Rizvanolli: Kosova nuk ka refuzuar gazin amerikan, por ka zgjedhur zgjidhje më praktike dhe ekonomike


Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka deklaruar se Kosova nuk ka zgjedhur importin e energjisë nga shtetet e rajonit në vend të prodhimit vendor apo të gazit amerikan (LNG), por se strategjia energjetike e vendit bazohet në shfrytëzimin e thëngjillit dhe burimeve të ripërtëritshme vendore.
Përmes një videoje të publikuar në Facebook, Rizvanolli hodhi poshtë pretendimet se Qeveria e Kosovës është kundër importit të gazit të lëngshëm nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Po ju drejtohem përmes kësaj video për t’ju theksuar disa fakte në lidhje me çështjen e gazit. E para Kosova nuk ka zgjedhur importin nga shtetet e rajonit para prodhimit vëendor të energjisë elektrike, ose para gazit amerikan, siç po aludohet. Përkundrazi, ne kemi zgjedhur thëngjillin, e burimet e ripërtërishme të energjisë si era dhe dielli, kogjenerimin për ngrohje qendrore dhe efiçiencën e energjisë. Ky kombinim mbështetet në burime vendore dhe është më i liri për qytetarët e bizneset tona. E me gazifikim të qymyrit do të shtojmë kapacitet të reja që janë me teknologji më të avancuar e më pak ndotje".
Sipas ministres në detyrë, bashkëpunimi me Shqipërinë është konsideruar si një zgjidhje më praktike dhe ekonomikisht më e favorshme sesa ndërtimi i një infrastrukture të re të gazit në Kosovë, përcjell Telegrafi.
“Nuk është e vërtetë që Qeveria e Kosovës është kundër gazit të lëngëzuar nga SHBA (LNG) siç po thuhet. Ne qysh në vitin 2022 kemi nënshkruar Memorandum Bashkëpunimi me Shqipërinë me synim bashkëpunimin me termocentralin e Vlorës me energji. Këtë e kemi konsideruar zgjidhje më praktike, më të shpejtë dhe ekonomikisht më të favorshme. Bashkëpunimi për energji në Republikën e Shqipërisë është shumë i natyrshëm dhe në vend të ndërtimit të gazsjellësit e infrastrukturës përcjellëse të gazit që merr kohë e ka kosto financiare, ne mund të importojmë LNG-së përmes Vlorës, të prodhojmë energjinë elektrike atje e ta transmetojmë përmes linjës së interkoneksionit 400kV që e kemi të gatshme sot dhe nuk kërkon asnjë cent investim shtesë”.
Rizvanolli po ashtu tha se nuk është e vërtetë që Kosova e ka ‘refuzuar gazin amerikan’, ose ‘gazsjellësin amerikan’ në vitin 2021.
"Por për draft-projektin e vitit 2021 do të flasim ndaras, më në detaje një ditë tjetër", tha ajo. /Telegrafi/


































