LAJMI I FUNDIT:

Rizgjimi qytetar

Rizgjimi qytetar

Malajzia shtrihet në një rreth afër ekuatorit, në mes të rrugës detare ndërmjet Indisë dhe Kinës, përkatësisht në juglindje të kontinentit të Azisë. Vendi përfshin dy zona, që janë: Siujdhesa Malaj (siujdhesa Malajzia), që sot quhet Malajzia Perëndimore dhe Zona e Bregdetit Verior, në perëndim të ujdhesës Borneo, që kufizohet me rajonin indonezian Kalimantan.

Ndarjen e dy zonave të sipërpërmendura e bën Deti Jugor i Kinës. Ne vitin 1963 u themelua Federata e Malajzisë, e cila përfshinte shtetin Malaja, dy ishujt Sabah dhe Sarawak, si dhe Singaporin, i cili u përjashtua në vitin 1965 nga kjo Federatë.


Malajzia dikur ka qenë vend i varfër. Plehrat dhe ujërat ndodheshin gjithandej në kryeqytetin Kuala-Lumpur. Njëzet vjet më parë askush prej jush nuk do të kishte dashur që ta vizitonte këtë vend, por sot ky qytet është më i bukur se shumë kryeqytete evropiane. E gjithë kjo nuk ka ndodhur papritur, por në saje të një ëndrre dhe rizgjimi të qytetarëve.

Mesatarja e të ardhurave për frymë në Malajzi u rrit nga 300 dollarë në 8.000 dollarë amerikanë! U rritën edhe eksportet industriale nga tre miliardë dollarë në 80 miliardë dollarë.

Ata që shkojnë për të investuar në Malajzi priten aq mirë nga nëpunësit qeveritarë, sa që do të bëjnë ç’është e mundur për t’i përmbushur kërkesat tuaja. Madje edhe nëse shërbimi që do të kërkoni nuk do të jetë i mundur në zyrën e tyre, ata do t’i telefonojnë një nëpunësi nga një zyrë tjetër, që mund t’ju ofrojnë atë shërbim.

Por, a ka ardhur koha që edhe ne të rizgjohemi? Ama rizgjimi nuk duhet të jetë i zakonshëm. Ne duhet të rizgjohemi fuqishëm që ndryshimi të jetë madhor. Ky rizgjim duhet të jetë synimi ynë jetësor dhe duhet të përfshijë çdo fushë. Se pari, duhet të shpëtojmë nga poshtërimi dhe të bëjmë progres. Ndryshimi i situatës së vështirë ekonomike dhe papunësisë, e cila sa vjen e shtohet, vetëm se na dëshmon për një domosdoshmëri të një rizgjimi ekonomik.

Shëndetin tonë të dobët dhe sëmundjet e përhapura t’i shndërrojmë në një shëndet të fort mendor e fizik. Ta flakim burokracinë dhe burokratet nga institucionet tona, në mënyrë që të jenë në shërbim të qytetarëve e jo të qeveritarëve.

Kosovën ta bëjmë një shtet demokratik e jo autokratik.

Ta bëjmë një shtet ku sundon e drejta e jo ku e sundojnë të drejtën.

Ta bëjmë një shtet ku luftohet korrupsioni e jo ku promovohet.

Ta bëjmë një shtet ku gjyqtarët duhet të jenë të pavarur në vendimet e tyre e jo të pavarur nga ligji.

Ta bëjmë një shtet ku mediet duhet të jenë makth për politikanet e jo politikanet makth për mediet.

Ta bëjmë një shtet ku për tu punësuar duhet të kërkohen kritere e jo libreza të partive politike.

Ta bëjmë një shtet ku kriter për t’u punësuar një femër duhet të jetë dija e jo bukuria.

Ta bëjmë një shtet ku shkollat janë qendër e edukimit dhe arsimimit e jo vendtakimeve për dashuri.

Ta bëjmë një shtet ku universitetet kanë cilësi e jo sasi.

Ta bëjmë një shtet ku politikanet duhet të japin llogari e jo të bëjnë pasuri.

Ta bëjmë një shtet ku shteti kërcënon partitë e jo partitë me kërcënuar shtetin.

Ta bëjmë një shtet ku institucionet kapen nga qytetarët e jo nga partitë.