LAJMI I FUNDIT:

Revolucioni ynë i informacionit

Revolucioni ynë i informacionit

Shpesh thuhet se po përjetojmë një revolucion informacioni. Por çfarë do të thotë kjo dhe ku po na çon revolucioni?

Revolucionet e informacionit nuk janë diçka e re. Në vitin 1439, shtypshkronja e Johannes Gutenberg nisi epokën e komunikimit masiv. Revolucioni ynë aktual, i cili filloi në Silikon Vallei në vitet 1960, lidhet me Ligjin e Moore: numri i transistorëve në një çip kompjuteri dyfishohet çdo dy vjet.


Në fillim të shekullit njëzet e një, fuqia informatike kushton sa një e njëmijta e asaj që kushtonte në fillim të viteve 1970. Tani interneti lidh pothuajse gjithçka. Në mesin e vitit 1993, në botë kishte rreth 130 faqe interneti. Në vitin 2000, ky numër i kishte tejkaluar 15 milionë. Sot, më shumë se 3.5 miliard njerëz janë onlain; ekspertët parashikojnë që deri në vitin 2020, “Interneti i Gjërave” do të lidhë 20 miliardë pajisje. Revolucioni ynë informatikë është ende në fillimet e tij.

Karakteristika kryesore e revolucionit të tanishëm nuk është shpejtësia e komunikimit. Komunikimi i menjëhershëm me telegraf daton në mesin e shekullit të nëntëmbëdhjetë. Ndryshimi kryesor është ulja e madhe e kostos së transmetimit dhe ruajtjes së informacionit. Nëse çmimi i një automjeti do të kishte rënë aq shpejt sa çmimi i fuqisë informatike, sot një makinë do të mund të blihej me të njëjtin çmim sa një drekë e lirë. Kur çmimi i teknologjisë bie kaq shpejt, ajo bëhet e aksesueshme gjerësisht dhe pengesat bien. Për të gjitha qëllimet praktike, sasia e informacionit që mund të transmetohet në mbarë botën është virtualisht e pafund.

Kostoja e ruajtjes së informacionit ka rënë gjithashtu në mënyrë dramatike, duke i mundësuar epokës tonë të tanishme të dhëna të mëdha. Informacione që dikur do të mbushnin një depo, tani mund t’i fusni në xhepin tuaj të këmishës.

Në mesin e shekullit të njëzetë, njerëzit druheshin se revolucioni në kompjuterë dhe komunikime do të çonin në një lloj kontrolli të centralizuar të përshkruar në romanin dystopian të George Orwell 1984. Vëllai i Madh do të na vëzhgonte nga një kompjuter qendror, duke e bërë autonominë individuale të pakuptimtë.

Në vend të kësaj, meqë kostoja e fuqisë informatike ka rënë dhe kompjuterët janë zvogëluar dhe janë bërë sa smartfonët, orët e dorës dhe pajisje të tjera portative, efektet e tyre decentralizuese kanë plotësuar efektet e tyre centralizuese, duke mundësuar komunikimin midis tyre dhe mobilizimin e grupeve të reja. Megjithatë, për ironi, ky trend teknologjik ka decentralizuar gjithashtu mbikëqyrjen: miliarda njerëz në ditët e sotme vullnetarisht mbajnë një pajisje gjurmuese që vazhdon të shkelë privatësinë e tyre ndërsa kërkon antena celularësh. Ne e kemi futur në xhep Vëllain e Madh.

Në mënyrë të ngjashme, rrjetet sociale krijojnë grupe të reja transnacionale, por gjithashtu krijojnë mundësi për manipulim nga qeveritë dhe të tjerët. Facebook lidh më shumë se dy miliardë njerëz dhe, siç u tregua nga ndërhyrja ruse në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 në SHBA, këto lidhje dhe grupe mund të shfrytëzohen për qëllime politike. Europa është përpjekur të krijojë rregulla për mbrojtjen e privatësisë me Rregulloren e saj të Përgjithshme të Mbrojtjes së të Dhënave, por suksesi i saj nuk është ende i sigurt. Ndërkohë, Kina po kombinon mbikëqyrjen me zhvillimin e renditjes së krediteve sociale që do të kufizojnë liritë personale siç është udhëtimi.

Informacioni siguron pushtet dhe më shumë njerëz kanë qasje në më shumë informacione se kurrë më parë, për mirë dhe për keq. Ky pushtet mund të përdoret jo vetëm nga qeveritë, por edhe nga aktorë jo-shtetërorë që variojnë nga korporatat e mëdha dhe organizatat jofitimprurëse deri te kriminelët, terroristët dhe grupet informale ad hoc

Kjo nuk do të thotë fundi i shtetit komb. Qeveritë mbeten aktorët më të fuqishëm në skenën globale, por skena është mbushur gjithnjë e më shumë dhe shumë prej lojtarëve të rinj mund të konkurrojnë në mënyrë efikase në fushën e pushtetit të butë. Një marinë e fuqishme është e rëndësishme për të kontrolluar detin, por nuk ofron shumë ndihmë në internet. Në Europën e shekullit të nëntëmbëdhjetë, shenja e një pushteti të madh ishte aftësia e saj për të mbizotëruar në luftë, por, siç ka theksuar analisti amerikan John Arquilla, në epokën e sotme globale të informacionit, fitorja shpesh nuk varet nga ushtria e kujt fiton, por historia e kujt fiton.

Diplomacia publike dhe pushteti për të joshur dhe bindur bëhen gjithnjë e më të rëndësishme, por diplomacia publike po ndryshon. Ikën ditët kur oficerët e shërbimit të huaj vendosnin projektorë në zona të thella për të shfaqur filma për audienca të izoluara ose njerëzit pas Perdes së Hekurt mblidheshin rreth valëve të shkurtra të radios për të dëgjuar BBC-në. Progresi teknologjik ka çuar në një shpërthim informacioni dhe kjo ka prodhuar një “paradoks bollëku”, një bollëk informacioni çon në mungesë vëmendjeje.

Kur njerëzit janë të mbingarkuar nga vëllimi i informacionit me të cilin përballen, është e vështirë të dish se ku të përqendrohesh. Vëmendja, jo informacioni, bëhet burimi i pakët. Pushteti i butë i joshjes bëhet një burim edhe më vta pushteti sesa në të kaluarën, por po ashtu edhe pushteti i fortë dhe i mprehtë i luftës së informacionit. Dhe, ndërsa reputacioni bëhet gjithnjë e më jetësor, përpjekjet politike për krijimin dhe shkatërrimin e besueshmërisë shumëfishohen. Informacioni që ngjan si propagandë jo vetëm që mund të përçmohet, por mund të jetë edhe kundërproduktiv nëse dëmton reputacionin e një vendi për besueshmëri.

Për shembull, gjatë luftës në Irak trajtimi i të burgosurve në Abu Ghraib dhe Gjirin e Guantanamos në një mënyrë që nuk përputhej me vlerat e deklaruara të Amerikës, çoi në perceptime të hipokrizisë që nuk mund të ndryshoheshin duke transmetuar imazhe të myslimanëve që jetonin mirë në Amerikë. Në mënyrë të ngjashme, postimet në Twitter të presidentit Donald Trump që rezultojnë se s’janë të vërteta ulin besueshmërinë amerikane dhe reduktojnë pushtetin e saj të butë.

Efikasiteti i diplomacisë publike gjykohet nga numri i mendjeve të ndryshuara (siç matet nga intervistat apo sondazhet), jo nga dollarët e shpenzuar. Është interesante të theksohet se sondazhet dhe indeksi Portlendit Soft Power 30 tregojnë një rënie në pushtetin e butë amerikan që nga fillimi i administratës Trump. Postimet në Twitter mund të ndihmojnë për të përcaktuar axhendën globale, por ato nuk prodhojnë pushtet të butë nëse nuk janë të besueshme.

Tani teknologjia e inteligjencës artificiale, që po avancon gjithnjë e me më shumë shpejtësi, apo mësimi i makinës po i përshpejton të gjitha këto procese. Mesazhet robotike shpesh janë të vështira për t’u zbuluar. Por mbetet për t’u parë nëse besueshmëria dhe një narrativë bindëse mund të automatizohen plotësisht. /Project Syndicate/BIRN/