LAJMI I FUNDIT:

Roli i kolposkopisë në zbulimin e hershëm dhe në trajtimin e sëmundjeve të qafës së mitrës

Roli i kolposkopisë në zbulimin e hershëm dhe në trajtimin e sëmundjeve të qafës së mitrës

Përse duhet të bëhet kolposkopia? Ky ekzaminim bëhet nga një mjek i trajnuar, për të parë se a ka qeliza jonormale në qafën e mitrës apo në vaginë.

Ass. dr. Memli Morina, mr. sci
gjinekolog – obstetër
tel. 045 725 725
web@shtatezania.com

Qafa e mitrës është pjesa e mitrës e cila më së shpeshti preket nga sëmundjet malinje. Përmes kolposkopit është e mundur që të zbulohen këto sëmundje malinje.


Kolposkopia duhet të bëhet nëse PAP testi nuk del mirë, por edhe në rastet kur ka infeksion me HPV (human papilloma virus) ose në rastet kur mjeku mendon se qafa e mitrës në pamje duket e dyshimtë. Me kolposkop mund të hulumtohet edhe gjakderdhja vaginale (psh pas marrëdhënieve seksuale) ose në rastet kur qafa e mitrës është e inflamuar.

Kush e kryen kolposkopinë?

Kolposkopia duhet të bëhet nga një mjek i trajnuar për kolposkopi. Pacientja qëndron shtrirë në karrikën gjinekologjike dhe qafa e mitrës vizualizohet me ndihmën e spekulumit. Kolposkopi ka ndriçimin dhe thjerrëzat zmadhuese të cilat mundësojnë që të identifikohet vendi i dyshimtë në qafën e mitrës. Kolposkopi modern ka edhe kamerën që mundëson që edhe pacientja të shohë ndryshimet në qafën e mitrës në ekranin përballë saj.

Ekzaminimi kolposkopik mund të zgjasë rreth 15 minuta. Nëse është e nevojshme mund të merret biopsia për hulumtim të mëtejmë.

Videokolposkopi modern mundëson që të merret përgjigja menjëherë se a ka qeliza jonormale në qafën e mitrës. Rreth 40% e grave të cilat bëjnë kolposkopinë ka gjasa që të kenë rezultat normal që do të thotë se qafa e mitrës nuk ka rrezik që të ketë kancer. Në rastet tjera mund të gjenden ndryshime të cilat nëse nuk mjekohen mund të përparojnë në forma më të rrezikshme të sëmundjes.

Qëllimi i kolposkopisë është që nëse ka ndonjë problem të zbulohet sa më herët në mënyrë që mjekimi të jetë më i lehtë dhe më efektiv pa e dëmtuar cilësinë e jetës të pacientes dhe mundësinë që ajo të ketë fëmijë në të ardhmen. Kjo është një gjë shumë e rëndësishme për secilën grua.

A ndihmon kolposkopi në mjekimin e sëmundjes?

Po! Nëse ka nevojë për ndonjë intervenim, sot është e mundur që të hiqen qelizat abnormale duke ruajtur indin e shëndoshë. Trajtimi më i shpeshtë është LLETZ/LEEP. LLETZ/LEEP kryhet gjatë ekzaminimit me kolposkop dhe gjatë kësaj procedure përmes një harku i cili është i lidhur me aparat special hiqet pjesa e dyshimtë në qafën e mitrës.

Kjo procedurë kryhet me anestezion dhe efektiviteti i saj në largimin e sëmundjes është 95%. Pra, LLETZ/LEEP është një procedurë shumë e suksesshme në largimin e qelizave jonormale të qafës së mitrës. Pas kësaj procedure është e nevojshme që të bëhet edhe një kontroll tjetër për të konfirmuar se gjithçka është në rregull dhe se sëmundja është zhdukur.

Nëse PAP testi ka dalë keq dhe nëse rekomandohet të bëhet kolposkopia, mos u shqetësoni sepse kjo nuk do të thotë se ju keni kancer. Por, patjetër që duhet të vazhdoni dhe të bëni kolposkopinë, sepse është metodë shumë efektive në zbulimin dhe trajtimin e sëmundjes. /Telegrafi/

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Bima që e ndukim dhe e shkelim, duke menduar se është një barojë, në fakt ka vlera të shumta për shëndetin

Bima që e ndukim dhe e shkelim, duke menduar se është një barojë, në fakt ka vlera të shumta për shëndetin

Ushqim i shëndetshëm
Kalo në kategori