LAJMI I FUNDIT:

“Ring boksi” gjatë një debati televiziv në Liban, politikani rrihet me grushte me një gazetar

“Ring boksi” gjatë një debati televiziv në Liban, politikani rrihet me grushte me një gazetar

Një përleshje shpërtheu të enjten mbrëma mes një ish-ministri dhe gazetari gjatë një debati televiziv në Liban.

Kjo kishte ndodhur gjatë emisionit “Sar El-Wa’et” (Është koha) i drejtuar nga Marcel Ghanem.


Përleshja shpërtheu midis ish-ministrit të qeverisë libaneze Wiam Wahab dhe gazetarit Simon Abou Fadel.

Wahab njihet për lidhjet e tij të ngushta me Hezbollahun dhe aleatët e tij, derisa gazetari njihet për qëndrimet e tij në linjë me partinë e Forcave Libaneze.

Mosmarrëveshja mes dy palëve filloi kur diskutimi u kthye për sanksionet amerikane të vendosura ndaj Wahabit dhe u përshkallëzua kur Abou Fadel i tha se “SHBA-ja po i disiplinonte libanezët”.

Ish-ministri Wahab më pas sulmoi gazetarin dhe truprojat e tij gjithashtu kanë ndërhyrë. Abou Fadel ra në tokë, duke u goditur vazhdimisht derisa transmetimi u ndërpre.

Personeli i Forcave të Armatosura Libaneze mbërriti në ambientet e stacionit televiziv për të marrë kontrollin e situatës.

Transmetimi rifilloi më vonë dhe Wahab kërkoi falje në transmetim para se t’i kërkohej të largohej nga nikoqiri i emisionit. /Telegrafi/