LAJMI I FUNDIT:

Revizioni gjen mangësi në raportin financiar të OBRM-PDUKM-së

Revizioni gjen mangësi në raportin financiar të OBRM-PDUKM-së

Enti Shtetëror për Revizion (ESHR) ka konstatuar se partia më e madhe opozitare, OBRM-PDUKM nuk i ka raportuar të dhënat e sakta të raportit financiar, ku si person përgjegjës përmendet Nikolla Gruevski, ish-lider i partisë.

Në raportin për vitin 2017, është konstatuar se partia ka tre xhirollogari, diçka që është në kundërshtim me Ligjin për financimin e partive politike, ku përcaktohet se një parti duhet të ketë vetëm një xhirollogari.


Sipas raportit që e zbardh Tv Telma, partia ka nënshkruar marrëveshje të jashtëligjshme me një radioshpërndarës, për reklama, për një periudhë 10 vjeçare, të cilës i janë paguar një milionë e 210 mijë euro, pa u dhënë në kohë faktura për shërbime.

Janë paguar edhe 386 mijë euro për 271 fotografi, por nuk ka fakturë se ku kanë shkuar këto para. Më tutje, OBRM-PDUKM-ja ka marr tre milionë euro kredi, duke lënë në hipotekë selinë. Menjëherë, gjysma e parave është transferuar te xhirollogaria e koalicionit, diçka që ESHR e konsideron të jashtëligjshme sepse burimet e kredisë nuk mund të jenë burime private financimi.

Në mungesë të dokumenteve të duhura, edhe raporti për vitin 2016 është negativ./Telegrafi/