LAJMI I FUNDIT:

Gjermania miraton uljen e taksave për bizneset në 15 për qind

Gjermania miraton uljen e taksave për bizneset në 15 për qind

Në fund të mbledhjes së kabinetit, kancelari Olaf Scholz, ministri i Ekonomisë, Robert Habeck dhe ai i Financave, Christian Lindner prezantuan rezultatet: lehtësim tatimor për bizneset, më pak burokraci, më shumë digjitalizim.

Qeveria e Scholzit është pajtuar për një paketë lehtësimi tatimore me vlerë rreth 7 miliardë euro në vit për bizneset, me qëllim të rigjallërimit të ekonomisë më të madhe të Evropës.


Plani përfshin një shpërblim për investimet në kursimin e energjisë. Elementi qendror është një shpërblim për investimet në mbrojtjen e klimës: një prim tatimor investimi prej 15 për qind të shumës së investimit do të paguhet, pavarësisht nga fitimi.

Ka edhe ndryshime të rregullave për ta bërë më të lehtë për kompanitë të amortizojnë humbjet e tyre. Në veçanti, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme do të përfitojnë nga një zgjatje e kompensimit të humbjeve. Mundësitë e reja të amortizimit do të përmirësojnë likuiditetin e kompanive dhe t’i inkurajojnë ato të investojnë. Shoqatat e biznesit, si dhe të Gjelbrit, kohët e fundit ishin ankuar se paketa nuk ishte aq e madhe sa të mbronte bizneset në kohët e rënies ekonomike.

“Programi do të lehtësojë barrën për bizneset e vogla dhe të mesme”, tha Qeveria Federale në një deklaratë.

Plani parashikon një ulje të taksës për sipërmarrjet për katër vjet për një shumë totale prej 32 miliardë euro. Në një kohë që partitë e koalicionit qeveritar gjerman lëkunden për masën e uljes së taksave, ekonomia ka mbetur statike.

Gjermania regjistroi rritje zero në tremujorin e dytë të 2023, pasi ra në recesion në fillim të vitit, duke i goditur rëndë nga pushtimi rus i Ukrainës. Konflikti ka rritur çmimet e energjisë, pasi u ndërpre varësia e Berlinit nga Moska për furnizimet me gaz.

Qeveria gjermane nuk arrin të pajtohet për subvencionimin e energjisë elektrike
Lexo po ashtu Qeveria gjermane nuk arrin të pajtohet për subvencionimin e energjisë elektrike

Nxitje për ekonominë

Duke folur në një konferencë për shtyp, Scholz tha se Gjermania duhet t’i përgjigjet një ekonomie në vështirësi në mënyrë që të “stimulojë rritjen”.

“Ne do të diskutojmë se si t’i japim nxitje të fuqishme ekonomisë. Ekonomia gjermane mund të bëjë më shumë”, tha kancelari Scholz në kuadër të takimit ministror dyditor në Pallatin Meseberg, një kështjellë e stilit barok në periferi të Berlinit.

Takimi shënon gjysmën e mandatit katërvjeçar të qeverisë së tij. Bisedimet u zhvilluan me dyer të mbyllura.

“Shkurtimet e taksave janë pjesë e një programi me dhjetë pika dhe synojnë të rigjallërojnë rritjen ekonomike duke siguruar që kompanitë të marrin vendimin për të investuar në Gjermani”, shtoi ai.

Ndërsa Gjermania rrit shpenzimet, disa kritikë kanë frikë se pa një fond të ri të gjelbër të Bashkimit Evropian, vetëm ekonomitë e mëdha me më shumë fuqi fiskale do të jenë në gjendje të ecin përpara me subvencionet kombëtare, duke lënë pas vendet më të vogla.

Debat për çmimin e energjisë për industrinë

Në debatin për çmimin e subvencionuar të energjisë elektrike për industrinë, për momentin nuk ka marrëveshje. Ministri Lindner tha në mbrëmje në televizionin ARD se një subvencion i tillë për ekonominë do të çonte në deformim të konkurrencës mes kompanive të mëdha dhe të vogla. Nga këndvështrimi i tij, Gjermanisë i duhet më tepër një zhvillim më i shpejtë i prodhimit të energjisë, procedura më të shpejta të autorizimit si dhe partneritete më të thjeshta të energjisë elektrike ndërmjet furnizuesve të energjisë dhe konsumatorëve të mëdhenj.

Të Gjelbrit dhe në një masë të madhe SPD duan të kufizojnë çmimin e energjisë elektrike për industrinë për një periudhë të caktuar. Argumenti është se zhvillimi i energjive të rinovueshme do të çojë automatikisht në uljen e çmimeve të energjisë elektrike në afat të mesëm dhe se subvencioni do të bëhet i panevojshëm. Kancelari Scholz dhe FDP janë kundër një çmimi të tillë të energjisë elektrike për industrinë.

Pagat me Gjermani u rriten me ritme rekord gjatë tremujorit të dytë të 2023-së
Lexo po ashtu Pagat me Gjermani u rriten me ritme rekord gjatë tremujorit të dytë të 2023-së

Thirrja e shtatë landeve

Çmimi i subvencionuar i energjisë elektrike kërkohet gjithashtu nga shtatë lande me objekte industriale kimike. Pa veprim të vendosur, rreziku i zhvendosjes së prodhimit dhe rrjedhimisht vendeve të punës jashtë Gjermanisë është real, paralajmëruan ata në një apel drejtuar qeverisë federale. Ky apel është nënshkruar nga qeveritë e Bavarisë, Hessenit, Saksonisë së Poshtme, Rinit Verior-Vestfalisë, Rheinland-Pfalzit, Saksonisë dhe Saksoni-Anhaltit.

Janë miratuar edhe projektligje të tjera, si reforma e Ligjit të Shërbimit Informativ Federal (BND) dhe kartela mjekësore digjitale. Sipas informacioneve, parakushtet për përdorimin e inteligjencës artificiale në administratë pritet të krijohen deri në fund të vitit të ardhshëm.

Çfarë tha Scholz për të dhënat e qeverisë së tij?

Kancelari gjerman tha më tej se qeveria e tij e koalicionit duhet të përmirësojë komunikimin e saj pas muajsh debatesh publike mbi një sërë çështjesh.

Scholz tha se bisedimet përqendrohen në atë se si t’i jepet një “nxitje” e madhe ekonomisë gjermane dhe “të shfrytëzohen mundësitë që ofron ekonomia jonë e fortë”.

Ai shtoi se Berlini planifikon të zhvillojë iniciativa për të bërë “çdo gjë të shkojë më shpejt në Gjermani”, duke iu referuar procedurave administrative.

“Ne arritëm rezultate shumë të mira vitin e kaluar dhe këtë vit, dhe sigurisht do të ishte mirë nëse të gjithë do të kontribuonin me strategjitë e tyre të komunikimit,” tha ai, duke i bërë thirrje koalicionit që “të kuptohet mirë”.

Scholz u ka kërkuar vazhdimisht anëtarëve të koalicionit që të mos diskutojnë negociatat derisa të dihet rezultati përfundimtar i tyre. /Deutsche Welle/