LAJMI I FUNDIT:

Rëndësia e mësimit të frëngjishtes

Është shumë e qartë që çdo gjuhë duhet ditur dhe mësuar, edhe pse është e pamundur të mësohen të gjitha gjuhët përnjëherë, por ajo çka duhet të ketë të qartë secili është që jetojmë në epokën e plurilinguizmit dhe të flasësh gjuhë të huaja sot është kusht i domosdoshëm dhe i patjetërsueshëm. Edhe pse është epoka e mësimit të gjuhës angleze, thuaja se është “lënë” pas dore mësimi i gjuhës frënge, gjuhës e cila ka një peshë jashtëzakonisht të madhe në diplomaci dhe në gjitha sferat tjera të jetës. E sanksionuar si gjuhë ndërkombëtare që nga Paqja e Wesfalisë, kjo gjuhë për shekuj me radhë do të shkëlqente si gjuhë e salloneve dhe e konferencave diplomatike. Kjo gjuhë që njeh shkëlqimin e saj përmes doktrinës së kardinalit të pavdekshëm Rishelje, ka qenë e folur në tërë Evropën, po pse mos ta them është edhe tani, si gjuhë e shumë institucioneve evropiane dhe ndërkombëtare. Në shek. XVIII Volteri, shkrimtari i madh francez pat shkruar që “ajo që e bën Francën të ketë meritë dhe reputacion është fakti që gjuha frënge flitet edhe në Vjenë, edhe në Stokholm dhe Moskë, edhe gjetiu”.

Me Revolucionin e vitit 1789 kur edhe u fut si i detyrueshëm mësimi i gjuhës frënge në nivel shtetëror, jo vetëm si gjuhë e elitës dhe kulturës, por edhe si gjuhë e popullit dhe e lirisë, u vendos që të shkohet në largimin e të ashtuquajturave gjuhë regjionale, të cilat shfaqnin tendenca antirevolucionare që rrezikonin Revolucionin. Kësisoj i famshmi Gregoire, përfaqësues i të majtës ekstreme më 1794 prezantoi në Asamblenë Përbërëse një Raport mbi domosdoshmërinë dhe mjetet për eliminimin e dialekteve dhe mbi universalizimin e gjuhës frënge. Kësisoj ai kërkoi nga mësuesit që mos t`i mësonin fëmijët në gjuhë regjionale ose dialekte përkatëse. Ai njëkohësisht kërkoi edhe ndalimin e theksave regjional të deputetëve. Kësisoj procesi i unifikimit u përforcua më shumë gjatë Republikës së Tretë, me moton “Një popull, një gjuhë, një komb”. Kësisoj e gjithë kjo iniciativë do të kulmonte me bërjen të obligueshme të folurit në frëngjisht në shtet, në shkolla, administratë dhe shërbimin ushtarak. Gjuhët e ashtuquajtura regjionale ku bëjnë pjesë (gjuha baske, bretone, katalone, oksitane, alzasiane, flamane..) janë të folura edhe më tej në Francë, por tradita jakobine ka ndikuar që edhe më tej të mos jenë të njohura dhe përdorura zyrtarisht nëpër institucione. Kushtetuta franceze precizon qartë që “gjuha e Republikës është frëngjishtja”. Aq shumë i jepet rëndësi të folurit si duhet të gjuhës frënge, saqë gabimet sintaksore dhe ortografike paraqesin krim në Francë. Ortografia që nga shek. XIX është bërë lëndë e obligueshme e mësimdhënies, ndërsa diktimi ka qenë për një kohë të gjatë mjet i vlerësimit të nivelit të njohurisë së gjuhës.


Kësisoj Akademia franceze e hapur që në kohën e kardinalit Rishelje, tregon një kujdes të madh ndaj futjes së fjalëve të reja në gjuhën frënge. Edhe pse ka dallim mes gjuhës së shkruar dhe asaj të folur, edhe pse që nga vitet e 80 të shekullit të kaluar kanë hyrë në zhargonin e të folurit të ashtuquajturat le verlan respektivisht të folurit mbrapsht, për shembull ke ne përdoret PO, e në Kosovë e kthejnë mbrapsht OP, në Francë për shembull kemi “chebran” për branche (degë, drejtim), “meuf” për femme (femër, grua), “laisse beton”, laisse tomber (mos ja vër veshin), “feca” për café (kafe), tromé për métro (metro), e kështu me radhë. Në Parlamentin francez më vitin 1994 është sjellë ligji Toubon (sipas Ministrit të Kulturës së kohës së atëhershme) që afirmon përdorimin e duhur të frëngjishtes, ndalon rreptësisht fjalët e huaja, e sidomos ato që janë shumicë me origjinë angleze, për të gjitha shpalljet, lajmërimet, njoftimet… në vende të mbyllura ose publike, nëpër reklama, nëpër oferta të punës, në kontrata pune, në tekste, e kështu me radhë. Nëpër shumë konferenca dhe kongrese në Francë është e patjetërsueshme dhe më se e nevojshme shprehja si duhet në gjuhë frënge. Edhe pse ka shprehje që ndoshta janë marrë nga anglishtja dhe që shpesh quhen si françanglicizma, si për shembull shprehjet week-end, marketing, management, walk-man, cool, e kështu me radhë, prapë se prapë ajo nuk është asgjë në krahasim me atë që anglishtja përdor fjalë nga frëngjishtja, rreth 37 % të fjalëve.

Andaj kur të shohësh këtë komb madhor duke e ruajtur gjuhën e tyre, duke e ruajtur shkëlqimin që e ka që nga epoka e kardinalit Rishelje, e trasuar deri ke liderët e sotshëm, nuk mundesh të mos shpëtosh pa mos ia pasur zili. Është nder i madh për çdo francez që të jetë aq shumë i lidhur me gjuhën, kombin dhe historinë e vet.

Kur jemi te historia e Francës ajo është bërë e obligueshme për tu mësuar si duhet që nga epoka e Republikës së Tretë, ku obligohet mësimi i krijimit të Francës nën emrin e kapitenëve mbretërorë, Hugues Capet mbret që nga viti 987, mandej Clovis, Vercingetorix, i cili argumenton tezën e origjinës franceze prej galëve, (lexo: vet ky hero ka qenë mbrojtës i Galëve prej pushtuesve romakë si dhe hero i parë kombëtar i Francës), mandej triumfuesi i Arabëve në Betejën e Poatjesë, Charles Martel, Charlemagne (i cili ka krijuar i pari shkollën), mandej krijuesi i drejtësisë Louis IX (Luigji IX), Jeanne d`Arc, komandantja femër e cila u rezistoi sulmeve angleze, mandej mbreti Henry IV, epoka e ngritjes dhe shkëlqimit të Francës gjatë qeverisjes së kardinalit të mençur Rishelje, Revolucioni i famshëm, Deklarata e të Drejtave të Njeriut dhe Qytetarëve, deviza e famshme e Lirisë, Barazisë dhe Vëllazërisë, që i shndërroi francezët në njerëz shumë të përpiktë ndaj respektimit të idesë së barazisë dhe në njerëz që janë shumë krenar dhe kanë bile ndoshta edhe krenari të tepruar për veten e tyre, Napoleoni për të cilin janë shkruar më shumë se 200 mijë vepra, e kështu me radhë për të ardhur tek De Goli dhe të tjerët.

Kësisoj prej këtu një intelektual i famshëm gjerman Sieburg, më 1930 shkroi një libër polemik mbi Francën, duke parashtruar pyetjen: “Vallë a është Perëndia franceze? “ Me këtë ai deshi të ironizonte sado pak ndjenjën e krenarisë së tepërt dhe mburrjes që kanë francezët ndaj vendit të tyre të bukur, por ja që fati ishte dhe është edhe më tej në anën e këtij kombi të madh, që i ka dhënë më shumë se gjithkush Evropës, që ka punuar shumë për veten, duke lindur udhëheqës brilant që do të udhëhiqnin Francën dhe do të ishin të vijueshëm për secilin shtetarë që do të udhëhiqte me këtë shtet, që do të reflektonin në sistemin e marrëdhënieve ndërkombëtare, që do të ishin të vijueshëm edhe nga popuj tjerë, që do të glorifikonin rolin e kësaj gjuhe dhe këtij kombi.