LAJMI I FUNDIT:

Rilexim i thelluar i strategjisë së zgjerimit të BE-së

Rilexim i thelluar i strategjisë së zgjerimit të BE-së
Ilustrim

Lavdrim Lita

Më 6 shkurt, Komisioni Evropian paraqiti strategjinë e re për zgjerimin e Bashkimit Evropian. Në përcaktimin e prioriteteve në të cilat duhet të ndërhyjë dhe një rrugë e përcaktuar mirë me një perspektivë të qartë të integrimit, Komisioni Evropian i vë çelësat suksesit apo dështimit në duart e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor. Në fakt, që nga inaugurimi i saj në 2014-n, Komisioni i kryesuar nga Jean-Claude Juncker kishte ftohur disi perspektivat për zgjerim me anëtarë të rinj, duke u përqendruar në konsolidimin e Bashkimit Evropian.


Çuditërisht, në shtatorin e kaluar, në fjalimin e tij mbi gjendjen e Bashkimit Evropian, Juncker risolli temën e zgjerimit në Ballkanin Perëndimor, duke nxitur mundësinë e integrimit të Serbisë dhe Malit të Zi deri në vitin 2025. Komisioni më pas paraqiti strategjinë e re, ndërkohë, që në fund të muajit shkurt, Juncker do të vizitojë vendet e Ballkanit, që ende nuk janë anëtarë të BE-së. Strategjia e re konfirmon perspektivën evropiane për Ballkanin Perëndimor dhe thekson prioritetet që duhen ndjekur.

Së pari, Komisioni vëren se një numër çështjesh – si p.sh. pavarësia e gjyqësorit, korrupsioni, mungesa e transparencës, politizimi i aparatit administrativ dhe sulmet ndaj pavarësisë së mediave – ende ngrenë dyshime serioze për konsolidimin e sundimit të ligjit në të gjitha vendet e rajonit. Në këtë kontekst, ripohohet përkushtimi strategjik për të hapur të parët kapitujt negociues (23 dhe 24) në lidhje me drejtësinë dhe të drejtat themelore.

Së dyti, ekonomitë e rajonit, të përcaktuara si jo konkurruese dhe të papërshtatshme ndaj presioneve të tregut të përbashkët evropian, janë një shqetësim.

Së fundmi, Komisioni nënvizon nevojën për pajtim në rajon. Duke e ditur gabimin e bërë me mosmarrëveshjen territoriale në Gjirin e Piranos midis Sllovenisë dhe Kroacisë, Komisioni Evropian paralajmëron vendet e rajonit – me theks të veçantë në normalizimin e marrëdhënieve midis Prishtinës dhe Beogradit – se çdo mosmarrëveshje dypalëshe duhet të zgjidhet përfundimisht dhe e detyrueshme, para pranimit në BE.

Komisioni Evropian synon të mbështesë përpjekjet e vendeve kandidate duke rritur fondet e Instrumentit të Para Anëtarësimit (IPA), duke rritur pjesëmarrjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor në politikat e BE-së dhe duke zhvilluar gjashtë iniciativa specifike në lidhje me forcimin e sundimin e ligjit, bashkëpunim më të ngushtë në aspektin e sigurisë dhe migracionit; mbështetje më të madhe për zhvillimin ekonomik; rritja e lidhjes ndërballkanike dhe me BE-në; nisjen e një axhende rajonale dixhitale; dhe së fundi, një mbështetje të fuqishme për pajtim.

Projektet më interesante përfshijnë misionet e konsulencës dhe monitorimit në çështjet gjyqësore, dyfishimin e fondeve Erasmus +, uljen e kostove të roamingut dhe zgjerimin e broadband. Komisioni Evropian i jep Serbisë dhe Malit të Zi, dy vende që tashmë kanë filluar të negociojnë aderimin, rolin e liderit, me mundësinë ambicioze të integrimit të tyre në BE për vitin 2025. Rruga e të dy vendeve sllave do të shërbejë si pikë referimi për shtetet e tjera të zonës që, duke u angazhuar, do të kenë mundësinë t’i arrijnë ato. Identifikimi i një date të dëshiruar të aderimit synon të stimulojë progresin e qeverive dhe të sigurojë një platformë për forcat politike, që deklarojnë se duan të arrijnë objektivat e përcaktuara nga Komisioni.

Përveç Serbisë dhe Malit të Zi, Shqipëria dhe Maqedonia janë vende kandidate, ndërsa BE po vlerëson kandidaturën e Bosnjë dhe Herzegovinës dhe Kosova ka ratifikuar marrëveshjen e asociimit. Për të mbështetur integrimin e Ballkanit, Komisioni Evropian gjithashtu nënvizon një strategji brenda BE-së, të vetëdijshëm se mbështetja e zgjerimit me vende të tjera nuk është unanime në mesin e shteteve anëtare dhe se 47% e qytetarëve të BE-së janë kundër. Për këto arsye, Komisioni thekson në mënyrë të përsëritur përfitimet ekonomike e interesat gjeopolitikë dhe të sigurisë, të lidhura me integrimin e Ballkanit Perëndimor.

Arsyet gjeopolitike dhe gatishmëria për t’iu përgjigjur rritjes së ndikimit rus, turk dhe kinez dalin qartë në strategji, aq shumë sa që Komisioni kërkon nga shtetet anëtare të ardhshme “një shtrirje të plotë ndaj politikës së përbashkët të jashtme dhe sigurisë”. Për më tepër, Komisioni synon të miratojë dy nisma të reja për të përgatitur vetë Bashkimin Evropian për integrimin me anëtarë të rinj. Në veçanti, nisma e parë do të donte të rriste fushat e politikës së jashtme, në të cilën do të ishte e mundur të merrnin vendime me shumicë të kualifikuar të shteteve anëtare, me qëllim që të shmangnin veto të mundshme.

Ndërsa nisma e dytë, me referencë të qartë për situatën në Poloni, synon të thjeshtojë përdorimin e nenit 7 të traktatit të Bashkimit Evropian, në rast të një kërcënimi për sundimin e ligjit në një shtet anëtar. Propozimet e fundit janë të lidhura me procesin më të gjerë të konsolidimit dhe forcimit të BE-së pas Brexit. Duke pasur parasysh këtë, politika e zgjerimit është shfrytëzuar nga Komisioni për të detyruar unitetin midis shteteve anëtare, veçantinë e politikës së jashtme dhe për të rritur fuqinë e Komisionit, duke respektuar vlerat themelore të Bashkimit.

Po kështu, duke deklaruar se “bashkimi me BE-në është një zgjedhje e gjeneratës së re, e bazuar në vlerat themelore, që çdo shtet duhet të përqafojë në një mënyrë shumë më aktive, nga politikat e veta të jashtme dhe rajonale në atë, që mësohet në shkollë për fëmijët”, strategjia e re e Komisionit synon të fshijë të gjitha hipokrizitë dhe të gozhdojë shtetet e Ballkanit Perëndimor në përgjegjësitë e tij. Në këto kushte, strategjia e re për zgjerimin e BE-së rrezikon të interpretohet si një ultimatum. /Panorama/