtetëror i Statistikave flasin se të parat janë përgjithësisht shkolla ku nxënësve u takon të kenë në dispozicion nga 1.60 metra katrorë deri në 3 e më shumë metra katrorë. Këtë standard shkollimi e kanë 67 për qind e nxënësve të shkollave të Aerodromit dhe 73 për qind e shkollave të Karposhit. Ndërkaq, në Butel shkollat ofrojnë këtë standard (nga 1.60 metra katrorë deri në 3 e më shumë metra katrorë) për jo më tepër se 10 për qind të nxënësve të tyre.

Në këtë komunë, sikurse dihet, gravitojnë dy shkollat më të mëdha të mesme me mësim në gjuhën shqipe në Shkup, konkretisht Gjimnazi “Zef Lush Marku” dhe Shkolla e Mesme Ekonomike “Arseni Jovkov”, por që pavarësisht çdo gjëje, mbeten larg standardeve për mësim bashkëkohor.

Në Komunën e Çairit është një shkollë e vetme e mesme “Cvetan Dimov”, e cila në bazë të analizës përkatëse të publikuar nga ESHT ofron nga 2.5 metra deri në 3 metra katrorë për nxënësit e saj. Shkollat etnikisht të pastra në Maqedoni, nuk janë edhe aq të shumta në numër, mirëpo nisur nga shumica dërmuese e gjuhës në të cilën zhvillohet mësimi, bie në sy dallimi i konsiderueshëm i hapësirave që ndajnë nxënësit edhe në komunat tjera jashtë kryeqytetit.

Për shembull, Dibra dhe Dellçeva kanë numër të përafërt nxënësish në shkollat e mesme, mirëpo 491 nxënësit e gjimnazit të Dibrës ndajnë maksimumi nga 2 metra katrorë, ndërsa 438 nxënësit e gjimnazit të Dellçevës nga 3 metra katrorë. Ose, nëse në shkollat e mesme të Tetovës, vetëm 54 për qind e nxënësve mësojnë në objekte që ofrojnë nga 1.60 deri në 3 metra katrorë, në shkollat e Strumicës kjo hapësirë ofrohet për 100 për qind të nxënësve.