Një nga pyetjet më të zakonshme që i bëhet radiologëve nga pacientët është se ku qëndron dallimi në mes Tomografisë së Kompjuterizuar dhe Rezonancës Magnetike. Pse duhet të bëjmë një TK në vend të një RM, apo anasjelltas. Ose, pse duhet të bëjmë RM pas TK apo TK pas RM?

Dr. Ilir Ahmetgjekaj PhD
Radiolog
Ligjërues në UBT – Prishtinë
QKUK – Klinika e Radiologjisë
Prima Imaging Center – Prishtinë
ilir.ahmetgjekaj@ubt-uni.net
tel. 049858333

Specialistët e radiologjisë kanë përgjigjet e duhura për këto pyetje. Përgjigjet e duhura gjinden duke iu përgjigjur pyetjeve themelore:

1. Cilën pjesë të trupit mjeku juaj kërkon që të ekzaminoni, dhe
2. Cila është arsyeja për ekzaminimin?

Përzgjedhja në mes të Rezonancës Magnetike (RM, MRI) dhe Tomografisë së Kompjuterizuar (TK, CT), varet nga ajo se çka kërkohet të vizualizohet dhe arsyeja për të cilën duhet të bëhet ky ekzaminim.

Radiologët janë mjekët e specializuar për interpretimin e imazheve të trupit dhe për këtë arsye ata janë personat që e dinë më së miri se cila metodë duhet të përdoret që të ketë saktësi më të madhe në diagnostikim.

Shumë nga specialistët e lëmive të tjera mund të dinë gjithashtu se cili është ekzaminimi më i përshtatshëm, bazuar në bashkëpunimin të cilën e kanë me radiologët. Kështu që, një komunikim i mirëfilltë në mes të radiologëve dhe specialistëve tjerë, është çelës i diagnostikimit më të saktë imazherik.

RM dhe TK bëhen për shumë arsye. Këto përdoren për të zbuluar problemet, siç janë tumoret, gjakderdhjet, lëndimet, sëmundjet e enëve të gjakut apo infeksionet.

RM mund të bëhet për të dhënë informata shtesë rreth problemeve të gjetura me Rëntgen, Ultrazë apo TK.

Gjatë ekzaminimit me RM dhe TK mund të aplikohet kontrasti (injektohet në venë) që të zbulohen më qartë anomalitë e indeve.

Tomografia e Kompjuterizuar (TK, CT)

RM dhe TK mund të bëhen për:

Kokë: RM dhe TK bëhen për tumoret, aneurizmat, gjakderdhjet në tru, lëndimin e nervave, apo problemet e tjera siç janë dëmtimet e shkaktuara nga sulmi në tru. RM dhe TK gjithashtu mund të gjejë problemin e syve dhe nervit optik, veshëve dhe nervave të dëgjimit.

Gjoks: RM dhe TK bëhen për zemër, valvula dhe arteriet koronare. Mund të zbulojnë nëse zemra dhe mushkëritë janë të dëmtuara. RM dhe TK e gjoksit gjithashtu mund të zbulojë edhe kancerin e gjirit apo të mushkërive.

Enë të gjakut: Duke përdorur RM dhe TK ne mund të studiojmë enët e gjakut dhe rrjedhën e gjakut nëpër trup, që quhet Angjiografi me Rezonancë Magnetike (RM Angio, MRI Angio) apo Angjiografi me Tomografi të Kompjuterizuar (TK Angio, CT Angio). Mund të gjejnë problemet e arterieve dhe venave, siç janë aneurizmat, bllokimi i enës së gjakut apo disekacioni. Me RM ndonjëherë përdoret kontrasti që enët e gjakut të duken më qartë, ndërsa me TK kontrasti përdoret çdoherë.

Abdomen dhe pelvik: RM dhe TK mund të gjejnë problemet në organet dhe strukturat e barkut, siç janë në mëlçi, idhëz, pankreas, veshka, shpretkë apo në fshikën urinare. Përdoren për të gjetur tumoret, gjakderdhjet, infeksionet apo bllokimet. Tek femrat përdoret për uterusin dhe ovarët; tek meshkuj për prostatë.

Eshtra dhe nyje: RM dhe TK mund të gjejnë problemet në eshtra dhe nyje, siç janë artriti, problemet me nyjen temporo-mandibulare, tumoret e eshtrave, kartilagun, ligamentet dhe tetivat, infeksionet etj. RM dhe TK mund të detektojnë gjithashtu nëse një asht është i thyer, nëse Rëntgeni nuk është i qartë. Çdo ditë e më shumë RM po përdoret më shumë dhe më me sukses për eshtrat dhe nyjet, krahasuar me TK.

Kurriz: Me RM dhe TK mund të zbulojmë problemet me diskun dhe nervat e shpinës tek problemet si stenoza, hernia e diskut apo tumoret.

SONY DSC

Imazhet me TK nuk i tregojnë tetivat dhe ligamentet, të paktën ende jo. RM është zgjidhja më e mirë për këtë. Tetivat dhe ligamentet përreth supeve dhe gjurit shihen më mire me RM. Kjo është rezultat i dendësisë së indeve që përbëjnë tetivat dhe ligamentet.

Palca kurrizore shihet më së miri me RM për të njëjtën arsye. Dendësinë e palcës kurrizore dhe përbërjen e saj mund ta vërejmë përmes këtij ekzaminimi dhe, atë shumë më mirë se sa me TK.

Ka edhe tjera arsye pse TK është zgjedhja e duhur krahas RM-së. TK është modaliteti i preferuar për kancer, pneumoni dhe kur rëntgeni është me anomali. TK është shumë më superiore në vizualizimin e mushkërive.

Gjakderdhja në tru, veçanërisht nga lëndimi, shihet më mirë në TK se sa me RM, në gjendjet akute, ndërsa në gjendjet kronike RM është superiore. Një tumor në tru shihet më mirë në RM. Ndryshimet degjenerative të trurit shihen më mirë me RM.

Nëse ju keni pësuar një aksident, organet mund të jenë shqyer ose dëmtuar. TK tregon shqyerjen e organeve dhe plagosjen e tyre, shpejtë dhe me efikasitet. Kockat e thyera dhe unazat e shtyllës kurrizore shihen më mirë me TK, mirëpo vetë lëndimi i palcës kurrizore vërehet shumë më qartë me RM.

Shumë shpesh është i domosdoshëm ekzaminimi me të dy metodat për arsye se plotësojnë në mënyrë njëra tjetrën.

Rezonanca Magnetike (RM, MRI)

Çka dallon ekzaminimi me RM nga ajo me TK?

Kur bëhet një RM është e mundur të bëhen imazhe (fotografi) nga gati të gjitha drejtimet, përderisa me TK vetëm fotografi në një kënd. Ekzaminimi me RM nuk ka rreze jonizuese (rreze X). Imazhet me RM gati çdo herë janë më të detajuara.

Si bëhet një Rezonancë Magnetike?

RM është procedurë e lehtë pas të cilit ekzaminim pacienti mund të shkojë në shtëpi. Gjatë ekzaminimit është shumë e rëndësishme që pacienti të qëndrojë komplet i palëvizshëm. Për këtë arsye shpesh tek fëmijët duhet të jepet anestetik para se të bëhet ekzaminimi.

Përderisa i ekspozoheni një fushe magnetike të fuqishme, është shumë e rëndësishme që pacienti mos të ketë stoli apo objekte të tjera metalike.

RM nuk mund të bëhet tek pacientët të cilët kanë implante elektrike, siç është një implant i veshit, PaceMaker, apo kanë në trup metale të tjera siç janë klipset e ndryshme kirurgjikale. Por, metalet ortopedike si kukat artificial, apo protezat e tjera metalike në kushte normale nuk janë ndonjë problem.

A është një ekzaminim me RM i rrezikshëm?

Nuk njihen rreziqe apo efekte anësore të lidhura me një ekzaminim me RM. Është pa dhimbje – pacienti nuk mund ta ndiejë atë. Përderisa nuk përdoren rrezatimet, ekzaminimi mund të përsëritet aq herë sa është e nevojshme, pa ndonjë pasojë. Teorikisht ekziston një rrezik i vogël për fetusin në 12 javët e para të shtatzënisë, për këtë arsye gjatë kësaj periudhe nuk preferohet ky ekzaminim.

Pacienti që të bëjë RM-në duhet të qëndrojë i shtrirë dhe të futet në brendinë e një cilindri të madh, moment ky që mund të jetë problematik për individët që kanë fobi nga hapësirat e mbyllura – klaustrofobik. Kësaj kategorie të pacientëve shpesh duhet t’u jepet anestetik. Pacientët e tjerë që kanë frikë nga një gjendje e tillë konsultohen paraprakisht me mjekun e tyre, i cili mund t’u japë medikamente që mundësojnë relaksimin. Aparatura gjithashtu gjatë incizimit lëshon zhurma të konsiderueshme, të cilat mund të jenë të pakëndshme për pacientin.

Si bëhet një Tomografi e Kompjuterizuar?

TK duket si një rreth i madh. Gjatë ekzaminimit pacienti qëndron i shtrirë në shtrat me pjesën e trupit që duhet të ekzaminohet, i pozicionuar brenda këtij rrethi, por pa e prekur atë. Shtrati pastaj lëvizë ngadalë para dhe prapa, që t’ia mundësojë TK-së që të bëjë incizime të trupit, gjithashtu pa e prekur pacientin. Kohëzgjatja e ekzaminimit në krahasim me RM është shumë më e vogël.

Ekzaminim me Rezonancë Magnerike

A është një ekzaminim me TK i rrezikshëm?

Ekzaminimi nuk shkakton dhimbje, por disa pacientë e shohin si të pakëndshme shtrirjen brenda TK-së. Si edhe në RM, por shumë më pak, pacientët klaustrofobik kanë probleme me këtë ekzaminim. Për këtë arsye, pacientët duhet paraprakisht të njoftojnë radiologun apo teknikun e radiologjisë për një fobi të tillë. Gjithashtu, zhurma që lëshon TK mund të jetë shqetësuese për disa pacientë, shqetësim ky i panevojshëm!

Përderisa TK punon me rrezatim jonizues – rreze X, mjekët nuk udhëzojnë ekzaminime të tilla pa ndonjë arsye të fortë mjekësore.

Si tek RM ashtu edhe tek TK ndodhë të përdoret substancë e kontrastit – që injektohet në venë, dhe mund të jep reaksione alergjike. Për këtë arsye duhet të njoftohet radiologu, në rast së ju si pacientë keni çfarëdo lloj alergjie, astmë apo probleme me veshka.

Këshilla ime drejtuar pacientëve: Nëse ju duhet të bëni njërën nga këto ekzaminime, mos hezitoni të pyesni radiologun për çdo shqetësim të mundshëm. Pavarësisht nga metoda e ekzaminimit, dobitë gjithmonë janë më të mëdha se sa dëmet e mundshme. /Telegrafi/