LAJMI I FUNDIT:

Rënia ekonomike, inflacioni dhe imigrimi – pakënaqësitë kryesore të gjermanëve ndaj kancelarit Olaf Scholz

Rënia ekonomike, inflacioni dhe imigrimi – pakënaqësitë kryesore të gjermanëve ndaj kancelarit Olaf Scholz

Gjermanët janë të pakënaqur si kurrë më parë me qeverinë e koalicionit. Problemet akute për të cilat duhet të kujdeset qeveria janë ekonomia dhe imigrimi, thonë të anketuarit në sondazhin e ARD-së.

Në fund të pushimeve të verës, kancelari Olaf Scholz dhe ministrat e koalicionit u takuan në Meseberg për të folur pa dorashka për problemet e grindjet brenda koalicionit, për stanjacionin, kërcënimin nga recesioni ekonomik dhe se çfarë mund të bëhet kundër kësaj gjendjeje pesimiste brenda ekonomisë gjermane.


Temë tjetër ishte edhe performanca e qeverisë së koalicionit me debatet mes ministrave që e kanë dëmtuar imazhin e qeverisë. Më pak debate më shumë qeverisje, për këtë janë pajtuar SPD, të Gjelbrit dhe liberalët.

Por, a do të ndihmojë ky premtim?

Qeveria gjermane nuk arrin të pajtohet për subvencionimin e energjisë elektrike
Lexo po ashtu Qeveria gjermane nuk arrin të pajtohet për subvencionimin e energjisë elektrike

Humbja e besimit te koalicioni qeverisës?

Gjermanët nuk kanë më shumë besim te koalicioni qeverisës. Vetëm 19 për qind e tyre janë të kënaqur me punën e qeverisë, sipas një sondazhi të televizionit ARD, të kryer nga instituti Infratest Dimap. Për këtë sondazh u pyetën në fund të gushtit 1,310 qytetarë me të drejtë vote.

Pakënaqësia është e lartë edhe mes përkrahësve të një partie. Sidomos përkrahës të FDP-së kanë probleme me koalicionin ku bashkëqeveris Partia Liberale, katër nga pesë persona ushtrojnë kritikë të hapur.

Nuk është e pazakontë që qeveritë humbasin mbështetje, kur fillojnë punën e tyre. Megjithatë qeveri të tjera muaj përpara gjysmës së periudhës legjislative kanë arritur ta rifitojnë besimin e qytetarëve. Qeveria e koalicionit nuk ia ka dalë ende të rifitojë besimin, megjithëse është arritur gjysma e legjislaturës. Kjo reflektohet edhe në përgjigjet e të anketuarve; nëse do të zgjidhej tani një parlament i ri koalicioni i socialdemokratëve, Të Gjelbërve dhe liberalëve, ai si edhe më parë nuk do të kishte më shumicën parlamentare.

Gjermania pritet të ndajë 2.4 miliardë euro për skemën 'Kontributi Bazë për Fëmijët'
Lexo po ashtu Gjermania pritet të ndajë 2.4 miliardë euro për skemën 'Kontributi Bazë për Fëmijët'

Ndërkohë në preferencën e votuesve kryeson CDU/CSU me 29 për qind, e ndjekur nga AfD me 22 për qind. Partia e kancelarit Scholz, SPD arrin vetëm 16 për qind. Të Gjelbrit kanë rënë në 14 për qind dhe liberalët në 6 për qind. E Majta me 4 për qind nuk do të arrinte të hynte në një Bundestag të ri. Ajo që bie në sy është pakënaqësia e gjermanëve me kancelarin Scholz. Sipas këtij sondazhi, mospreferenca ndaj tij arrin një rekord të ri negativ. Vetëm çdo i katërti votues është i kënaqur me punën e kancelarit gjerman.

Fokusi te ekonomia

Në Meseberg kancelari gjerman vendosi me kabinetin e tij një plan 10-pikësh të fokusit tek ekonomia. Ndërmarrjet do të marrin lehtësime miliardëshe tatimore dhe do të reduktohet burokracia.

Masat për rigjallërimin e ekonomisë i përgjigjen edhe shqetësimit kryesor të gjermanëve. Sipas sondazhit të ARD gjendja ekonomike vlerësohet më negativisht se herët e mëparshme. 73 për qind e të anketuarve e shohin atë si jo të mirë ose të keqe. Vetëm te përkrahësit e partisë Të Gjelbrit gjendja vlerësohet e mirë.

Ndërkohë gati gjysma e të anketuarve në 12 muajt e ardhshëm llogarisin keqësim të gjendjes ekonomike. Dobësimi ekonomik është problemi më i madh, me të cilin lufton Gjermania aktualisht, sipas të anketuarve. Krahasuar me të kaluarën çështjet e koniunkturës dhe ekonomisë kanë fituar rëndësi më të madhe këto muajt e fundit.

Gjermania miraton uljen e taksave për bizneset në 15 për qind
Lexo po ashtu Gjermania miraton uljen e taksave për bizneset në 15 për qind

Edhe tema e migracionit dhe refugjatëve shikohet me prioritet nga qytetarët gjermanë të anketuar, gati po aq e rëndësishme sa ekonomia. Kurse shqetësimi për luftën në Ukrainë ka humbur rëndësinë që e kishte më parë. Një temë tjetër e rëndësishme për qytetarët është edhe drejtësia sociale. Në Gjermani ka shqetësim në rritje për shpërndarjen e mirëqenies sociale. Tetë nga dhjetë të anketuar thonë, se në Gjermani nuk ka drejtësi sociale.

Për të mbështetur familjet, koalicioni qeveritar vendosi sigurimin bazë për fëmijët. 60 për qind e qytetarëve e shohin këtë si hap pozitiv. Kurse në lidhje me subvencionimin e çmimit të energjisë për degët e ekonomisë me konsum të lartë energjie, qytetarët janë të rezervuar. Vetëm katër nga dhjetë të anketuar e mbështesin këtë ide. Shumë më tepër të anketuar, 72 për qind mbështesin një kufizim më të lartë të çmimeve të qirave. /Deutsche Welle/