LAJMI I FUNDIT:

Ridvan Dibra, kandidat për çmimin letrar “Balkanika 2017”

Ridvan Dibra, kandidat për çmimin letrar “Balkanika 2017”

Shkrimtari shqiptar, Ridvan Dibra, autor i mbi njëzet librave në prozë, poezi, eseistikë e studime letrare, do të përfaqësojë këtë vit letërsinë shqipe në një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore dhe letrare për rajonin e Ballkanit, që mban emrin “Balkanika”, me romanin e tij “Legjenda e vetmisë” (botuar në shqip nga Shtëpia Botuese “Onufri”).

Kjo ngjarje e rëndësishme kulturore do të organizohet në Bukuresht të Rumanisë, më 15 dhjetor 2018, ndërkohë që juria ndërkombëtare do të mblidhet për të diskutuar dhe vendosur për veprën më të mirë të botuar në rajonin e Ballkanit, në datat 13-15 dhjetor.


Përfaqësuese e Shqipërisë në jurinë ndërkombëtare është Bisej Kapo. Anëtarët e Jurisë Kombëtare të këtij edicioni ishin: Floresha Dado, Piro Misha, Diana Çuli, Sonila Kapo dhe Preç Zogaj.

Shkrimtarët pjesëmarrës të këtij edicioni, sipas vendeve përkatëse, janë:

– Ridvan Dibra “Le petit Bala: La Légende de la solitude” (Legjenda e vetmisë) – Shqipëria.

– Aksinia Mihaylova “Changement des miroires” (Ndryshimi i pasqyrave) – Bullgaria.

– Ermis Lafazanovski “Histoires” (Tregime) – Shkupi.

– Rhea Galanaki “L’ultime humiliation” (Poshtërimi i fundit) – Greqia.

– Ayhan Geçgin “La longue marche” (Rrugëtimi i gjatë) – Turqia.

– Eugen Uricaru “Le poids d’un ange” (Pesha e një engjëlli) – Rumania.

– Srfjan Srdiq “Combustion” (Djegie) – Serbia.

“Balkanika” është çmimi letrar më i rëndësishëm që ndahet për letërsinë ballkanike. Krijimtaria e Ridvan Dibrës, që përfaqëson letërsinë shqipe në këtë konkurs, është përkthyer në disa gjuhë, si: anglisht, frëngjisht, gjermanisht, italisht, rumanisht etj., si dhe përfshirë në disa antologji brenda e jashtë vendit.