LAJMI I FUNDIT:

Rejan Etemi: Mundësitë për artin nuk janë për secilin!

Rejan Etemi: Mundësitë për artin nuk janë për secilin!

Rejan Etemi është një artist që vjen nga qyteti Tetovës. Një njeri plot me entuziazëm dhe dashuri të veçantë për artin, e që ka arritur të ekspozojë në shumë vende të Europës. Në intervistën për Telegrafin Rejani tregon për karrierën e tij të suksesshme. Pasion dhe vullnet për të bërë punë të mirë, thotë ai.


Intervistoi: Aroma Aliti

Që sa kohë keni filluar të merreni me këtë profesion?
Arti tek unë ka filluar bashkë me hyrjen time në shkollë, domethënë prej atëherë e kam ndjerë si lëndë më shumë, por si profesion kam filluar t’a ushtrojë që me mbarimin e studimeve posdiplomike në Prishtinë.

A mund të na rrëfeni për sfidat me të cilat përballet sot një artist?
Sfidat! Tash sfida ka çdo profesion, por ama janë kaluese, kapërcehen me një fjalë, por nëse ka pasion dhe vullnet për punën që bën.

A është e vështirë për ju si piktorë në një vend si Maqedonia ku nuk ka shumë perspektiva arti?
Këtë po e lidh me përgjigjen e pyetjes së dytë. Ka sfida, por kur kalohen dhe gëzon rezultatin gjithsesi motivohesh ende më shumë, megjithëse si piktor I pavarur dhe si artist në përgjithësi mendoj se nuk mund të izolohesh vetëm në një vend dhe të presësh suksesin. Këtë po e flas për artistin e lirë.

Sa janë njerëzit të interesuar për pikturën apo artin?
Interesim ka jashtëzakonisht shumë, nëse do krahasoja me të kaluarën, por kuptohet mundësitë nuk janë për secilin edhe pse dëshira ekziston patjetër.

Cila ekspozitë e juaja ka qenë më e suksesshme dhe më e preferuara nga njerëzit?
Si ekspozita më të suksesshme i kam pasur ekspozitën e realizuar vitin 2011 në Prishtinë dhe atë në vitin 2018 në Tetovë.

Mund të na tregoni diçka për koloninë në Bukovinë, Rumani ku ju ishit pjesëmarrës?
Kolonia artistike në Bukovinë regjioni Romuno Moldav ishte gjithsesi një privilegj dhe një eksperiencë e veçantë në shtator të këtij viti.
Edhe pse fokusi im më shumë është arti mural kuptohet sipas preferencave të klienteles. Por ama këtë vit i kam frekuentu shumë kolonitë artistike si në Rumani, Moldavi, Pejë- Rrugovë, Prizren, etj.

Cilat janë planet e Rejanit në vazhdim?
Plane nuk është se bëj shumë, por si piktor që kam bërë një bagazh deri diku në Europë me piktura murale, do të doja të bëj edhe ekspozita personale atje.

Rejani do të vazhdojë të krenojë Tetovën edhe më shumë, ndërsa neve na ngelet që t’i urojmë suksese në punët e tij në vazhdim. /Telegrafi/