LAJMI I FUNDIT:

Revolucioni Kulturor i Kinës dhe tmerri i turmave

Revolucioni Kulturor i Kinës dhe tmerri i turmave

Nga: Tom Phillips / The Guardian
Përkthimi (i pjesshëm) nga: Telegrafi.com

Revolucioni i Madh Kulturor Proletar ishte një periudhë e gjatë dhjetëvjeçare e kaosit politik dhe social, që u shkaktua nga përpjekja e Mao Ce Dunit për të përdorur masat kineze për të rivendosur kontrollin mbi Partinë Komuniste.


Kompleksiteti dhe brutaliteti thuajse i pamatshëm ishin të tillë saqë, edhe sot e kësaj dite, historianët nuk e kanë të lehtë të kuptojnë gjithçka që ndodhi gjatë kësaj periudhe.

Megjithatë, vendimi i Maos për të nisur “revolucionin”, në maj të vitit 1966, tani gjerësisht interpretohet si përpjekje për të shkatërruar armiqtë e vet – duke i ndërsyer njerëzit në parti dhe duke i nxitur ata që të pastrojnë radhët e saj.

Posterët e propagandës kineze: Lart në male e poshtë në fshatra
Lexo po ashtu Posterët e propagandës kineze: Lart në male e poshtë në fshatra

Kur filloi mobilizimi masiv, gazetat e partisë e përshkruanin atë si luftë epokale që do të injektonte jetën e re në kauzën socialiste. “Ashtu si dielli i kuq që lind në Lindje, Revolucioni i paparë i Madh Kulturor Proletar po ndriçon tokën me rrezet e veta të ndritura”, thuhej në një editorial.

Në fakt, Revolucioni Kulturor gjymtoi ekonominë, shkatërroi miliona jetë dhe e shtyri Kinën në 10 vjetët e trazirave, të gjakderdhjes, urisë dhe stagnimit.

Bandat e nxënësve dhe të studentëve të Gardës së Kuqe, në rrugë sulmuan njerëzit e veshur me “rroba borgjeze”, shkatërruan simbolet “imperialiste”, ndërsa intelektualët dhe zyrtarët e partisë u vranë ose u detyruan të bëjnë vetëvrasje.

Pasi dhuna ndoqi rrjedhën e përgjakshme, sundimtarët e vendit e pranuan se kishte qenë një katastrofë që nuk kishte sjellë asgjë tjetër veçse “çrregullim të rëndë, dëmtim dhe regres”.

Një analizë zyrtare e partisë, atë e përshkroi si katastrofën që kishte shkaktuar “zbythjen më të rëndë dhe një nga humbjet më të rënda nga partia, nga vendi dhe nga populli – që nga themelimi i Republikës Popullore” më 1949.

Revolucioni Kulturor ishte ideja e “Timonierit të Madh” të Kinës, shefit Mao Ce Dun.

Shtatëmbëdhjetë vjet pasi trupat e tij morën pushtetin, fushatën e tij të fundit politike Mao e shihte si një mënyrë për të rigjallëruar revolucionin komunist, duke e forcuar ideologjinë dhe duke i zhdukur kundërshtarët.

“Objektivi ynë është të luftojmë dhe të shtypim ata persona me autoritet që po marrin rrugën kapitaliste … në mënyrë që ta lehtësojmë konsolidimin dhe zhvillimin e sistemit socialist”, thuhej në një direktivë të hershme.

Frank Dikötter, autori i një libri mbi këtë periudhë, thotë se Mao shpresonte se lëvizja e tij do ta bënte Kinën majë të universit socialist dhe se do ta kthente atë në “njeriun që planetin Tokë e drejtoi kah komunizmi”.

Por, kjo gjithashtu ishte përpjekje e një diktatori të moshuar – autoriteti i të cilit ishte goditur keq nga uria e madhe shkatërrimtare e viteve 1950 – për të rivendosur kontrollin mbi partinë duke i zhdukur armiqtë realë apo imagjinarë.

“Ishte një luftë për pushtet … pas perdes së tymosur të një lëvizjeje fiktive masive”, shkroi studiuesi belg Pierre Ryckmans, në librin e tij Revolucionin Kulturor: Rrobat e reja të shefit.

Fëmija i revolucionit kulturor
Lexo po ashtu Fëmija i revolucionit kulturor

Shumica e historianëve pajtohen se Revolucioni Kulturor filloi në mesin e majit të vitit 1966, kur krerët e partisë në Pekin lëshuan një dokument të njohur si “Njoftimi i 16 majit”. Dokumenti paralajmëroi se partia ishte infiltruar nga “revizionistë” kundërrevolucionarë, të cilët po komplotonin për të krijuar një “diktaturë të borgjezisë”.

Dy javë më vonë, më 1 qershor, gazeta zyrtare e partisë u bëri thirrje masave që të “largojnë zakonet e liga të shoqërisë së vjetër”, duke nisur një sulm të gjithanshëm kundër “përbindëshave dhe demonëve”.

Të rinjtë kinezë marrin turr për të vepruar, duke ngritur divizionet e Gardës së Kuqe në klasa në dhe kampuset në të gjithë vendin. Deri në gusht të vitit 1966 – i ashtuquajturi Gushti i Kuq – kaosi ishte në lëvizje të plotë, ndërsa aleatët e Maos kërkuan nga Garda e Kuqe që të shkatërrojnë “katër vjetërsirat” – idetë e vjetra, zakonet e vjetra, shprehitë e vjetra dhe kulturën e vjetër.

Shkollat dhe universitetet u mbyllën dhe kishat, faltoret, bibliotekat, dyqanet dhe shtëpitë private u plaçkitën ose u shkatërruan, teksa vazhdonte sulmi ndaj traditave “feudale”.

Bandat e adoleshentëve me shirita të kuq dhe me veshje ushtarake, bridhnin rrugëve të qyteteve – si Pekini dhe Shangai – duke sulmuar njerëzit me rroba “borgjeze” ose me prerje reaksionare të flokëve. Simbolet e rrugëve “imperialiste” u shkatërruan.

Zyrtarët e partisë, mësuesit dhe intelektualët gjithashtu ishin në shënjestër: publikisht u poshtëruan, u rrahën dhe në disa raste u vranë ose u detyruan të bëjnë vetëvrasje pas “seancave” të mbrapshta. Gjaku rrodhi teksa Mao urdhëroi forcat e sigurisë të mos ndërhynin në punën e Gardës së Kuqe. Rreth 1 800 njerëz humbën jetën në Pekin, vetëm në gusht dhe në shtator 1966.

Pas shpërthimit fillestar të “terrorit të kuq” të udhëhequr nga të rinjtë, kaosi me shpejtësi u përhap. Punëtorët iu bashkuan trazirës dhe Kina u zhyt në atë që historianët e përshkruajnë si gjendje të luftës civile, me fraksionet rivale që luftojnë në qytetet anembanë vendit.

Nga fundi i vitit 1968, Mao e kuptoi se revolucioni i tij kishte dalë jashtë kontrollit. Në një përpjekje për të frenuar dhunën, nxori udhëzime për të dërguar miliona të rinj urbanë në fshat – për “riedukim”.

Qendra e Tiranës, në kohën e revolucionit kulturor: Koha kur kinezët ishin vëllezër!
Lexo po ashtu Qendra e Tiranës, në kohën e revolucionit kulturor: Koha kur kinezët ishin vëllezër!

Gjithashtu, e urdhëroi ushtrinë të rivendoste rendin, duke e shndërruar Kinën në diktaturë ushtarake që zgjati deri kah viti 1971. Teksa ushtria luftonte për ta vënë situatën nën kontroll, numri i të vdekurve po shtohej.

Mes vitit 1971 dhe përfundimit zyrtar të Revolucionit Kulturor më 1976, një pamje e normalitetit rikthehet në Kinë. Presidenti i ShBA-së, Richard Nixon, madje e vizitoi vendin në shkurt të vitit 1972, në një vizitë historike që rivendosi lidhjet midis Uashingtonit dhe Pekinit.

Ishte kjo, sipas fjalëve të Nixonit, “java që ndryshoi botën”.

Historianët besojnë se diku midis 500 mijë dhe dy milionë njerëz humbën jetën si rezultat i Revolucionit Kulturor.

Rajoni më i prekur ishte provinca jugore e Guangsi, ku pati raportime për vrasje masive dhe madje edhe për kanibalizëm.

Akte të tmerrshme barbarie ndodhën gjithashtu në Mongolinë e Brendshme, ku autoritetet nisën një fushatë të egër torture kundër separatistëve të supozuar.

Edhe macet e Kinës vuajtën, derisa Rojet e Kuqe u përpoqën të eliminonin atë që ata pretendonin se ishte simbol i “dekadencës borgjeze”. “Duke ecur nëpër rrugët e kryeqytetit, në fund të gushtit [1966], njerëzit panë mace të ngordhura të shtrira buzë rrugës, me putrat e përparme të lidhura”, shkruan Dikötter.

Ndryshe nga besimi popullor, qeveria ishte përgjegjëse për shumicën e gjakderdhjes – jo Garda e Kuqe.

“Lexojmë shumë histori të tmerrit të nxënësve që rrahin për vdekje profesorët e tyre në shkollë”, thotë Andrew Walder, autori i librit Kina nën Maon.

“Bazuar në historitë e publikuara të vetë qeverisë, më shumë se gjysma, nëse jo dy të tretat e njerëzve që u vranë ose u burgosën gjatë Revolucionit Kulturor, e pësuan nga viti 1968 e deri në fillim të vitit 1970” teksa ushtria ndërhynte për të ndalur dhunën.

Jeta e disa prej figurave më të fuqishme të partisë komuniste, përmbyset nga turbulencat – duke përfshirë liderin e ardhshëm Deng Siaoping i cili u spastrua në vitin 1967, si dhe Si Zhongsunin, babanë e presidentit aktual të Kinës, Si Xhinping, i cili u poshtërua, u rrah publikisht dhe u internua.

Gjysmë motra e presidentit Si, Si Hepingu, thuhet se pas persekutimit ka bërë vetëvrasje.

Teksa kaosi përfshiu Pekinin, në verën e vitit 1966, diplomatët e huaj u gjendën përball stuhisë. “Tapat e veshit u bënë çështje standarde e Ambasadës”, shkruan ish-ambasadori britanik Percy Cradock, në kujtimet e veta, duke kujtuar sesi një kakofoni e këngëve që lavdëronin “Kryetarin tonë të dashur Mao”, u bënë kolona zanore të jetës në kryeqytet.

Në vitin e ardhshëm, gjërat kishin marrë një kthesë më të keqe. Garda e Kuqe rrethoi ambasadat sovjetike, franceze dhe indoneziane, dogji makinën e ambasadorit mongol dhe jashtë misionit britanik e varën tabelën ku shkruhej: “Shtypeni imperializmin britanik”! Në një natë, në fund të gushtit, diplomatët u detyruan të iknin nga Ambasada britanike, pasi ishte plaçkitur dhe djegur. Protestuesit brohoritnin: “Vritni! Vritni”!

Anthony Grey, gazetar i Reuters-it në Pekin, kaloi më shumë se dy vjet në robëri pasi u arrestua nga autoritetet kineze në korrikun e vitit 1967.

Pjetër Meshkalla, Mehmet Shehut: Po e formoni nji brezni pa kurajo civile, pa burrni e opurtuniste… tue prishë karakterin e shqiptarit, në dam t’Atdheut
Lexo po ashtu Pjetër Meshkalla, Mehmet Shehut: Po e formoni nji brezni pa kurajo civile, pa burrni e opurtuniste… tue prishë karakterin e shqiptarit, në dam t’Atdheut

Manuali zyrtar i Revolucionit Kulturor ishte Libri i kuq i vogël, një koleksion citatesh nga Mao – me madhësi xhepi – që ofronte një plan për jetën e Gardës së Kuqe.

“Jini të vendosur, mos kini frikë nga sakrifica dhe kapërcejeni çdo vështirësi për ta arritur fitoren”, thoshte një këshillë e famshme.

Në kulmin e Revolucionit Kulturor, seancat e leximit të Librit të Kuq të Vogël u mbajtën në autobusët publikë dhe madje edhe në qiejt mbi Kinë teksa, për pasagjerët, stjuardesat predikonin fjalët e mençura të Maos. Gjatë viteve 1960, Libri i kuq i vogël thuhet se ka qenë libri më i shtypur në botë, me më shumë se një miliard kopje.

Revolucioni Kulturor zyrtarisht mori fund kur Mao vdiq më 9 shtator 1976, në moshën 82-vjeçare.

Në një përpjekje për të vazhduar tutje – dhe për të shmangur diskreditimin e tepërt të Maos – liderët e partisë urdhëruan që e veja e tij, Xhang Qing, si dhe një grup i bashkëpunëtorëve, të gjykoheshin publikisht për organizimin e kaosit. Ata njiheshin si “Banda e katërshes”.

Xhang kundërshtoi akuzat duke pretenduar se ajo kishte qenë thjesht “një këlysh i Maos”, por u dënua me vdekje në vitin 1981 – më vonë dënimi iu reduktua me burgim të përjetshëm. Në vitin 1991, në prag të 25-vjetorit të Revolucionit Kulturor, ajo vari veten.

Mao kishte shpresuar se lëvizja e tij revolucionare do ta kthente Kinën në një fanar të komunizmit. Por, shumëkush beson se pati efektin e kundërt, duke ia hapur rrugën përqafimit të kapitalizmit nga Kina – në vitet 1980 – dhe bumit të saj pasues ekonomik.

“Verdikti i zakonshëm është: asnjë revolucion kulturor, asnjë reformë ekonomike”, shkruajnë Roderick MacFarquhar dhe Michael Schoenhals në librin e tyre Revolucioni i fundit i Maos. “Revolucioni Kulturor ishte fatkeqësi kaq e madhe saqë provokoi një revolucion edhe më të thellë kulturor, pikërisht atë që Mao synonte ta parandalonte”.

Një tjetër trashëgimi e qëndrueshme, thonë ekspertët, është obsesioni i pushtetarëve të sotëm për stabilitetin dhe kontrollin politik.

Udhëheqësit si Si Xhinpingu – që ishte nxënës 13-vjeçar, në Pekin, atëherë kur filloi revolucioni kulturor – kishte parë kaosin dhe disa madje morën pjesë në dhunë.

“E panë Kinën që ishte krejtësisht kaotike, për rreth dy vjet, si dhe atë mizori”, thotë Walder, ekspert i Universitetit Stanford për atë periudhë. “Humbjen e kontrollit të partisë e shohin si diçka që do të shpie në kaos”.

Dikötter beson se përmbysja shërbeu për të shkatërruar, gjithashtu, çdo besim të mbetur që populli kinez kishte për Mësuesin e Madh. “Edhe para se Mao të vdiste, njerëzit po e varrosnin maoizmin”.

Pas vdekjes së Maos, Partia Komuniste bëri disa përpjekje për t’u përballur me tmerret e dekadës së mëparshme. Disa u dënuan për dhunën, ndërsa u rehabilituan të spastruarit apo ata që padrejtësisht u persekutuan.

Por, këto përpjekje u shuan në fillim të viteve 1980, pasi Pekini u bë më i kujdesshëm për ta implikuar veten në vrasje – në një kohë të kundërshtimit të shtuar të të rinjve kinezë. Studiuesit u dekurajuan që të gërmojnë për të vërtetën e papërshtatshme të partisë. /Telegrafi/