Roberto Martinez e mbron sërish Ronaldon: Është më i miri për të krijuar hapësirën që i nevojitet Portugalisë


Përzgjedhësi i Portugalisë, Roberto Martinez, ka dalë në mbrojtje të Cristiano Ronaldos pas kritikave që sulmuesi veteran mori për paraqitjen e tij në barazimin ndaj Kongos në Kupën e Botës 2026.
Ronaldo ishte në qendër të vëmendjes pas ndeshjes së parë të Portugalisë, por Martinez theksoi se 41-vjeçari vazhdon të mbetet një figurë kyçe brenda skuadrës.
“Ai është sigurisht një lojtar me shumë përvojë dhe kjo na ndihmon. Është një shembull i shkëlqyer se si duhet të qëndrosh i fokusuar. Mënyra se si rikuperohet, mënyra se si përgatitet. Ai është një shembull i madh për ne”.
Trajneri spanjoll shpjegoi gjithashtu rëndësinë taktike që Ronaldo ka në lojën e Portugalisë.
“Ne jemi një ekip që dëshiron të kontrollojë posedimin e topit dhe ta rikuperojë atë sa më shpejt. Kur e kemi topin, na duhet personalitet dhe qartësi për të arritur te porta kundërshtare”.

“Na duhet një lojtar që krijon hapësira. Dhe Cristiano është më i miri në këtë aspekt, këtë e tregojnë edhe statistikat. Ai është një ikonë. Këto lëvizje dhe krijimi i hapësirave janë pjesë shumë e rëndësishme e strategjisë sonë”.
I pyetur për kritikat e vazhdueshme ndaj kapitenit portugez, Martinez e bëri të qartë se Ronaldo vazhdon të ketë ndikim të madh brenda grupit.
“Ai është një shembull, është kapiteni ynë. Reagon si një kapiten. Ka një përvojë të jashtëzakonshme dhe ne mund ta shfrytëzojmë atë”.
“Po flasim për një njeri që e ka mbrojtur dhe përfaqësuar kombëtaren për 21 sezone. Ai ka një uri të pabesueshme për t’u përmirësuar vazhdimisht dhe për të ndihmuar ekipin. Është model për të gjithë në dhomat e zhveshjes”, përfundoi Martinez.
Portugalia do të përballet sot me Uzbekistanin në ndeshjen e dytë të fazës së grupeve, me synimin për të hedhur një hap të madh drejt kualifikimit në fazën eliminatore./Telegrafi/












































