LAJMI I FUNDIT:

Restauruesit e ikonave nxjerrin në dritë ‘thesaret e fjetura’ të Beratit

Restauruesit e ikonave nxjerrin në dritë ‘thesaret e fjetura’ të Beratit

Erjola Azizolli

Miltiadh Bibo dhe Altin Tabaku janë të përqendruar, me vështrimin e ngulitur mprehtë mbi dy ikonat që i kanë vënë në tavolinat e punës pranë një dyzine shishesh me dezinfektantë, vegla dhe lëndë të tjera që i japin jetë punës së tyre restauruese. Ata janë kërrusur prej disa muajsh mbi tavolinën e punës si “mjekët në një operacion zemre” mbi dy ikona të shekullit të XVIII të venitura prej kohës, por dalëngadalë pamja dhe ngjyrat në dy pikturat kishtare kanë filluar të bëhen sërish të qarta.

Të pikturuara nga ikonografët e familjes Çetiri (Katro), ikonat “Profeti Ilia” dhe ‘Hyrja në Jeruzalem” do t’i shtohen në fund të restaurimit ekspozitës “Thesaret e fjetura”, në katin e dytë të Muzeut “Onufri” në Berat.

Ekspozita qe një nismë e drejtorit të Qendrës Kombëtare të Muzeumeve në Berat (QKMB) Agron Polovina, i cili vendosi në vitin 2014 të nxirrte nga magazinat ku ruheshin disa nga veprat e harruara të artit kishtar të Beratit për t’i ekspozuar ato.

Polovina, me profesion piktor-restaurues shprehet se fillimisht janë identifikuar 15 ikona që ishin restauruar dhe u ekspozuan në një prej kishave të qytetit në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Kulturës Kombëtare (DRKK) që realizon edhe restaurimet. Më pas u vendos të kthehej në një ekspozitë të përhershme, e cila pasurohet vazhdimisht në varësi të restaurimeve.

Deri tani aty janë ekspozuar 20 objekte dhe ikona të realizuara rreth shekujve XVI-XIX, të cilat kanë për autorë ikonografë të njohur si Nikolla (i biri i Onufrit), Onufër Qiprioti apo familjen Çetiri. Në ekspozitë janë dhe disa ikona nga autorë të paidentifikuar. Ndër to shumë e vlerësuar është ikona e “Krishtit të gjithpushtetshëm” e shekujve XVI- XVII, e marrë nga kisha e Shën Todrit në kala.

Koha që merr puna për të restauruar një ikonë, sipas dy specialistëve të Laboratorit dhe Restaurimit të Veprave të Artit pranë Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare (DRKK) në Berat, varet nga dimesionet që ajo ka, por edhe nga shkalla e dëmtimit.

“Për një ikonë që është pjesërisht e dëmtuar restaurimi shkon deri në tre muaj, ndërsa për një ikonë me shkallë më të lartë dëmtimi shkon edhe një vit,” tha Altin Tabaku, i cili është gati në të përfunduar me restaurimin e ikonës “Profeti Ilia”, ngjyrat e së cilës ishin zbehur nga vitet. “Ikona duhet t’i nënshtrohet një restaurimi sepse i ishte dekompozuara verniku gjatë viteve,” tha Tabaku.

Ai shton se çdo proces kalon një procedurë burokratike të domosdoshme. Kërkohet një miratim nga Këshilli Shkencor dhe më pas në Këshillin Kombëtar të Restaurimeve.

“Fillimisht bëhet konsolidimi total i jashtëm, për të parë nëse ka shkëputje, bëhet konsolidimi i shtresës së pelikulës, e cila është piktura dhe më pas kalohet në procesin e dezinfektimit, për të parë nëse ka insekte që mund ta dëmtojnë drurin dhe faktikisht në këtë rast, me këtë ikonë kemi të bëjmë edhe me dëmtim nga insektet,” shpjegoi Tabaku, duke treguar hapat e restaurimit.

Tabaku është i vetëdijshëm se vepra që ka në duar ka vlera të papërsëritshme. Ai thotë se ikona ishte gjetur në një nga kishat e qytetit dhe nuk kishte qenë në gjendje të keqe, por kishte dëmtim dhe degradim të vernikut.

“Puna ime është që të bëj një ndërhyrje të kujdesshme, por pa e dëmtuar ikonën,” shprehet ai.

I ulur në krah me kolegun Tabaku, specialisti tjetër Miltiadh Bibo është duke punuar me “Hyrjen në Jeruzalem”, e cila ka përfunduar në fondin e monumenteve pasi u zbulua gjithashtu në një kishë të zonës së Beratit. Bibo thotë se kishte kryer gjithashtu një pjesë të procesit të restaurimit. “Tani jam duke bërë pastrimin e vernikut të degraduar,” shpjegoi ai.

Për drejtorin e Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare, Eugen Kallfani është e rëndësishme që puna restauruese të ecë paralel me punën për mbrojtjen e trashëgimisë.

“Nuk bëhet fjalë për investime që kërkojnë ndërhyrje të mëdha, sepse këto restuarime nuk kërkojnë kosto të papërballueshme. Por është një punë që kërkon profesionalizëm tepër të lartë, kërkon miratim nga instancat më të larta nga Këshilli Kombëtar i Restaurimit – nga Këshilli Shkencor pranë Institutit të Monumenteve,” tha Kallfani, duke shpjeguar se restaurimi edhe pse i ngadaltë, ia kishte dalë të shpëtonte një pjesë të mirë të ikonave të Beratit.

Por ndërsa deri më tani puna e restauruesve ishte t’i pastronin ikonat dhe t’i rehabilitonin ato për t’i çuar sërish në konservim në magazina, prej vitit 2014 ikonat e restauruara u prezantohen vizitorëve në muze, pas një marrëveshje mes QKMB dhe DRKK.

Sipas Polovinës marrëveshja midis dy institucioneve të trashëgimisë kulturore konsiston në një koncept të ri të menaxhimit të vlerave dhe ka për qëllim që ruajtja e tyre të bëhet duke i nxjerrë nga magazinat dhe “duke i bërë të ekspozueshme, të prekshme për publikun”.

Polovina, një njohës i mirë i fushës së restaurimeve, vite më parë ka punuar si restaurator dhe ka marrë pjesë në katalogimin e ikonave, gjë që e ka ndihmuar që të ketë një panoramë të plotë të koleksioneve të qytetit të Beratit – veçanërisht të koleksionit të DRKK-së të ikonave dhe objekteve të shërbesave liturgjike, gjendjen e tyre, autorët që i kanë realizuar dhe skenat që ato prezantojnë.

“Kohë më parë disa prej tyre i kisha identifikuar si objekte me vlera të veçanta, si objektet më të vyer të këtij koleksioni dhe kisha menduar se një ditë patjetër duhet t’i afroheshin publikut. E kisha kuptuar që ikonat duhet të dilnin nga mjediset ku ishin mbyllur edhe për arsyen se kështu mund të kujdeseshim për to më mirë, t’i shpëtonim degradimit, t’i restauronim dhe të bëheshin pjesë e koleksioneve te hapura,” thotë Polovina.

Fillimisht ideja ishte e kufizuar vetëm në transferimin nga Fondi i DRKK-së të disa objekte të cilat Polovina mendonte se do të pasuronin linjën muzeale.

“Ishte një ikonë e formatit të vogël, e rallë për vlerat që mbarte, e veçantë, të cilën duke e restauruar e kisha nxjerr nga anonimati duke e identifikuar si të shkollës së Onufrit. Nuk ishte pak kjo dhe unë kisha një adhurim për të,” kujton sot Polovina.

Në këtë fond ishin edhe disa objekte të tjera të rralla si baldakini i kishës së Shën Mëri Vllahernës, i pikturuar nga Nikolla, biri i Onufrit, “Krishti Pantokrator” një ikonë e vyer e Onufër Qipriotit, ikona të Johan Çetirit apo të mjeshtrave të tjerë të kësaj familje, që në qytetin e Beratit dhe në Myzeqe për gati një shekull zbukuruan ikonostaset dhe muret e kishave dhe katedraleve të shumta.

Gjithë kjo pasuri flinte prej vitesh në magazina, duke qenë e privuar nga drita dhe po ashtu duke e privuar publikun prej bukurisë së saj.

“Fillimisht arritëm që të identifikojmë një koleksion prej 15 ikonash, një pjesë e të cilave ishin restauruar nga specialistët e DRKK-së, gjë e cila krijoi mundësinë e realizimit të ekspozitës në sallën e Katedrales “Fjetja e Shën Mërisë” në Muzeun Ikonografik Onufri, e cila rezultoi të ngjallte një interes të cilin edhe ne nuk e kishim menduar,” shprehet Polovina.

Ky interes sipas tij i solli idenë për të pasur një pavion të veçantë për ekspozimin e këtij koleksioni, i cili u zgjerua në 20 ikona dhe objekte religjioze që i përkasin mjeshtër Nikollës, Onufër Qipriotit, Johan Çetiri, e të tjerëve, që së bashku me disa ikona të rëndësishme të fondit të muzeut Onufri, do t’i prezantoheshin për herë të parë publikut në një pavion.

Kështu u vendos për të çelur ekspozitën “Thesare të fjetura” dhe po ashtu vënien në funksion së sallës së katit të dytë në këtë muze, e cila prej mëse 15 vitesh ishte e mbyllur dhe jashtë funksionit.

Ai thotë se ekspozita është konceptuar si një pavioni i përhershëm në të cilin do të shtohen çdo vit një koleksion i paekspozuar më parë.

Polovina thotë se hapja e këtij pavioni ka ndikuar dhe në shtimin e interesit tek vizitorët për të parë nga afër këtë muze.

“Në këto vite ne kemi vërejtur një rritje të rëndësishme të vizitueshmërisë në muzeun Ikonografik Onufri, ku padyshim një nga argumentet është ekspozita “Thesare të fjetura””.

Sipas Polovinës numri i vizitorëve është rritur nga 11 mijë në më shumë se 34 mijë. /BIRN/