LAJMI I FUNDIT:

Rizvanolli: Konsumi i energjisë gjatë dimrit do të ndikojë në tarifat e vitit të ardhshëm, duhet rishikuar kontrata me KEDS-in

Rizvanolli: Konsumi i energjisë gjatë dimrit do të ndikojë në tarifat e vitit të ardhshëm, duhet rishikuar kontrata me KEDS-in

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli është shprehur se Kosova ka fat që nuk është prekur ende nga kriza energjetike, por në anën tjetër ka paralajmëruar se nga viti i ardhshëm ka gjasa për rritje të tarifave të energjisë elektrike, pasi Kosova është vend që importon energji elektrike dhe konsumi gjatë dimrit rritet më shumë, ndërsa edhe çmimet e energjisë aktualisht janë tejet të larta.

Rizvanolli këto deklarata i bëri në debatin “Fol Hapur” të organizuar nga Lëvizja FOL dhe PIPS, dhe nga aty ka apeluar te qytetarët për kursim të energjisë elektrike veçanërisht që të mos përdoret për ngrohje gjatë dimrit.


“Ne kemi fatin që deri tani nuk jemi prekur dhe nuk pritet të prekemi aq shumë mirëpo duhet ta kemi një gjë parasysh gjatë dimrit importi zakonisht rritet pasi konsumi rritet, çmimet e energjisë nuk pritet që të bien kjo krizë pritet të vazhdojë deri kah marsi-qershori i vitit tjetër. Kjo nuk do të ndjehet në momentin që fillojmë të importojmë menjëherë, mirëpo sa më shumë që importojmë dhe sa më të larta që do jenë çmimet gjatë dimrit kjo do reflektohet në tarifa gjatë vitit vijues. Rishikimi i strukturës tarifore bëhet në prill të vitit të ardhshëm, nëse nuk bëhet për shkak të krizës, po është me rëndësi të thuhet se çka mund të bëjnë qytetarët e para për t’u siguruar që të kursejnë sa më shumë energji dhe mundësisht mos të ngrohen me energji elektrike ne e dimë që edhe kështu për shkak të kapaciteteve e kemi problem se ka mbingarkesë të shumë nënstacioneve se ato nuk janë të dizajnuara që njerëzit të ngrohen me energji elektrike. Sa më shumë që ne konsumojmë gjatë këtij dimri kjo do thotë që importojmë çmimet janë të larta aq më shumë do e ketë ndikimin në tarifat gjatë vitit tjetër derisa nuk ka vend për panik duhet të jemi të ndërgjegjshëm dhe të kujdesshëm”, theksoi Rizvanolli.

Ajo po ashtu ka folur edhe për investimet e mjeteve të Zyrës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) që ishin paraparë për infrastrukturën për gazsjellësin, ku si alternative ajo ka përmendur investimet ne avancim të rrjetit energjetik dhe energji të ripërtritshme.

“Janë identifikuar tri fusha në bashkëpunim me MCC-në, fusha e parë është avancimi i rrjetit energjetik që mund të përfshijë këtu ndërrim të linjave, pajisjeve që mund të përfshijë orë të mençura dhe rrjet të mençur nga ana tjetër fusha e dytë është fusha e akumulimit të energjisë dhe në veçanti investimi në bateri për rezerva, të dyja këto fusha nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën ne kemi kërkuar që të vazhdojmë t’i analizojmë këto dy fusha dhe të shohim një kombinim të këtyre dyjave apo në njërën nga këto fusha t’i orientojmë investimet e financuara nga projekti Kompakt i MCC-së në të ardhmen. Të dyja këto fusha mundësojnë nga njëra ana uljen e humbjeve teknike dhe nga ana tjetër integrimin e burimeve të ripërtritshme të energjisë në sistemin tonë teknik është shumë e vështirë për shkak të mungesës së fleksibilitetit që kemi. Fusha e tretë e cila do të zhvillohet pavarësisht se çka ndodh me dy të para është zhvillimi i shkathtësisë punëtorëve”, u shpreh ajo, raporton KP.

Kriza energjetike në rajon dhe BE, Rizvanolli: Pritet të ketë ndikim edhe në Kosovë, qytetarët të jenë të përgatitur
Lexo po ashtu Kriza energjetike në rajon dhe BE, Rizvanolli: Pritet të ketë ndikim edhe në Kosovë, qytetarët të jenë të përgatitur

Opsioni i ndërtimit të gazsjellësit do të trajtohet por me shumë kujdes dhe një vendim për ndërtim të tij do të merret kurdo që do binden që është opsioni më i mirë, si nga ana teknike ashtu edhe financiare.

Referuar edhe krizës energjetike, ministrja e Ekonomisë tha se është e papërgjegjshme që të marrim vendim për gazsjellësin tani kur shumë vende në botë për shkak të çmimeve tejet të larta po kthehen në termocentrale me thëngjill.

“Jemi në një kohë kur në të gjitha vendet e botës termocentralet me gazë veç nuk janë duke u përdorur e në fakt në disa vende po i kthehen termocentraleve në thëngjill për shkak të çmimit të lartë të gazit edhe të marrim ne një vendim për të ndërtuar infrastrukturë të gazit pa informata të plota dhe në një gjendje të tillë do ishte tejet e papërgjegjshme. Një keqkuptim që pak rrjedh edhe prej deklaratave të opozitës se ky ishte rasti i vetëm dhe që MCC ka pasur në plan ta ndërtojë gazsjellësin. Gazsjellësin në projektet e MCC-së ka qenë të ndërtohet me para të Qeverisë së Kosovës të marra kredi nga BERZH, gjithmonë plani ka qenë që ne ta ndërtojmë gazsjellësin e jo MCC, MCC ka qenë plani të investojë në infrastrukturë tjetër përcjellëse. Opsioni i ndërtimit të gazsjellësit ekziston, do të trajtohet me kujdes dhe të studimet që e përmenda që veçse kanë filluar dhe një vendim i tillë do të merret vetëm kur jemi të bindur se ky është opsioni më i mirë edhe nga ana teknike edhe financiare por edhe nga ana e emetimit”, theksoi ministrja.

Lidhur me mundësinë për rishikimin e kontratës me KEDS-in, Rizvanolli tha se ky veprim duhet të ndodh pasi nga ai varet edhe zhvillimi i sektorit të energjisë.

Ndërsa, lidhur me pagesën e rrymës së shpenzuar në komunat veriore, ajo tha se mos pagesa nuk është opsion dhe se kjo mund të ndikojë negativisht në gjithë të arriturat e sistemit të energjisë. Por shtoi se përkundër që është çështje e ndjeshme dhe duhet kujdes, edhe banorët në komunat me shumicë serbe duhet ta paguajnë energjinë që shpenzojnë.

Rizvanolli: Projekti i MCC-së nuk është dizajnuar për infrastrukturë të gazit, opsioni i ndërtimit ende ekziston
Lexo po ashtu Rizvanolli: Projekti i MCC-së nuk është dizajnuar për infrastrukturë të gazit, opsioni i ndërtimit ende ekziston

“Ky është një aspekt më shumë që ta zgjidhim ka mënyra nuk janë të lehta sigurisht sepse secila kontratë që nënshkruhet merr obligime shteti ka pasojat e veta por kjo është një prej gjërave që duhet të bëhen dhe nuk mund t’i paraqesësh në atë arritjet por zgjedhje e problemeve që është kyçe për zhvillimin e sektorit së të tillë por mund të them se kjo është diçka që duhet të ndodh dhe nga e cila varet zhvillimi sektorit dhe do ta bëjmë këtë. Sigurisht që konsumatorët në veri duhet të paguajnë dhe kjo nuk është për diskutim por gjithashtu duhet të jemi të vetëdijshëm se vetëm t’i thuash dikujt që nuk ka paguar që 20 vite është vështirë të arrihet, jemi duke folur për një çështje shumë sensitive politikisht dhe duhet menaxhim të kujdesshëm, qëllimi është që konsumatorët të trajtohen njëjtë“, u shpreh Rizvanolli.

Lidhur me strategjinë e energjisë ajo tha se aktualisht ka nisur grupi punues po bëhen analiza për koston e energjisë pasi që Kosova nuk e ka luksin të bëjë një listë dëshirash e as strategji që nuk dihet kostoja e tyre.

Në debat, ajo ka thënë se fokusi kryesor gjatë këtyre muajve që është në krye të këtij dikasteri ka qenë energjia, për faktin se në këtë sektor nuk është investuar shumë nga qeveritë e kaluara.

Në fund, Rizvanolli tha se duke qenë ajo në krye të këtij dikasteri nuk do shkojnë përpara kontrata dhe tenderë të dëmshme. Madje ajo tha se për këta gjashtë muaj kanë shpëtuar nga keqpërdorimi miliona euro si dhe tashmë janë duke u hetuar 5 raste për keqpërdorim. /Telegrafi/