LAJMI I FUNDIT:

Risitë që solli Kolegji Saverian

Risitë që solli Kolegji Saverian

Kolegji Saverian, ishte një ndër të paktat shkolla që ekzistonin në fund të shekullit XIX, me etërit jezuitë të kualifikuar në Itali për të cilët Faik Konica ka thënë: “…Baballarët jezuitë, me atë dije që as armiqtë e tyre nuk ia mohojnë.” Kolegji solli në Shqipëri, e veçanërisht në Shkodër, disa risi të cilat ndihmonin në çështjet studimore dhe ofronin mundësi për popullsinë e gjerë.

Etërit jezuitë sollën edhe eksperiencën e tyre në krijimin e kabineteve në fusha të ndryshme të lëndëve ekzakte, ku përmendet Muzeu i Kabinetit të Fizikës i cili ndahej në:

– Seksioni Etnografik që shfaqte interes pasi në të gjendeshin eshtra të marra nga disa varre të Komanit, të cilat dëshmonin pjesën e errët të historisë së Shqipërisë që ka dalë në dritë, falë Kulturës së Komanit.

– Seksioni nunizmatik, i cili kishte më tepër se 1000 monedha, ndër të cilat 45 ishin greke e barbarike, pesë të kohës konsulore, 259 i përkisnin periudhës së Bizantit, 91 Mesjetës – sidomos venedikase e ballkanike.

– Seksioni Merçeologjik, në të cilin gjendeshin kampione të ndryshme sipas degëve të industrisë.

– Seksioni i Historisë së Natyrës, në të cilin gjendeshin koleksione interesante kafshësh të balsamosura, si dhe kafshë me deformime fiziologjike, ku mund të përmendim një qengj me dy koka.

Matimetikani e fizikani i njohur A. Crocialani, ndërtoi vetë Kabinetin e Matematikës e të Fizikës, i cili u pasurua vazhdimisht, në fillim nga Perandori i Austrisë Franc Jozefi (emri i tij jepet në dokumentet shqiptare i përkthyer si Frano Zefi) e pas tij nga Qeveria Italiane nëpërmjet ministrit të Italisë në Tiranë, Ugo Sola.

Rëndësi të jashtëzakonshme kishte edhe “Tipografia e Zojës së Papërlyeme” themeluar si e para shtypshkronjë në Shkodër, e ndër më të hershmet në Shqipëri. Në të u botuan, përveç librave shkollorë, edhe shumë libra të tjerë me rëndësi për çështjet fetare e kombëtare, duke dëshmuar edhe një herë pazgjidhshmërinë e binomit “Fe e Atdhe”.

Rëndësi të veçantë pati edhe ngritja e të parit Institut Meteorologjik, vëzhgimet e të cilit këqyreshin nga Vjena, e cila në raportet e saj periodike jepte lëvdata për punën e tij

Diçka që ndihmoi shumë në kultivimin e artit te të rinjtë, ishte çelja e së parës shkollë vizatimi. Mësuesi i parë ishte Pjetro Marubbi, të cilin Kolegji e përshkruante në dokumentet e kohës “nji fotograf i njohur”. Pas tij, mësues ishte ati jezuit Gaetano Rossi S. J., i cili shërbeu si mësues për një periudhë 20-vjeçare. Përparësi iu dha vizatimeve artistike dhe skicave të vizatimeve teknike, për të cilat shfaqi interes edhe qeveria, çka nxiti zhvillimin e kësaj dege.

Pranë godinës së Ateljesë ishte edhe një godinë tjetër, ajo e harteve (truporeve) plastike në të cilën u punuan pjesa më e madhe e truporeve të Shenjtërve, të cilët mbushën pjesën më të madhe të kishave në Shqipëri.

Të gjitha këto janë një pjesë e vogël e asaj magjie studimore e artistike, që sollën me vete etërit jezuitë. /Konica/