LAJMI I FUNDIT:

Reciprociteti për targat, vendim i drejtë i Kosovës – Marrëveshja e vitit 2016 ishte pesëvjeçare (Dokument)

Reciprociteti për targat, vendim i drejtë i Kosovës – Marrëveshja e vitit 2016 ishte pesëvjeçare (Dokument)

Nga e hëna Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për aplikimin e reciprocitetit me Serbinë për targat e automjeteve, bazuar në Marrëveshjet e vitit 2011 dhe 2016 për lëvizjen e lirë.

Në marrëveshjen për lëvizjen e lirë të nënshkruar në Bruksel në vitin 2016 mes Kosovës dhe Serbisë ishte arritur pajtimi që me etiketa apo letra ngjitëse të mbulohen pjesët relevante të targave në automjete, siç janë simbolet dhe akronimet e shteteve përkatëse, gjatë qarkullimit në territorin e dy shteteve.


Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës, në një deklaratë për Telegrafin ka analizuar marrëveshjen për lëvizjen e lirë, e cila është arritura para dhjetë vitesh.

“Atëherë marrëveshja për lëvizjen e lirë tashmë i ka bërë një dekadë prej që është nënshkruar si marrëveshje fillestare mes Kosovës dhe Serbisë, dhe që e njëjta është pasuar me dy dakordime të tjera mes Kosovës dhe Serbisë, në formën e aranzhimit operacionale, që përbëjnë avancim të marrëveshjes.

Një ndër pikat e vitit 2016 ka qenë obligimi që Kosova ka marrë për zgjatjen e afatit të targave KS për një periudhë pesë vjeçare, e cila ka skaduar në shtator të këtij viti, megjithatë duhet bërë të qartë marrëveshja nuk krijon ndonjë ndërlidhje në çështjen e targave të përkohshme dhe atyre KS të lëshuara nga institucionet”, deklaroi ai.

Cakolli sqaroi se fillimisht ishte arritur një vendim për kalimin e të gjitha veturave nga KS në RKS, e që më pas është marrë vendimi edhe për regjimin e targave, ashtu siç ka vepruar Serbia.

“Në radhë të parë, çështja e validitetit të targave KS është përcaktuar me anë të një vendimi të ish ministrit të Punëve të Brendshme, Agim Veliu, të vitit të kaluar, i cili ka përcaktuar që brenda një periudhe një vjeçare të përmbyllet kalimi i të gjitha veturave nga KS në RKS, në rastin e vendimit të ministrit të Punëve të Brendshme për çështjen e targave të përkohshme. Ky element është i përfshirë në marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë të vitit 2016, në të cilën përcaktohet që Kosova ka të drejtë që të zbatojë regjimin e targave të përkohshme njësoj siç vepron Serbia”.

“Ndërkohe, që ka qenë një lloj klauzole që duhet të ketë një farë informimi dhe koordinimi me Bashkimin e Evropian, për të cilin ende nuk është thënë publikisht që ka ndodhur formalisht apo jo”.

“Andaj çështja e vendimit të ministrit duhet të interpretohet në mënyrë të pavarur nga ajo që ka ndodhur me çështjen e targave. Pra dallimi është që me vendimin e ministrit të Punëve të Brendshme afektohen vetëm veturat që janë me targa të Serbisë, ndërsa marrëveshja në fjalë pika numër 5, e trajton çështjen e veturave të qytetarëve serbë të Kosovës dhe jo atyre të Serbisë”, theksoi ai.

Cakolli shtoi tutje se Bashkimi Evropian nuk ka ndonjë dispozitë që të kapët për këtë çështje, pasi që Serbia aplikon që nga vitit 2011 targa të përkohshme.

“Në këtë drejtim, unë besoj se kjo ka qenë mënyra e vetme që institucionet e Kosovës kanë pasur në dispozicion, besoj që kanë pasur hapësirë në kuadër të marrëveshjes së lirë të vitit 2016, që një vendim i tillë të merret edhe më herët për shkak se Kosova ka qenë duke e zbatuar njëanshëm pjesën e marrëveshjes, dhe shumë pjesë tjera të saj, dhe konsideroj që as Bashkimi Evropian që ka ndonjë dispozitë që mund të kapet për këtë çështje, në drejtim të lëvizjes së lirë”.

“BE ka kohë që ka ditur që kjo çështje mund të vjen në këtë pikë, për shkak se Serbia që nga vitit 2011 aplikon këto targa të përkohshme, dhe sistemin për letra hyrje – dalje, që deri tani nuk janë aplikuar nga Kosova”, u shpreh ai.

Cakolli mes tjerash tha “nëse kërkesa e BE-së, bëhet për të negociuar për këtë çështje, do të ishte plotësisht e sinqertë, atëherë unë mendoj që është dashur që fillimisht Serbisë t’i kërkohet të mos zbatojë sistemin e targave të përkohshme për qytetarët e Kosovës, të cilët kalojnë nëpër Serbi”.

“Unë mendoj që qëndrimi i Kosovës në këtë rast është parimor dhe është korrekt, sa i përket asaj që nëse kjo çështje paraqet problem për faktorin ndërkombëtar atëherë presioni nuk duhet të jetë vetëm për palën kosovare por edhe për palën serbe, që e zbaton këtë pikë. Në anën tjetër, Kosova tash e shumë vite ka refuzuar që të zbatojë marrëveshjen për të vendosur targa të përkohshme që vijnë nga Serbia”, pohoi ai.

Ish- shefja e delegacionit të Kosovës në bisedimet me Serbinë, Edita Tahiri, ka deklaruar se vendimi i Qeverisë Kurti për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit është i drejtë.

“Unë e mbështeta menjëherë sepse është në pajtim me marrëveshjen e Brukselit për lëvizjen e lirë të vitit 2011. Besoj që kjo do të mbetet kështu, kur e them e kam parasysh lojërat e Serbisë me këto kërcënime të pabazuara, sepse edhe Serbia e ka këtë detyrim. Tani faktori perëndimor, Amerika dhe Evropa duhet të çojnë presionin nga Serbia dhe jo nga Kosova për këtë çështje, sepse është pikërisht zbatimi i marrëveshjes së Brukselit”, ka deklaruar ajo për tch.

Ndryshe, një ditë pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për aplikimin e reciprocitetit me Serbinë për targat e automjeteve, kanë vazhduar reagimet dhe kundërshtimet e palës serbe. Në pikat e kalimit kufitar në veri të Kosovës Jarinë dhe Bërnjak ka pasur edhe gjatë ditës së sotme protesta.

Situata është vlerësuar e qetë nga Policia e Kosovës, dhe deri tani nuk raportohet për ndonjë incident. /Telegrafi/