LAJMI I FUNDIT:

Rizvanolli: Marrëdhëniet me MCC-në amerikane nuk janë rrezikuar për asnjë moment

Rizvanolli: Marrëdhëniet me MCC-në amerikane nuk janë rrezikuar për asnjë moment
Foto: Arkiv

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka thënë se marrëdhëniet me Zyrën e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) nuk janë rrezikuar.

Rizvanolli duke diskutuar në Kuvendin e Kosovës lidhur me projektin e gazit që përkrahet nga Shtetet e Bashkuara, është shprehur se granti i MCC-së prej 200 milionë dollarë nuk është humbur.

“Dua të qartësoj që SHBA-ja dhe agjencitë e saj, Bashkimi Evropian në mënyrë bilaterale jo vetëm që na kanë përkrahur në ekspertiza, analiza dhe këshilla, por janë zotuar për të na përkrahur për një tranzicion energjetik”, tha Rizvanolli, shkruan Telegrafi.

Ajo shprehet se me asnjë institucion amerikan nuk janë rrezikuar apo dëmtuar marrëdhëniet.

“Rreth grantit të MCC-së dhe grantit dhe opsionit të përdorimit të gazit ka shumë keqinformim dhe paqartësi. Granti i MCC-së prej 200 milionë dollarë nuk është humbur dhe nuk ka pasur asnjë moment të vetëm që granti është rrezikuar. Marrëdhëniet me MCC-së, SHBA-në e asnjë institucion tjetër amerikan nuk është rrezikuar apo dëmtuar për asnjë moment”, ka përfunduar ajo.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës në buxhetin e ri të propozuar nga presidenti Joe Biden kishte marr vendim që t’i ndaj Kosovës rreth 200 milionë euro në kuadër të MCC-së.

Në këtë fond, njëri nga projektet është ndërtimi i sektorit energjetik, përkatësisht ndërtimi i infrastrukturës së gazit. /Telegrafi/