LAJMI I FUNDIT:

Regjistrohen 2 906 biznese vendore dhe 137 të huaja

Regjistrohen 2 906 biznese vendore dhe 137 të huaja

Në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve në Kosovë për tre muajt e parë të këtij viti janë regjistruar 2 906 biznese vendore dhe 137 të huaja.
Krahasuar me vitin e kaluar, numri i bizneseve këtë vit ka shënuar rritje për 280 biznese vendore dhe 37 të huaja. Njohës të çështjeve ekonomike dhe të biznesit kanë thënë se rritja e numrit të bizneseve vjen në sajë të granteve dhe subvencioneve që jepen nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR) nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA), si dhe nga mundësia e regjistrimit të bizneseve me zero kosto. Sipas tyre, regjistrimi i bizneseve të reja ka anët pozitive dhe negative, pasi i jepet mundësia çdokujt të hapë biznese me zero kosto apo edhe ta ndërrojë emrin dhe aktivitetin e biznesit në bazë të preferencave të tyre.

Drejtori i Drejtorisë për Çështje Administrative të Regjistrimit të Biznesit në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve (ARBK), Mehdi Pllashniku, ka bërë me dije për gazetën “Epoka e re” se gjatë tremujorit të parë të këtij viti, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, numri i bizneseve vendore të regjistruara ka shënuar rritje për 280 biznese e, po ashtu, sipas tij, edhe numri i bizneseve të huaja është më i lartë se në vitin e kaluar për 37 biznese. “Në periudhën janar-mars 2016 në ARBK janë regjistruar 2 906 biznese vendore dhe 137 të huaja. Kurse në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar kanë qenë të regjistruara 2 626 biznese vendore dhe 100 të huaja”, ka thënë Pllashniku. Ndërkaq, sa i përket numrit të punëtorëve në sektorë, ai ka thënë se në ARBK janë regjistruar 2 878 biznese me 0-9 punëtorë dhe 28 biznese me 10-50 punëtorë. “Sipas sektorëve, gjatë kësaj periudhe i kemi pasur 342 biznese në industri, 255 në ndërtimtari, si dhe 820 biznese në tregti”, ka thënë ai.


Njohësi i çështjeve të biznesit, Lulzim Syla, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se faktori kryesor që ka ndikuar në rritjen e numrit të bizneseve të regjistruara, është mbështetja e fermerëve nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural. “Faktor kryesor mund të jenë fondet që rrjedhin si rezultat i projeksioneve nga Ministria e Bujqësisë për mbështetje të fermerëve, që është një ndër faktorët kryesor që ka ndikuar që një pjesë e madhe e fshatarëve të hapin biznese të vogla, duke pasur parasysh fondet mbështetëse që kanë qenë në fushën e agrobiznesit. Kjo ka ndikuar në masë të madhe që në tre vjetët e fundit të ketë rritje eksponenciale të bizneseve”, ka thënë ai. Sipas Sylës, faktori i dytë që ka ndikuar në rritjen e numrit të bizneseve është MSA-ja. “Bizneset kanë qenë të informuara sa i përket MSA-së dhe kjo ka bërë që ata të përgatiten për mundësinë e shfrytëzimit të beneficioneve që dalin nga kjo marrëveshje në raport me tregun evropian”, ka deklaruar Syla, duke shtuar se është karakteristike që çdoherë tremujori i parë i vitit është më atraktiv për themelim të bizneseve.

Ndërkaq sa iu përket sektorëve të regjistrimit të bizneseve, Syla ka thënë se sektori i prodhimit është i anashkaluar, sepse për të mungojnë beneficionet. “Sektori i prodhimit do kohë më të gjatë, investime dhe përkushtim më afatgjatë. Ndërsa bizneset, të cilat merren me tregti dhe shërbime, është shumë më lehtë të formohen. Fatkeqësisht deri më tash nuk ka pasur modele ekonomike që e stimulojnë zhvillimin e prodhimit. Ky është ndër faktorët kryesor që do të duhej të jetë objektiv i zhvillimit ekonomik, me qëllim të krijimit të fondeve për zhvillim të industrisë ose të prodhimit”, është shprehur Syla. Ai ka thënë se jo vetëm në Kosovë, por në të gjitha vendet që pretendojnë zhvillim ekonomik, shteti krijon mekanizimin për mbështetje. “Mungesa e fondeve për zhvillim të industrisë e bën situatën mos të ketë rritje të numrit të bizneseve në prodhim ose bizneseve ekzistuese të rriten më shumë”, ka thënë ai.

Njohësi i çështjeve ekonomike, Mustafë Kadriaj, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se në parim çdo aplikimi për regjistrim për biznese të reja duhet t’i gëzohemi pasi, sipas tij, çdo regjistrim i biznesit të ri e rrit imazhin e vendit tonë në nivel rajonal dhe më gjerë. “Faktor ndikues i rritjes së numrit të bizneseve janë dhe lehtësirat e regjistrimit të bizneseve. Çdo lëvizje, si pozitive po ashtu dhe negative, i ka faktorët ndikues. Në këtë rast, për këtë rritje pozitive, si faktor ndikues pozitiv është krijimi i lehtësirave për regjistrim të bizneseve në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve (ARBK), në të cilën mjafton të aplikosh dhe pas tri ditësh do të jesh pronar i biznesit. Këto lehtësira në regjistrimin e bizneseve i kanë dy anë të medaljes, pozitive dhe negative.

Nga ana pozitive në ekonominë e tregut ose ekonominë liberale çdo qytetar duhet të ketë mundësi dhe të drejtë qytetare ta sfidojë veten në konkurrencën e lirë biznesore”, ka thënë Kadraj, duke shtuar se karshi procedurave liberale të regjistrimit, është shfaqur edhe dukuria negative e regjistrimit të bizneseve pa kontroll. “Gjatë regjistrimit të bizneseve është shfaqur një dukuri jo e mirë. Nga përvoja them se ka raste kur mjafton një nxitje nga një i afërm, një mik ose vetë ndjenja për të qenë pronar biznesi dhe të shkosh për ta regjistruar. Mirëpo ka dhe raste kur i njëjti person ka biznes të regjistruar më herët dhe s’ka zhvilluar aktivitet dhe prapë aplikon për një biznes të ri me arsye të pakuptimta se nuk i pëlqen emri ose pikat e aktiviteteve. Pra, kemi regjistrime pa kontroll të bizneseve të reja dhe kjo nuk paraqet pasqyrë reale të gjendjes ekonomike në vend. Shtimit të bizneseve të reja nuk duhet t’i gëzohemi dhe të krijojmë optimizëm, sepse në realitet shumë pak zhvillojnë aktivitet biznesor”, ka deklaruar ai. /Epoka e Re/Telegrafi