LAJMI I FUNDIT:

Reshjet ndikuan në zgjatjen e fushatës së korrje-shirjes

Reshjet ndikuan në zgjatjen e fushatës së korrje-shirjes

Hysni Krasniqi, nga Komuna e Shtimes, këtë vit kishte mbjellë 17 hektarë me grurë. Ai për Radio Kosovën u shpreh i pakënaqur me rendimentet e grurit, ndërsa fajin ua lë kushteve të këqija klimatike të cilat, sipas tij, kanë ndikuar në uljen e rendimenteve por edhe të cilësisë së grurit.

“Unë i kam 17 hektarë të mbjella me grurë këtë vit. Rendimenti është rreth 4 mijë kg për hektar, sivjet është më dobët pasi vitin e kaluar rendimenti ka qenë nga 5 mijë kg për hektar. Shpenzimet janë më të mëdha, ndërsa rendimentet janë më të ulëta.”


Sipas të dhënave që Ministria e Bujqësisë posedon nga terreni, të reshurat kanë ndikuar në ulje të lehtë të rendimenteve. Isuf Cikaqi, drejtor për Politika Bujqësore, tha se krahasuar me pritshmërinë , rendimentet janë më të ulëta.

“ Pritjet kanë qenë bukur të mëdha bazuar nga gjendja e grunajave që ka qenë në fillim të vitit. Por fatkeqësisht në muajin qershor filluan reshjet në disa parcela dhe në disa vende ndikoi në rrëzimin e grunajave duke ndikuar kështu në uljen e rendimenteve”, tregon ai.

Por Cikaqi, tha se përpos uljes së lehtë të rendimenteve, cilësia e grurit është brenda normave të parapara.

“Parametrat e kërkuara të cilësisë së grurit janë brenda normave të parapara, dhe kjo na bënë me u ndie mirë. Ndërsa te rendimentet do të ketë një ulje të lehtë të rendimenteve bazuar në pritjet tona”, tha ai.

Deri më tani, fushata është kryer në rreth 50 për qind të sipërfaqeve me grurë, e kjo shifër edhe mund të ndryshojë nga dita në ditë, pasi ka një numër të madh të autokombajnave në terren. Sipas të dhënave që ka Ministria e Bujqësisë, këtë vit ishin të mbjella gjithsej 74 mijë hektarë me drithëra të bardha. /Radio Kosova/Telegrafi/