Gjatë shekullit XX janë bërë përpjekje për përmirësime dhe përparime të të drejtave të njeriut, por të drejtave të femrave edhe gjatë kësaj periudhe nuk u është kushtuar ndonjë vëmendje e posaçme. Në vendet e zhvilluara dhe ato në zhvillim - përfshirë këtu Kosovën - vetëdijesimi i popullatës është në nivel jo të kënaqshëm sa i përket qasjes ndaj femrës, sepse ajo ende trajtohet si kategori e veçantë e jo e barabartë me gjininë e kundërt. Kjo vjen edhe si pasojë e paragjykimeve sa i përket barazisë gjinore: vazhdon të mbështetet ideja e inferioritetit ndaj femrës dhe ideja e superioritetit të mashkullit!

Çdo ditë e më shumë po flitet për të drejtat dhe liritë e femrës, për rolin e tyre në shoqëri, emancipimin e tyre e po ashtu edhe praninë e femrave në media! Edhe pse në Kosovë po ndodh një revolucion mjaft i dukshëm në këtë pikë, prapëseprapë shqyrtimi i mëtejmë i kësaj çështje tregon se ky rol i femrave nuk është edhe aq i madh.


Pa dyshim se media - me vet epitetin si pushtet i katërt - ka një rol jashtëzakonisht të madh në jetën e njerëzve, duke përfshirë këtu edhe mundësinë më të mirë për promovimin e çështjes së barazisë gjinore. Media sot ka një rol aq të madh dhe ndikues në jetën tonë, saqë mund të them se mungesa e femrave në media është e barabartë me mos ekzistencën e tyre.

Fakti se dy televizionet më të mëdha në vendin tonë udhëhiqen nga dy femra, tregon se deri-diku është bërë një përparim me pjesëmarrjen e tyre në botën mediatike. Por, kjo nuk do të thotë që në këtë pikë u arrit demokracia dhe barazia.

Jo, ende nuk e kemi prekur atë në realitet, sepse televizioni i ka krijuar disa klishe të pashmangshme në programet e tyre. Këto klishe “bardh e zi” për femrat e dobëta dhe meshkujt e fortë krijohen që nga programet e fëmijëve e filmat vizatimorë, e ku mashkulli është gjithmonë ai “heroi” që e shpëton femrën naive e të pafuqishme!

Këtu pikërisht fillon ajo ndarja që ndoshta nuk e kemi vërejtur dhe që duket si normale. Por, është ndarje dhe kjo do të thotë pabarazi! Të gjitha emisionet dhe reklamat që kanë të bëjnë me kuzhinën dhe ushqimin, protagoniste ose udhëheqëse i kanë femrat! A thua meshkujt nuk duhet të gatuajnë e të merren me punët e shtëpisë!? Ndërsa, në të gjitha emisionet sportive - edhe pse zakonisht vetëm debatohet - mysafirë në studio apo protagonistë kryesorë janë vetëm meshkujt! Po femra nuk di të luaj futboll ose të komentoj për një ndeshje sportive? Po femra nuk di të ngas një automobil?

Ku është ky roli i pasqyrimit të realitetit në mediat tona? Nuk po e shoh këtë realitet!

Në shumicën e festivaleve muzikore dhe të programeve, mashkulli është nikoqiri i mbrëmjes i përcjellë në të dy krahët nga dy “bukuroshe” (natyrisht, detyra e tyre është të buzëqeshin dhe aty këtu ta lëshojnë nga një fjalë sa për t’ua dëgjuar zërin). Po ashtu, në edicionet e lajmeve dhe emisionet shoqërore - siç janë ato të debateve - i shohim fytyrat e femrave që marrin pjesë në jetën politike, madje në një numër shumë të vogël (eventualisht 1-2 femra të rrethuar nga 4-5 meshkuj).

Sinonimi “gjinia e bukur” që përdoret shpesh përmes televizionit qenka vënë kot më kot! Pothuajse çdo program që shfaqet në televizion, e sidomos programet argëtuese, kanë përpara mikrofonit femra të bukura që flasin vetëm për bukurinë, se kush është përkujdesur për dukjen dhe për veshjen e tyre! Kështu që për një vend të punës si moderatore, pa qenë e bukur është pothuajse i pamundur punësimi!

Për të qenë më afër publikut duhet pra të qëndrosh në botën e artit, të modës, muzikës, politikës... se kështu njihet “suksesi juaj”. Por një nënë, një amvise, një mësuese, një doktoreshë, një infermiere, një avokate, një pianiste, një grua intelektuale që bën një jetë normale... a nuk qenkan këto shembuj të mirë për t’ia paraqitur publikut?

Nuk po them se këto femra janë krejtësisht të lëna pas dore, por në ekranin televiziv paraqiten mjaft rrallë dhe në mënyrë shumë sipërfaqësore e të pamjaftueshme.

Kjo ndodh ndoshta sepse media zakonisht u përshtatet shijeve dhe dëshirave të shoqërisë. Por, që kjo shoqëri ku po jetojmë ne, për fat të keq, ende nuk po arrin të kuptoj vlerat jo vetëm të grave, por të individëve në përgjithësi.

Populli është ai që duhet të kuptoj se me emancipimin e femrave nënkuptohet edhe emancipimi i njerëzimit! Populli është ai që i orienton mediat. Pjesëmarrja e barabartë e meshkujve dhe femrave shton vlerat e shtetit tonë në formësimin e tij si një vend demokratik.

Sepse femra është toka, është burim i jetës, është e ardhmja!