LAJMI I FUNDIT:

Refugjati sirian që bënë biznes në Shqipëri (Foto)

Refugjati sirian që bënë biznes në Shqipëri (Foto)

Një magazinë e madhe e sapolyer me bojë në Babrru, në periferi të kryeqytetit është vendi ku bën biznes një dyqan rrobash të përdorura.

“Darwish” lexon emri i pazakontë mbi dyqan, shkruar me shkronja të mëdha të kuqe në dritare, i cili përfaqëson me krenari mbiemrin e pronarit. Nën të, në shqip është shkruar “rroba të përdorura” po me të njëjtat shkronja të kuqe.


Pronari i dyqanit, Samer Darwish, nuk është shqiptar. Një refugjat nga Siria e shkatërruar prej luftës, ai hyri në këtë vend ballkanas vetëm katër muaj më parë.

Në atë kohë ai kishte krijuar tashmë një firmë fitimprurëse, që përfshin magazinën qendrore dhe tre dyqane të tjera në vende të ndryshme të Tiranës. Gjithsej ato punësojnë pesë vendas.

“Nuk do ta kisha besuar kurrë që do të përfundoja duke jetuar dhe punuar në Shqipëri – ka qenë plotësisht e paparashikuar,” tha ai për BIRN.

“Por tani jam i lumtur dhe i vendosur ta bëj këtë,” shtoi Samer, duke rrëfyer se po merr në konsideratë hapjen e mundësive të reja të biznesit në vendin e tij.

Darwish ishte një biznesmen i suksesshëm në Alepo, Siri, duke importuar makina nga Europa dhe duke i shitur ato më pas në rajon.

Ëndrrat e tij u shkatërruan nga lufta. Në fund të vitit 2014, ai vendosi t’i bashkohet qindra mijëra shtetasve që lanë Sirinë dhe filluan udhëtimin si refugjatë, në kërkim të një jete të re në Europë, Transmeton Telegrafi.

Rruga e tij ishte e ngjashme me atë të shumë të tjerëve. Nga Siria ai shkoi në Turqi dhe hipi në një nga anijet e mbipopulluara që e çuan në brigjet e Greqisë.

Nga atje kaloi në Maqedoni dhe mori “itinerarin famëkeq të Ballkanit” që e çoi në Hungari. “Udhëtimi im ndaloi atje sepse kërkova për azil në Hungari,” thotë Samer.

Falë kapitalit të vogël që kishte nga biznesi i vjetër, Samer mundi të blinte një shtëpi në Hungari dhe i provoi autoriteteve se ishte “një kandidat i mirë për azil”.

Pasi kërkesa e tij u miratua dhe sapo mori dokumentet që i lejonin udhëtimin, Samer filloi të mendonte se çfarë të bënte me jetën e tij të re në Europë.

Shqipëria ishte hapi i radhës sepse familja e motrës së tij kishte ardhur në Tiranë nga Alepo 18 vite më parë, kur kunati i tij biznesmen vendosi të provonte mundësitë e biznesit këtu.

Në katër vitet e fundit, teksa kriza politike në Siri thellohej dhe zhvillohej në luftë të shkallës së plotë, katër nga motrat dhe vëllezërit e tij u zhvendosën në Shqipëri dhe shtëpia e motrës së tij u bë një strehë e sigurt për familjen.

“Pasi një pjesë e familjes ishte tashmë në Tiranë, mendova përse të mos e provoj të bëj biznes mes Hungarisë dhe Shqipërisë dhe të shoh si do të shkojnë gjërat,” tha ai.

Ai mbërriti në Shqipëri në nëntor 2015 dhe ngriti një biznes që importonte rroba të dorës së dytë nga Hungaria.

“Mora ca këshilla nga familja që jetonte këtu por e bëra gjithçka vetë pasi asnjë prej tyre nuk kishte kohë të vinte të më ndihmonte,” tregon Samer.

Gjuha ishte një nga pengesat më të mëdha në fillim, por edhe vetëm me disa fjalë shqip, ca anglisht dhe shumë shenja me duar, Samer duket se po ia del mjaft mirë. /Telegrafi/

View post on imgur.com

Në trend Lajme

Më shumë
Aksident i rëndë trafiku në Prishtinë mes një veture dhe dy motoçikletave

Aksident i rëndë trafiku në Prishtinë mes një veture dhe dy motoçikletave

Kronika e Zezë
Martesa e dy vajzave në bashkinë e Tiranës, ligji shqiptar nuk lejon martesa të së njëjtës gjini, reagon Kisha Katolike

Martesa e dy vajzave në bashkinë e Tiranës, ligji shqiptar nuk lejon martesa të së njëjtës gjini, reagon Kisha Katolike

Lajme
Dy gra u martuan te Bashkia e Tiranës, Malaj: Kundër veprimeve që e tejkalojnë ligjin

Dy gra u martuan te Bashkia e Tiranës, Malaj: Kundër veprimeve që e tejkalojnë ligjin

Lajme
Kasami: Deklarata të rrezikshme nga Ali Ahmeti, VLEN nuk është e interesuar për konflikte mes shqiptarëve

Kasami: Deklarata të rrezikshme nga Ali Ahmeti, VLEN nuk është e interesuar për konflikte mes shqiptarëve

Politikë
Tahiri: 30 maji është data e fundit që të shpërbëhet Kuvendi

Tahiri: 30 maji është data e fundit që të shpërbëhet Kuvendi

Lajme
Kusari - Lila: Nuk kemi kërkesë zyrtare për shpërberje të Kuvendit

Kusari - Lila: Nuk kemi kërkesë zyrtare për shpërberje të Kuvendit

Lajme
Kalo në kategori