LAJMI I FUNDIT:

Rektori Hajrizi: Mjedisin duhet ta trajtojmë me konceptet e sistemeve të mençura

Rektori Hajrizi: Mjedisin duhet ta trajtojmë me konceptet e sistemeve të mençura

Inovacioni duhet gjithsesi të konsiderohet si një prej opsioneve derisa ne të kalojmë në një fazë post-fosile

BB Green Kosova

Për t’i ardhur në ndihmë mjedisit si zgjidhje po llogaritet inovacioni dhe në këtë prizmë ka folur edhe rektori i UBT-së z.Edmond Hajrizi, i cili ka thënë se është koha e zhvillimit të qëndrueshëm, koha e trajtimit të mjedisit duke marrë parasysh trendet që po shkojnë shtrojnë një kërkesë të madhe që ne të marrim masa dhe të merremi me gjëra të cilat e ndryshojnë këtë gjendje e ndryshojnë kahjen.


“Inovacioni apo çasja inovative është ajo që ndryshon kahje, ka shumë raste në botë që kanë arritur të krijojnë në drejtim pozitiv. Inovacioni merret kryesisht me pjesën e panjohur, me pjesën e padukshme por që ekziston. Ne besojmë shumë se ka shumë alternativa të mira, ekzistojnë mundësi të mira për të pasë një ndryshim pozitiv rreth çasjes së ambientit dhe CO2 për zhvillim të qëndrueshëm”, thotë Hajrizi.

Ndër të tjera, rektori i UBT-së Hajrizi tha se inovacioni mbetet e vetmja rrugë si çasje për të ndryshuar gjërat dhe deri tash ka pasë raste të shumta, ndryshime të shumta të cilat kanë bërë që të reduktohet shfrytëzimi i madh i resurseve natyrore, që të ngritët cilësia e jetës.

“Duke i parë vazhdimisht këto zhvillime teknologjike që po ndodhin si dixhitalizimet e ndryshme, konceptet komplekse në përgjithësi, ne jemi shumë optimist që mund të ndikojmë te pjesa e ambientit”, thotë ai.

Në pyetjen se a mund të investohet në kapjen e CO2 në periudhën ku edhe Kosova po bëhet pjesë e agjendës së gjelbër, Hajrizi thotë se çasja e gjenerimit të energjisë elektrike përmes fosileve, në këtë rast përmes qymyrit, është një mundësi, por e cila e dëmton ambientin.

“Si teknologji, si dije ekzistojnë disa mundësi të cilat gjenerojnë që tymi mos të del në hapësirë, por të grumbullohet, të përmblidhet në formën e tillë që të mund të filtrohet dhe mund të mbahet nën kontroll. Kjo teknologji sot është e zbatueshme dhe duhet gjithsesi të konsiderohet si një prej opsioneve derisa ne të kalojmë në një fazë post-fosile. Mirëpo, ne ndodhemi në një fazë që nuk mund t’i arrijmë të gjitha alternativat në një kohë të shpejt të asaj që quhet post-fosil”, thotë ai.

Si njohës i fushës, Hajrizi thotë se Kosova duhet t’i trajtoj edhe disa alternativa që të merret një vendim në këtë drejtim. Por, gjithsesi, me gjendjen aktuale ne kemi akoma shumë potencial që të përdoret dija e sotme, teknologjia e sotme dhe mundësitë që janë sot, prandaj unë jam pro kësaj vendimmarrjeje, thotë Hajrizi për BB Green.

Prof. Hajrizi tregon se së bashku me kolegët e tij janë duke punuar vazhdimisht me konceptet e sistemeve të mençura, infrastruktura të mençura, sepse siç thotë ai, besojnë që përmes një forme të tillë dhe një infrastrukture të ashtuquajtur ‘smart infrastructure’ – vijnë ndryshimet.

Hajrizi thotë se kemi mundësi marrje të informacioneve në kohë reale, përpunimin e tyre në kohë reale, vizualizimin e tyre mund të vijnë te vendimmarrjet e shumta, te masat parandaluese të shumta, te eliminimi i rreziqeve të shumta për të përmirësuar cilësinë e jetës së njeriut.

“Ne vetëm tani kemi krijuar një fushë eksperimentale që e quajmë ‘Qyteti i mençur i UBT’-së, duke përdorur teknologjitë e fundit siç janë inteligjenca artificiale, rrjeti mobil 5G . Ne kemi filluar të bëjmë hulumtime, të bëjmë eksperimente të vijmë te rezultatet që këto vërtetë e përmirësojnë jetën, do të thotë e rrisin efiçensën e energjisë, i rrisin masat parandaluese te ambientit e kështu me radhë”, thotë rektori i UBT-së.

Rektori Hajrizi thotë se vitet e ardhme do të kemi rezultate edhe më konkrete në këtë pjesë.

/Telegrafi/