Rinovohet Teatri “Avdush Hasani” në Podujevë, investim mbi 200 mijë euro në mbështetje të kulturës

Teatri i qytetit “Avdush Hasani” ka marrë pamje të re pas një rinovimi të plotë dhe zgjerimit të hapësirave, duke u shndërruar në një qendër moderne të artit dhe kulturës në Podujevë.
Përurimi i punimeve u bë në një ceremoni solemne ku morën pjesë kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, nënkryetarja Marigona Lahu, drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport, Vlora Humolli-Jashanica, drejtoresha e Teatrit, Elheme Kutllovci, artistë e qytetarë, përcjell Telegrafi.
Kryetari Bulliqi theksoi se ky projekt përfaqëson një hap të rëndësishëm në përkrahje të jetës kulturore në komunë.
“Ky investim me vlerë mbi 200 mijë euro ka transformuar plotësisht objektin dhe hapësirën përreth, duke e kthyer Teatrin e qytetit në një qendër moderne të artit dhe kulturës për artistët dhe artdashësit tanë”, tha ai.
Rinovimi i Teatrit “Avdush Hasani” pritet të krijojë kushte më të mira për zhvillimin e aktiviteteve artistike dhe përfshirjen më të gjerë të komunitetit në jetën kulturore të Podujevës. /Telegrafi/

















































