LAJMI I FUNDIT:

​Mes përplasjeve për ‘pazare’, Komisioni për Transfere miraton rishikimin e Buxhetit për vitin 2021

​Mes përplasjeve për ‘pazare’, Komisioni për Transfere miraton rishikimin e Buxhetit për vitin 2021

Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere ka miratuar Raportin me amendamente të Projektligjit për rishikimin e Buxhetit për vitin 2021.

I njëjti u kritikua nga opozita, derisa deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti e quajti shumicë parlamentare arrogante edhe në çështje për rëndësinë e vendit.


“Shpresoj që të ndërrohet kjo frymë e bashkëpunimit, por shpreh keqardhje për mënyrën si i keni kaluar amendamentet. Deputeti Hamza që ka qenë gjithashtu ish-ministër i Financave ka dhënë plotë komente, jo amendamente që kanë implikime buxhetore, por komente se si mund të përmirësohet disa prej amendamenteve që buxheti të bëhet më funksional. Gjithashtu dy-tri propozime i kam dhënë për të përmirësuar disa amendamente të cilat ju si kryetar veç i keni qitë në votim duke i mbivotuar. Nuk është kjo mënyra e duhur dhe duhet të ndërrohet kjo qasje”, tha Hoti.

Por një gjë të tillë e mohoi deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Eman Rrahmani, cili tha se opozita s’ka qenë bashkëpunuese.

“Kjo mbledhje edhe mbledhja e kaluara kanë qenë një mundësi e bashkëpunimit dhe reflektimit të opozitës për të bashkëpunuar në projekte të cilat janë në interes të qytetarit. Për shkak se ju keni qenë dëshmitarë se në mbledhjen e kaluar të komisionit janë refuzuar kërkesa të ministrive që kanë ardhur. Natyrisht që refuzohen kërkesat nga komunat që kërkesat e tyre nuk kanë bazë për t’u shqyrtuar. Nëse deri tash është mësuar me një praktikë ku edhe në rishikime bëhen pazare me subjekte dhe deputetë, mendoj se tash ka kaluar kjo kohë dhe tash e tutje do të punohet ku është interesi i qytetarëve”, tha Rrahmani.

Megjithatë, deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj tha se pushteti ka bërë “pazar” me rishikimin e buxhetit, pasi i vetmi amendament nga opozita që ka kaluar ka qenë i deputetes, Albena Reshitaj, që ka votuar pro presidentit.

“Është bërë e padrejtë për kërkesat e kryetarëve të komunave që kanë qenë projekte tri vjeçare. Po thuajse 80 për qind këtyre projekteve janë ndaluar për shkak të buxhetit. Asnjëra prej tyre, pajtohem për projekte të reja, por ato kode që janë ekzistuese që ka kontrata dhe kontraktuesi ka obligime ndaj punëdhënësit është dashur të jenë më realiste. Të kemi bashkëpunim ndërmjet veti. Deputetja që ka votuar për presidenten dhe kërkesa e saj është aprovuar në këtë komision, Albena Reshitajt iu është aprovuar në këtë komision, këtu çka po i vjen era. Mendoj se ne nuk kemi bërë pazare me askënd. I vetmi amendament që ka kaluar është i Albena Reshitaj. Kjo është e padrejtë kur të tjerat as nuk janë marrë parasysh”, theksoi Lekaj.

Kuvendi i Kosovës gjatë ditës së mërkurë do të mbajë seancën e radhës plenare ku pritet të shqyrtohet në lexim të dytë Projektligji për rishikimin e Buxhetit.

Kuvendi të mërkurën pritet të shqyrtoj Projektligjin për rishikimin e Buxhetit
Lexo po ashtu Kuvendi të mërkurën pritet të shqyrtoj Projektligjin për rishikimin e Buxhetit

“Shqyrtimi i dytë i Projektligjit 08/L-016 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit 07/L-041 mbi ndarjet buxhetore për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2021”, thuhej në njoftimin e Kuvendit, përcjell Telegrafi.

Ditë më parë, me shumicë votash Kuvendi kishte miratuar në lexim të parë rishikimin e Buxhetit.

Me buxhetin e rishikuar, shpenzimet do të jetë në total 2 miliardë e 516 milionë euro, kurse të hyrat do të jenë 2 miliardë e 43 milionë euro.

Po ashtu, është paraparë të bëhet edhe një marrëveshje ndërkombëtare në formë kredie për mbulimin e pasojave të shkaktuara nga COVID-19, por që është kundërshtuar nga deputetët e opozitës. /Telegrafi/